Flash News

KRYESORE

Fitojnë artistët/ Europa Nostra rendit Teatrin Kombëtar në listën e 7 Siteve të Trashëgimisë europiane më të rrezikuara për 2020-ën

Fitojnë artistët/ Europa Nostra rendit Teatrin Kombëtar në

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, përmes një deklarate publike njofton se Europa Nostra, Zëri Europian i shoqërisë civile i angazhuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe organizata partnere e saj, Instituti i Bankës Europiane të Investimeve, kanë shpallur sot 7 vendndodhjet e Trashëgimisë më të rrezikuara në Europë për vitin 2020.

Bazuar mbi këtë përzgjedhje, Teatri Kombëtar i Shqipërisë mori vlerësimin: Shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane të viteve 1930, i cili është një nga qendrat më të spikatura kulturore në vend, përballet me rrezikun e afërt të shembjes.

Vendndodhjet e tjera në këtë listë përfundimtare janë:

Kështjella Jezeří, Horní Jiřetín, REPUBLIKA ÇEKE, Kështjella e Sammezzanos, Toskanë, ITALI, Blloku Y, Lagjja Qeveritare, Oslo, NORVEGJI, Centrali elektrik Szombierki, Bytom, POLONI, Fortesa e Beogradit dhe Rrethinat e saj, SERBI dhe Stadiumi Pleçnik, Ljubljanë, SLLOVENI

Aleanca për Teatrin sqaron së përzgjedhja e 7 vendndodhjeve bëhet mbi këto kritere:

1. Domethënie e jashtëzakonshme e trashëgimisë dhe vlerës kulturore të secilës prej vendndodhjeve

2. Rreziku i afërt që iu kanoset

3. Potenciali i këtyre vendndodhjeve për të vepruar si katalizator për zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik në lokalitetet e tyre dhe më gjerë, në rajonet përkatëse.

“Bazuar në këtë përzgjedhje, tashmë Teatri Kombëtar njihet ndërkombëtarisht si një sit i trashëgimisë historike dhe kulturore jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Europës”, thekson Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Aleanca sjell në vëmendje përpjekjet e palëve të interesuara shtetërore dhe private që u angazhuan për të mbrojtur godinën e Teatrit, nga protesta që vazhdon prej dy vitesh, tek marrja e ndërtesës në administrim prej një grupi artistësh.

“Angazhimi i komuniteteve lokale dhe i grupimeve të interesit publik dhe privat për të shpëtuar Teatrin Kombëtar ka qenë dhe është madhështor.

Aksione të qarta që e kanë dëshmuar këtë angazhim u vlerësua të ishin:

1. Protesta për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar që ka mbi dy vjet që zgjat, nga këto një vit e gjysëm çdo ditë dhe që prej 17 Korrikut të këtij viti 24 orë në 24,

2. Marrja e ndërtesës në administrim që prej 24 Korrikut pas përplasjes me Policinë, nga një grup artistësh, aktivistësh dhe qytetarësh të cilët organizuan Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit në kuadrin e të cilit janë organizuar mbi 65 ngjarje artistike që përfshijnë shfaqje teatri me trupa nga Shqipëria, Kosova, Austria, Gjermania, Italia, Franca, Amerika, koncerte të ndryshme muzikore, takime profesionistësh për tema të ndryshme që kishin lidhje me vlerat e Teatrit Kombëtar dhe rrezikun për shembjen e pajustifikueshme e të Teatrit Kombëtar, ngjarje të cilat i dhanë kështu hapësirës së Teatrit Kombëtar një përmasë me vlera jo vetëm kombëtare por edhe europiane”, thuhet në deklaratën e Aleancës së Teatrit Kombëtar.

Të fundit