Flash News

KRYESORE

Fituesit dhe humbësit e Kupës së Botës; në fushë dhe jashtë saj

Fituesit dhe humbësit e Kupës së Botës; në fushë

Revista Time

Është e lehtë të kuptosh se kush fiton ose humb në fushën e futbollit; pyetja e vërtetë është se kush fiton ose humbet jashtë saj. Ndërsa Kampionati Botëror lëviz nga faza e grupeve në raundin me eliminatore, ja një vështrim mbi fituesit dhe humbësit e mëdhenj (politikisht) të turneut deri tani.

Fitues: Rusia

Përtej suksesit të papritur të skuadrës ruse në fushë (pavarësisht se ishte ekipi i kuotuar më ulët i turenut), ajo arriti të përparojë në raundin e dytë dhe më pas në çerkefinale, pritësit e Kupës së Botës janë deri më tani duke ofruar atë përvojë që premtuan kur morën përsipër organizmin e Kampionatit në vitin 2010. Turneu nuk ka patur ndonjë polemikë të rëndësishme që ka të bëjë me Rusinë, dhe tifozët vendas dhe të huaj të futbollit (pritet që rreth 1 milion nga këta të fundit të vizitojnë deri më 15 korrik), duket se po shijojnë udhëtimin.

Po kështu, edhe Presidenti rus Vladimir Putin. Ai ka përdorur Kupën e Botës për të ekspozuar një paradë të udhëheqësve botërorë, përfshirë princin mbretëror saudit Mohammed bin Salman, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae In; Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu dhe udhëheqësi palestinez, Mahmud Abaz gjithashtu janë ftuar të vijnë. Putin gjithashtu përdori euforinë dhe ngopjen e mediave me Kupën e Botës për të kaluar në heshtje një rritje në moshën e daljes në pension të rusëve, nga 60 në 65 vjeç.

Fitues: Çeçenia

Një përmendje të veçantë e meriton edhe Çeçenia, një rajon rus, i kryesuar nga një udhëheqës dorëfortë dhe besnik i Putinit, Ramzan Kadyrov. Asnjë lojtar nuk u shoqërua nga një zhurmë më e madhe në rrugën drejt turneut se sa Mohamed Salah, sulmuesi egjiptian që luan për Liverpulin. Çeçenia luajti rolin e pritësit të ekipit kombëtar egjiptian në Grozny, një mundësi e mirë për Kadyrov-in, një njeri i cili bën mirë punën e përdorimit të famës së të mëdhenjve. Salah është një musliman i detvotshëm, i vetëdijshëm për profilin e vet social, si në Mbretërinë e Bashkuar edhe jashtë vendit, dhe dikush që bën gjithçka për të shmangur politikën. Po të kishte një zgjedhje ai do të flinte gjatë gjithë turneut. Kur mori vesh se Salah kishte vendosur të shmangte një prej seancave stërvitore me skuadrën, për të pushuar pak më shumë, Kadyrov personalisht shkoi në hotelin e Salahut dhe e solli atë në fushë; me sy të përgjumur ai përshëndeti shtypin dhe tifozët.

Sikur kjo të kishte qenë e gjitha.  Kadyrov më vonë e zuri në beft Salahun duke i dhënë papritur titullin Qytetar Nderi i Çeçenisë, në një darkë të organizuar një natë para ndeshjes së fundit në grup të Egjiptit, gjë e detyroi Salah të mendonte tërheqjen si të vetmen mënyrë për të shmangur politikanët.

Humbës: Irani

Për Iranin kanë qenë ca muaj të vështirë. Vendimi i Presidentit Donald Trump për ta tërhequr Amerikën nga marrëveshja bërthamore me Iranin, pati efekt të menjëhershëm në ekipin iranian: një javë përpara fillimit të Kupës së Botës, Irani u informua se Nike nuk do t’i prodhonte uniformat e skuadrës, si rezultat i sanksioneve amerikane. Sa i përket Trumpit, ata mund të vishen me Adidas.

Po të flasim politikisht, vendimi i Trump i dha një goditje serioze Presidentit të moderuar të Iranit, Hassan Rouhani dhe fuqizoi skifterët, të cilët vazhdimisht paralajmërojnë se SHBA nuk mund të besohet. Rivendosja e sanksioneve (më shumë në vijim) ka filluar të godasë ekonominë e vendit dhe monedha iraniane ka rënë me 50 përqind krahasuar me dollarin gjatë 12 muajve të fundit. Protestat kanë shpërthyer në të gjithë vendin, megjithëse autoritetet i kanë mbyllur shpejt. Iranianëve mund t’u hynte në punë një prezantim i mirë në Kupën e Botës, në mënyrë që të hiqnin pak nga frustrimi kombëtar; gjë që nuk ndodhi, pasi ata i shkuan shumë afër kualifikimit, por nuk ia dolën.

Fitues: Kosova

Duhet talent për të qenë fitues politik në një turne ku nuk merr pjesë, por Kosova e vogël – ekipi i së cilës u njoh zyrtarisht nga FIFA në vitin 2016- ia arriti.

Në ndeshjen e javës së kaluar midis Zvicrës dhe Serbisë, dy nga emrat më të mëdhenj në anën zvicerane, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, janë shqiptarë etnikë me prejardhje nga Kosova: secili shënoi nga një gol në fitoren 2-1 të Zvicrës, dhe të dy festuan duke vënë duart në formën e një shqiponje dykrenare, simboli tradicional i identitetit etnik shqiptar. Serbia nuk ishte e kënaqur dhe as FIFA që i gjobiti dy lojtarët me 10,000 franga zvicerane secilin për një gjest politik në fushën e lojës.

Trajneri serb, në komentet pas ndeshjes, tha se gjyqtari duhet të dërgohet në Hagë: "ta vënë edhe atë në bankën e të akuzurave siç bënë me ne". Kjo i kushtoi atij një gjobë prej 5,000 frangash zvicerane. Megjithatë, Presidenti i Kosovës u përpoq të qetësonte tensionet: "Ky simbol nuk është simbol që vrau njerëzit. Nuk është simbol i një sulmi ndaj askujt. Është simboli i një zogu. Kështuqë i urojmë Zvicrës fluturim drejt suksesit”. Nuk është diplomaci e keqe për një vend që nuk ka ekzistuar për më shumë se një dekadë.

Humbës: Gjermania

Mbrojtja e titullit të Kupës së Botës nga Gjermania nuk zgjati shumë: skuadra më e rankuar para turneut u rrëzua që në raundin e parë. Të paktën ekziston një precedent historik për humbësit: në 4 nga 5 finalet e fundit, fituesit e Kupës së Botës (Franca në 1998, Italia në 2006, Spanja në 2010 dhe Gjermania në 2014) nuk arritën të mbijetonin në fazën e grupeve të turneut pasues. Kërkimet në Google për fjalën "schadenfreude"(gjermanisht për ‘kënaqësi nga vuajtja e tjetrit’) kanë qenë të larta gjatë ditëve të fundit.

Humbës: Këshilli i Bashkëpunimit të (vendeve) Gjirit

Arabia Saudite ishte skudra e dytë nga fundit në renditjen e ekipeve në turne. Katari nuk arriti të kualifikohet, edhe pse do të presë Kupën e Botës 2022. E megjithatë, këto dy fuqi të Lindjes së Mesme, fqinjët dhe rivalët e tanishëm gjeopolitikë (sauditët po kryesojnë një bllokadë kundër Katarit, të cilin akuzon për mbështetje të terrorizmit), vazhduan të kapnin titujt kryesorë gjatë raundit hapës të turneut. Dhe, jo vetëm për shkak se Arabia Saudite po përgatitet të ndërtojë një hendek përgjatë kufirit të saj prej 38 miljesh me Katarin, për ta kthyer atë në një ishull-seriozisht.

Katari, i cili ka të drejtat ekskluzive të transmetimit të ndeshjeve të Kupës së Botës në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, akuzon një kanal, që thotë se është i bazuar në Arabinë Saudite, për ritransmetim të ndeshjeve nëpërmjet feeder-it të tij. Katari titroi një paralajmërim gjatë çdo ndeshjeje duke informuar shikuesit se ata po ndiqnin pamje të piratuara; stacioni (i hamendësuar) saudit mbivendosi shkronjat e veta mbi titrat e Katarit. Ministria e Informacionit e Arabisë Saudite mohon se stacioni është i bazuar në Mbretërinë saudite, dhe tani FIFA është përfshirë.

 

Të fundit