Flash News

KRYESORE

Fatos Lulo, i pari në ‘sitën’ e vettingut, s'justifikon dot 200 mijë dollarë; Hyn në lojë e motra biznesmene     

200 mijë dollarë, përfshirë 100 mijë cash dhe një zyrë të madhe në rrugën e Durrësit, janë pasuritë që nuk janë justifikuar dot me burime të ligjshme nga ana e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo.

Në këtë përfundim ka dalë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas 5 muajsh hetime në seancën e parë dëgjimore që u zhvillua sot pa praninë e mediave, një prej nismave më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, që ka në fokus identifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

Sipas raportuat ILDKPI, Lulo disponon një shtëpi në rrugën “Sami Frashri”, një zyrë në rrugën e e Durrësit dhe 100 dollarë cash.

Ndërkohë, avokati Ardian Visha tha për mediat se banesa është e tij që prej vitit 2001 e përfituar ligjërisht prej punës që ka kryer ndër vite, zyra është dhuruar nga e motra e tij, Drita Lulo, ashtu si edhe 100 mijë dollarë si dhuratë për shkollimin e fëmijëve, e cila është aksionere 33% e një kompanie ndërtimi që operon në Tiranë.

Visha paraqiti kontratat e dhurimit. Sipas tij, gjyqtari i kishte dhuruar motrës, Drita Lulo apartamentin e prindërve në vitin 1997, ndërsa disa vite më vonë, motra i kishte dhuruar 100 mijë dollarë.

Një tjetër shkelje e konstatuar ishte edhe fakti se Lulo nuk ka paguar tatimet kur ka punuar si avokat në vitet 1994-1999.

Visha tha se me dokumente, në librezën e punës i ka të shënuara taksat edhe tatimet që ka paguar, ndërsa zyra e taksave dhe tatimeve thotë se nuk disponon dokumente gjatë këtyre viteve, por pas 2004-ës.

Nga ana tjetër, Lulos nuk i janë gjetur shkelje në aspektin moral dhe atë profesional, dy shtyllat e tjera nga të cilat përbëhet vettingu.  

 Vendimi për Fatos Lulon u shtyu për të premten në orën 11.00.

Të fundit