Faqet 'e zeza' të Kulturës në median në Tranzicion
Politiko16 Shtator 2020, 16:38
nga Virgjil MuçiJam i bindur se shumëkush sot e kësaj dite e mban mend 5 janarin e vitit 1991, ditën kur doli numri i parë i të parës gazetë opozitare në Shqipëri, “Rilindja demokratike”. Po e rikujtoj këtë ditë duke qenë se, për shkruesin e këtyre radhëve, përtej kuptimit simbolik, ajo shkon e përfton edhe kujtime të pashlyeshme. Atë ditë bashkë me një grup miqsh nga Tirana, aktorin e shquar të skenës dhe të teatrit, Ndrek Luca, poetin Rudolf Marku, shkrimtarin Aurel Plasari u nisëm herët nga Tirana dhe morëm rrugën e Shkodrës për një veprimtari të pazakontë për kohën: të parin takim përkujtimor, pas më shumë se gjysmë shekulli, për poetin, klerikun dhe atdhetarin at Gjergj Fishta. Ku më mirë se nga Shkodra mund të zinte fill ringjallja e Fishtës? Në të dalë të rrugës së Trenit, pranë Maternitetit, na zunë sytë një turmë njerëzish të mbledhur para një Librarie – sot shndërruar në Farmaci, si shumë objekte të kulturës në të kështuquajturin tranzicion – dhe, aty për aty, u kujtuam se ishte dita e bekuar e botimit të së parës gazetë opozitare, të përmendurës “Rilindja demokratike”, ose siç do të thirrej shkurt e përvoli “RD”-ja. Nga mikrobusi me të cilën udhëtonim dukej sheshit një sipërmarrje e pamundur të shkoje e të blije një kopje të gazetës, çka nuk e pengoi mikun tonë të ndjerë, Ndrek Luca, të zbriste nga makina dhe ta mbante vrapin nga Libraria për t’u kthyer pas pak me një kopje të gazetës në dorë, duke e tundur si një flamur fitoreje. Vetëm ai njeri me sharmin, emrin dhe reputacionin e shkëlqyer që gëzonte mund të çante atë det njerëzish dhe ta bënte të mundur që të shtinte në dorë një kopje të ëndrrës për të gjithë ne. Nuk jam në gjendje të them me saktësi se sa kopje të RD-së janë shitur atë ditë; e vetmja gjë që mund të thuhet me siguri është se nuk mbeti as edhe një kopje e pashitur, ndërkohë që gazeta do të qarkullonte dorë më dorë për t’u lexuar si ndonjë trakt, duke ndër mendur skenat irreale të ndonjë filmi të realizmit socialist. Sot jemi të vetëdijshëm se jetojmë në kohë të infodemisë ndaj, në këtë pikë, ma do mendja se më shumë se për një media në tranzicion – sipas kuptimit zanafillor transitio (lat.) është kalimi nga një gjendje në një tjetër ose nga një epokë në tjetër, në këtë kuptim është njëlloj si të thuash, të kalosh nga adoleshenca në moshë të pjekur ose nga Mesjeta në Rilindje - bëhet fjalë për një epidemi të informacionit, në atë shkallë dhe në atë masë, si dhe me ato efekte që shkakton çdo epidemi që përhapet në mënyrë të papërmbajtur e të pakontrolluar. Sigurisht, protagonistët e padiskutueshëm të mediumeve janë mediat sociale dhe rrjetet sociale, ndërkohë që shtypi i shkruar, ashtu siç e kemi njohur deri më sot, duket sikur ka marrë rrugën drejt stendave të muzeve për të ekzistuar si ndonjë relikt. Duke qenë se jetojmë në kohë pandemie dhe të gjithë ne jemi dëshmitarë, siç thuhet rëndom okularë, të asaj që po ndodh rreth e qark në jetët tona, them se çdo koment do të ishte i tepërt dhe i panevojshëm, për të mos thënë i dëmshëm. Po i mbyll këto radhë me dëshirën për t’iu rikthyer episodit të cekur në krye të këtyre radhëve. Qëllimi nuk është dhe aq sentimental sesa simbolik. Edhe pse kanë kaluar afro tridhjetë vjet nga 5 janari i vitit të largët 1991 jam në gjendje të riprodhoj me saktësi përjetimet dhe diskutimet tona nga Tirana në Shkodër, duke lexuar e komentuar çdo shkrim fletë pas flete të asaj gazete, në faqet e së cilës Plasari kishte botuar një shkrim për Fishtën, ndërsa shkruesi i këtyre radhëve një përmbledhje konsideratash nga figura të shquara të artit e të kulturës botërore për poetin e madh. Fatit të mëpasëm të “RD”-së, por edhe të simotrave të saj të shtypit të shkruar që do ta ndiqnin brenda një kohe të shkurtër, më fort se gjithçka tjetër, i shkon pas shtatit shprehja e njohur latine: Sic gloria transit mundi!
***
Po t’i hedhim një sy peizazhit të shtypit të shkruar mund të thuhet se gjendja e shtypit letrar e kulturor në Shqipëri përjeton një zbaticë, një rrudhje të ndjeshme. Më konkretisht, sot nuk ka një gazetë të mirëfilltë letrare-artistike. Gjithashtu në treg mungojnë revistat e përmuajshme. Në mënyrë krejt të çrregullt dalin revista e mendimit “Përpjekja”, revista letrare “Aleph”, revista letrare “Mehr Licht” për të mbërritur te më e rregullta e kohëve të fundit “Ex Libris”. Është zhdukur nga qarkullimi “Revista letrare” (ish-revista “Nëntori” e Lidhjes së Shkrimtarëve) dhe të njëjtin fat ka pësuar edhe gazeta “Drita” më e vjetra në vend. Nuk po përmendim këtu një numër të pafund organesh letrare të të rinjve, të cilat, në qoftë se do të perifrazonim një shprehje të vjetër do të thoshim “foshnja lindi e vdekur”. E vërteta është se një organ kulturor e letrar i mirëfilltë duke mos qenë në gjendje të konkurrojë në kushtet e tregut e ka të vështirë ekzistencën, për të mos thënë të pamundur, pa mbështetje financiare të institucioneve ose sponsorizuesve të ndryshëm.Hapësira që i caktohet Artit & Kulturës, nën emrin përgjithësues Kulturë është pak a shumë e njëjtë te të gjitha gazetat e përditshme të shtypit shqiptar. Më konkretisht bëhet fjalë për një hapësirë të përhershme prej dy-tre faqesh, të cilat gjenden më së shumti pas rubrikës së Koment & Opinioneve dhe para lajmeve nga bota ose lajmet sportive. Vetëm Gazeta Shqiptare ka një suplement Kulturor & Letrar, të titulluar Milosao, i cili ka 16 faqe dhe del një herë në javë, të djelën. Gazetat e tjera kanë hapësira speciale (në qoftë se mund të shprehemi kështu) të ashtuquajtura Faqet e së Shtunës, ose të Dielës, Week end, etj. Por të gjitha këto kanë më fort karakter zbavitës të tipit Gossip’s, Leisure, një amalgamë kërshërish dhe scoop’esh nga fusha të ndryshme, por pak nga fusha e kulturës dhe e artit, madje edhe atëherë të konceptuar si zbulim e fakt sensacional. Me përjashtim të suplementit Milosao të Gazetës Shqiptare, i cili ka një rubrikë të përjavshme që i kushtohet librit, kryesisht librit të ri, nën okelion “Bibliotekë”, gazetat në faqet e përditshme nuk kanë kënde të posaçëm kushtuar librit ose fushave të tjera të krijimtarisë, gjë që ia lënë sporadicitetit të evenimenteve artistike, daljes në treg të librave të rinj, premiera të filmit ose teatrit, ekspozitës së aksh piktori etj. Ajo që mungon rregullisht te të gjithë organet kulturore është matja e pulsit të tregut për shitjet e librave dhe lista e të ashquajturave bestseller, një praktikë që haset rëndom në faqet kulturore të të përditshmeve serioze europiane e më gjerë.Në qoftë se do t’u referohemi sërish statistikave të botimit të librave, mbi njëqind tituj në muaj, do të vemë re se vetëm një pjesë e vogël e tyre arrin të gjejë një hapësirë në faqet e shtypit kulturor të gazetave të përditshme. Sigurisht që jo të gjitha prurjet e tregut mund të pasqyrohen në shtyp, por autorët më të rëndësishëm dhe veçmasi të rinjtë që kanë nevojë të promovohen dhe për të cilët shtypi është një mekanizëm i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm. Po kështu në qoftë se do t’u referoheshim statistikave të sipërpërmenduara, vërejmë se nga shtatëmbëdhjetë shkrime për librat e rinj, njëmbëdhjetë u përkasin autorëve shqiptarë dhe vetëm gjashtë autorëve të huaj. Ma do mendja që është pozitiv fakti i verifikuar edhe më parë se nuk ka diferencime në kurriz të autorëve shqiptarë në favor të atyre të huaj, përkundrazi. Por, nga ana tjetër, lypset theksuar se kemi të bëjmë më fort me vështrime përshkruese dhe lavdëruese sesa me kritika të mirëfillta dhe recensa për librin. Por gjithsesi problemi me i mprehtë nuk është ai i sasisë sesa i cilësisë. Shpesh gazetarët nuk përbëjnë filtër për librat e dobët, por i pasyrojnë dhe madje, shpesh u kushtojnë të njëjtën hapësirë ashtu si edhe librat e mirë, çka çorodit lexuesit dhe kompromenton besueshmërinë e gazetës. Me ndonjë përjashtim të rrallë, siç edhe mund të vihet re nga shembujt e mësipërm, mungojnë pothuajse tërësisht shkrimet kritike për teatrin, filmin, ekspozitat e arteve pamore, pikturë, fotografi etj. Një e dhënë tjetër që ngjall interes ka të bëjë me faktin se shkrimet përgatiten në pjesën më të madhe të rasteve nga vetë gazetarët e kulturës, të cilët nuk kanë përgatitjen specifike që kërkon kritika letrare ose ajo e filmit, teatrit, artit pamor e kështu me radhë. Në rastet e shkrimeve për librat e rinj, të përmendur pak më sipër, vetëm pesë artikuj u përkasin bashkëpunëtorëve të jashtëm të gazetës, shkrimet e tjerë mbajnë firmën e gazetarëve. Është e lehtë të konstatosh që gazetat nuk kanë bashkëpunëtorë fiks për rubrika të caktuara të faqeve kulturore ose artistike, gjë që konsiderohet praktikë e rëndomtë dhe gjen zbatim gjerësisht madje edhe në rajon.Intervista ngjan të jetë zhanri më i parapëlqyer nga gazetarët e kulturës. Nuk është aspak e vështirë për të arritur në këtë përfundim kur vë re që intervista zë vendin kryesor në faqet kulturore të gazetave. Nga ana tjetër tek intervista vihet re edhe një larmi më e madhe krahasuar me zhanre të tjera. Fjala vjen të intervistuarit janë këngëtarë (më së shumti), aktorë, shkrimtarë, regjisorë, kuratorë ekspozitash, por nuk mungojnë edhe burokratë të kulturës. Këtu shfaqet një tjetër mangësi, ose pamundësi, quajeni si të dëshironi, e gazetarëve të kulturës; në mbi nëntëdhjetë përqind të rasteve intervistat janë me personazhe lokalë dhe vetëm në raste shumë të rralla mund të hasësh në celebrities të njohur në botë. Me këtë rast nuk dëshiroj të përmend këtu intervistat e përkthyera nga faqet e shtypit të huaj, më së shumti atij italian, dhe që nuk respektojnë të drejtat e mbrojtura me ligj të autorit, në rastin në fjalë të gazetës përkatëse prej kah është nxjerrë intervista ose shkrimi. E megjithatë mund të thuhet se sot kemi të bëjmë me një dukuri e cila, krahasuar me atë çka ndodhte në shtyp në fillim të viteve nëntëdhjetë, ka ardhur duke u rrudhur dhe u minimizuar në mënyrë të ndjeshme. Shfaqjet e rralla që vihen re janë gjithsesi një anakronizëm nga ana profesionale, i cili, nuk mund të thuash që përbën një dukuri tipike. Shpesh pyetjeve të intervistave u mungon sensi kritik dhe janë thjesht ilustruese të idesë së shprehur nga autori i veprës, çfarëdoqoftë ajo. Kësisoj gazetari/rja ngurron ngaqë nuk ka guximin e duhur të bëjë edhe të ashtuquajtura pyetje delikate, të mprehta, me spec, çka kishte për të qenë normale dhe krejt profesionale në qoftë se ka bindjen se ajo që po bën është e drejtë dhe e ndershme, sidomos kur e ndjen se nuk ka synime të mbrapshta për ta fyer ose provokuar të intervistuarin.Paradoksalisht kemi të bëjmë me një dukuri që fillimisht shënonte një udhë të mbarë dhe ecje përpara në gazetarinë kulturore, ndërkohë që sot rrezikon të kthehet në të kundërtën e vet, pra në një dukuri retrograde. E kam fjalën jo për raportet e zhdrejta përsa i përket nga ana sasiore lajmeve të vendit mbi ato të huaja (deri këtu nuk ka asgjë të keqe), por në atë çekuilibër që vihet re në cilësinë e lajmit dhe për rrjedhojë të materialit që pasqyrohet. Pra, rreziku është që lokalizimi i skajshëm i kulturës mund të na shpjerë, pashmangshmërisht, në provincializimin e saj. Globalizimi, edhe ai kulturor, është një dukuri konkrete, e prekshme, madje do të thosha një proces që ka nisur me kohë dhe po zhvillohet me ritme marramendëse. Gazetarët dhe kultura shqiptare nuk mund të rrinë e bëjnë sehir nga ballkoni i provincializmit. Ngandonjëherë gazetaria kulturore endet në segmentin midis një lokalizmi provincial dhe kozmopolitizmi absurd.Një mungesë të ndjeshme dhe të pakonceptueshme sot e kësaj dite përbëjnë editorialët e kulturës. Kësisoj do t’u jepej hapësirë trajtimit të problematikave të kulturës shqipe, si brenda vendit ashtu edhe në raport me botën. Për fat të keq vërejmë se shpesh shkrime problemorë për çështje të artit e kulturës kalojnë si opinione të politikës në faqen e parë.Tashmë përbën një zbrazëti të papërfytyrueshme mungesa e kritikës së specializuar për gjini të ndryshme të artit. Më së shumti kjo gjë ndjehet për filmin, teatrin, artet pamore etj., ndërkohë që libri gjen një pasqyrim më të mirë, ndonëse jo ende në nivelin e një kritike të specializuar.Jo rrallë vihet re një gjuhë e varfër e gazetarëve të kulturës në shkrimet e tyre dhe, ç’është më e keqja, sintaksë e përçudur dhe gabime të shumta drejtshkrimore. Në këtë aspekt faqet e kulturës dhe materialet që përfshihen në të duhet të shërbejnë si model edhe për rubrikat e tjera të gazetës.
*Artikujt dhe intervistat e mësipërme janë pjesë e serisë së refleksioneverreth rolit të medias në tri dekadat e tranzicionit postkomunist, njëprojekt i Politiko.al në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias, nëkuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikes Çeke.
Pikëpamjet e shprehura janë të autorëve dhe nuk reflektojnë, domosdoshmërisht,pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit.Çdo portal/gazetë që do të ripublikojë këto materiale duhet t'i referohetburimit fillestar.