Flash News

KRYESORE

Fitoi betejën me virusin, nënë Nifja 90 vjeç tregon përjetimin: Pata frikë, mjekët më qetësuan

Fitoi betejën me virusin, nënë Nifja 90 vjeç tregon

Nife Pecaku, 90-vjeçarja nga Hasi që u infektua me koronavirus dhe fitoi betejën me këtë sëmundje, ka treguar për herë të parë përjetimin e saj me virusin e rrezikshëm. Nënë Nifja, siç u prezantua publikisht nga aturotietet shëndetësore, ka treguar për Birn se si u infektua me COVID-19. “Unë jetoj në Tiranë, por sapo dolën rastet e para, së bashku me nipin dhe mbesën erdhëm në Has, këtu në fshat, për t’u ruajtur nga kjo korona,” thotë nënë Nifja.

Ajo qëndroi vetëm 7 ditë në spital ku mori trajtim mjekësor. Nifja arriti të fitonte betejën me virusin, duke u shprehur se kishte merak të madh, pasi vuante dhe nga disa sëmundje të tjera. “Normale që meraku ishte i madh, pasi unë vuaj nga diabeti, tensioni…Megjithëse unë nuk kisha asnjë shenjë. As kollë, as temperaturë, veçse ndjehesha shumë e lodhur ama,” tregon nënë Nifja.

Ajo tregon se pasi u shtrua në spital u frikësua për jetën. “Ama kur u shtrova në spital më thënë të drejtën më kapi pak frika, se jeta të dhimet,” rrëfen 90-vjeçarja. “Fillova të kisha problem, mezi merrja frymë, më dukej sikur dikush më kishte kap prej fyti, dhimbje mesi e më dhimte i gjithë trupi…por kur shihna tanë ata doktora e infermiera që më rrinin te koka, u qetësova e deshi Zoti gjithçka shkoi mirë,” shton ajo.

“Në telefon flisja me djemtë, me nipër, mbesa, doktorët më vijshin 100 herë në ditë më kontrollonin, diabeti m’u rregullua, tensionin e kishim në rregull, e gjithë ajo frikë që kisha m’u zhduk, pasi doktorët më thoshin vetëm fjalë të mira,” tregon e moshuara, që fitoi betejën me virusin.

Pas daljes nga spitali, Nife Pecaku është rikthyer në shtëpinë e saj të fshatit për të vazhduar izolimin post-spitalor.m“Tani jam e mbyllur brenda në dhomë, jam mirë, djali sapo më solli ushqimin, televizorin e kam, telefonin e kam, me njerëz jam e rrethuar. Kur dua, dal e marr ndonjë rreze diell,” përfundon plot optimizëm 90-vjeçarja.

 

Të fundit