Flash News

KRYESORE

Fatmir Xhafaj i shpall luftë nga Elbasani bandave të Çapjave dhe Çelajve: Nuk mund të simbolizojnë këtë qytet; do marrin ndëshkimin e merituar

Fatmir Xhafaj i shpall luftë nga Elbasani bandave të Çapjave

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i ka shpallur luftë sot nga Elbasani dy bandave që zotërojnë prej vitesh qytetin e rëndësishëm në qendër të Shqipërisë. Duke folur pas takimit me 12 krerët e drejtorive të policisë, Xhafaj theksoi se nuk është i kënaqur me nivelin e kriminalitetit në Elbasan, ndaj edhe drejtoria e këtij qarku do të ristrukturohet.

Xhafaj përmendi për herë të parë me emër bandat e Çapjave dhe Çelajve, që kanë një histori të gjatë përplasjes midis tyre, duke shkaktuar shumë viktima. Ai paralajmëroi se këto banda do të marrin ndëshkimin e merituar.

“Jo rastësisht ky takim është në Elbasan, sepse siç e kam thënë, Elbasani pati një situatë jo pozitive të kriminalitetit, që nuk ka marrë ende përgjigjen e duhur, dhe lind nevoja për ta riformatuar të gjithë këtë strukturë. Ajo që pamë sot ishte koncepti se si do të bëhet ky riorganizim për të qenë më efiçent. Këto nuk janë gjëra që bëhen brenda orës, por duhet të debatohen që të kemi një projekt sa më realist.  Sa i përket kriminalitetit në Elbasan, unë mbetem i shqetësuar për këtë problematikë. Këtu kemi komanduar disa nga ekspertët më të mirë që po merren me dokumentimin e provave.

Çapjat dhe Çelajt nuk mund të simbolizojnë këtë qytet dhe komunitet njerëzish me vlera që është Elbasani. Ata edhe të tjerë do të marrin ndëshkimin e merituar”, u shpreh Xhafaj përpara gazetarëve.

Tre ditë më parë, Ardian Çapja i shpëtoi një tjetër atentati pranë banesës së tij, por policia nuk ka ende asnjë të dyshuar.

Megjithatë, gazetarët investigativ prej disa muajsh kanë deklaruar se këto dy banda kanë humbur pothuajse të gjithë territorin, dhe është një tjetër bandë që është fuqizuar vitet e fundit dhe që lidhet edhe me goditjen e makinës së zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit.

Opozita shqiptare dhe veçanërisht kryetari Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha akuzojnë shtetasit Suel Çela dhe Sokol Sanxhaktari për kontrollin e qytetit nëpërmjet aktiviteteve të paligjshme. Çela është i përfshirë në konfliktin me zv/drejtorin e policisë dhe Sanxhaktari është dhëndrri i kryebashkiakut Qazim Sejdini, por për të cilët Xhafaj nuk foli. 

Të fundit