Flash News

KRYESORE

Fevziu flet për emërimin e Blushit në krye të Top Channel: Lajm i mirë për median. Nuk do thyhet kollaj nga presionet

Blendi Fevziu ka folur për emërimin e Ben Blushit në postin e drejtorit Ekzekutiv të Top Channel, zyrtarizimi i të cilit pritet të bëhet së shpejti. Në një intervistë për ‘Panorama Plus’, Fevziu e ka konsideruar një lajm të mirë për të gjithë median emërimin e ish-deputetit të PS në krye të këtij televizioni, pasi do të ndikojë në rritjen e cilësisë së gazetarisë.

Drejtuesi i ‘Opinion’ thekson se Blushi e ka staturën e fortë për të mos u thyer nga presionet në media, ndërkohë që nuk pret të reflektojë ndjesitë e tij politike në krye të ‘TCH’.

“Nuk kemi folur konkretisht, sepse, mesa di, nuk është ende një çështje e mbyllur, por në parim unë mendoj që vajtja e tij në krye të Top Channel, është një lajm i mirë për të gjithë. Për Topin në radhë të parë, për gazetarinë seriose dhe për ne që punojmë në Klan apo televizione të tjera. Unë e njoh Ben Blushin që fëmijë. Ai është ndër njerëzit që merret me thelbin e gjërave, që lexon, ndjek zhvillimet në botë dhe del tej vizionit provincial që dominon shpesh në mediat tona. Unë nuk e di se si do të jetë ai si drejtor, por jam i bindur që Blushi do të investohet në gazetarinë serioze, në gjërat me thelb dhe nuk do të ndjekë trendin fatkeq të 3-4 viteve të fundit që ka reduktuar gazetarinë në nivele karnavaleske.

E dyta, Blushi ka një staturë të fortë dhe nuk do thyhet kollaj nga presionet në media. As nuk besoj që do të reflektojë aty ndjesitë e tij personale ndaj qeverisë.

E treta, shpresoj shumë që ai të krijojë një traditë ndryshe nga ajo e gazetarisë së pazareve dhe gazetarëve pazarxhinj, që po gëlojnë në media dhe që po i shohin hapësirat e tyre mediatike si mundësi për gjobvënie dhe shantazh financiar.

Së fundmi, ardhja e tij në Top Channel shpresoj se do ndikojë në rritjen e konkurrencës me Klan-in dhe si e tillë do të reflektohet edhe te ne. Kjo është padyshim pozitive. Ka vetëm një formulë magjike për ta çuar përpara një media dhe kjo është konkurrenca.”

Të fundit