Flash News

KRYESORE

Fleckentein mohon akuzat se është "blerë" dhe flet për prapaskenat e propozimit të detyrës si këshilltar i Gramoz Ruçit

I ftuar në "Kjo javë" me Nisida Tufën në Neës24 është ish-raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin e BE dhe ish-eurodeputeti Knut Fleckenstein, i cili tashmë është këshilltar i kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit.

Ai ka folur për prapaskenat e propozimit të detyrës si këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Ai po ashtu ka folur dhe për akuzat që Fleckenstein është "i blerë".

Pjesë nga intervista:

Nisida Tufa: Kush ua bëri propozimin?

Fleckenstein: Ishte një ftesë nga ana e kryetarit të Kuvendit.

Nisida Tufa: E pranuat menjëherë ftesën apo kishit dyshime?

Fleckenstein: Po, veçanërisht sepse të jesh këshilltar për parlamentin duhet të jesh këshilltar i kryetarit të Kuvendit, por edhe të grupeve parlamentare sigurisht. Kjo ndihmon ndoshta të mos shihet si e njëanshme.

Nisida Tufa: Si është të punosh me z. Ruci. Edhe pse puna ende s’ka filluar. A keni ju një parashikim për të?

Fleckenstein: E kemi diskutuar këtë javë sesi mund të jetë një detyrë e tillë. Sigurisht kam diskutuar edhe me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, por edhe me kreun e PD Lulzim Basha. Kam disa ide, këshilla për të diskutuar me parlamentin për këtë proces, të nxis zhvillimin të jem sa më konstruktiv të jetë e mundur, të hapim diskutime me shoqërinë civile dhe besoj se ka shumë gjëra për t’u bërë por tek e fundit tashmë nuk jam më reporter, jam thjesht këshilltar.

Nisida Tufa: Ju vjen keq që tashmë nuk jeni më pjesë e Parlamentit Europian?

Fleckenstein: Po, patjetër. Tashmë po mësohem me jetën e re. Isha paksa i zhgënjyer sepse më pëlqenin çështjet për Ballkanin Perëndimor, por sigurisht ka ende njerëz të mirë në PE që mund të vijojnë ta bëjnë këtë punë mjaft mirë. Kështu që jam mendje hapur lidhur me këtë dhe e di që gjithçka është në duar të mira, duhet të përpiqemi të gjithë të ecim hap pas hapi në rrugën e duhur.

Nisida Tufa: Si do t’i përgjigjeshit akuzave të disa kritikëve që pas marrjes së detyrës tuaj këtu në Tiranë, vënë në dyshim deklaratat e tua të mëparshme?

Fleckenstein: Kjo varet nga çfarë doni të thoni. E di që disa politikanë në këtë vend nuk janë dhe shumë të kënaqur me mua, sepse duhet t’i kisha nxjerrë më në pah sipas tyre gabimet e qeverisë, por kam takuar disa prej tyre edhe tani, por dua t’i tregoj se e gjitha bëhet për Shqipërinë për institucionet apo për parlamentin. Dhe kjo është një prej intervistave të mia të fundit që do të bëj, sepse mendoj se do të bëj një punë të mirë, nëse do të qëndroj prapaskene. Unë nuk kam asnjë përgjigje për disa komente të paqena ‘se më kanë blerë’ apo diçka të tillë, pasi nuk janë aspak të vërteta.

Nisida Tufa: A e konfirmon posti juaj i ri, atë c’ka është dëgjuar më shpesh se keni qenë i njëanshëm gjatë kohës që ishit reporter për Shqipërinë?

Fleckenstein: E pranoj faktin që njerëzit kanë mendime të ndryshme, madje ka nga ata që mund të thonë që unë e kam gabim, kjo është diçka për të cilën unë mund të diskutoj me ta, të jap argumentet e mia, t’i bind madje, por këto akuza janë totalisht pa kuptim, nuk mund të më blejnë mua dhe këtë nuk e kam dëgjuar asnjëherë nga njerëz serioz, kështu që nuk më ndikojnë aspak fjalët e këtyre kritikëve, sepse janë totalisht të pavërteta. Mund të më thuash gjithçka për mua, që mund ta kem gabim por ‘të më blesh’ mua kjo është totalisht pa kuptim. Në asnjë mënyrë.

Të fundit