Flash News

KRYESORE

Flet eksperti Trajçe: Rama ndau videon e flamingove në Nartë, pak më larg do firmosë projektin shkatërrimtar për ta

Bota është përballur prej disa muajsh me pandeminë Covid-19, duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të mëdha në ekonomonë globale.

Por, nga ana tjetër, kjo periudhë ka reflektuasr edhe disa anë pozitive për natyrën, e cila në vetëm pak kohë izolimi dhe karantimi na ka përcjellë mesazhe të forta për njerëzimin.

Së fundmi, një video spektakolare e flamingove në Lagunën e Nartës, e shpërndarë edhe nga kryeministri Edi Rama bëri xhiron e botës, imazhe që nuk ishin parë prej kohësh në vendin tonë.

Por, si shpjegohet në këndvështrimin e ekspertëve kjo ripërteritje e natyrës?

Aleksandër Trajçe, eskpert i njohur i mjedisit në Shqipëri në një intervistë për Politiko.al tregon se si ndikon kjo periudhë karantimi te bota e egër.

Sipas ekspertit, gjatë kësaj kohe janë raportuar edhe aspekte negative si gjuetia e paligjshme në zonat e thella malore, për shkak se autoritetet tashmë janë më të përqëndruara në masat kufizuese të pandemisë që ka prekur edhe vendin tonë.

Po ashtu, ai përcjell edhe një tjetër mesazh lidhur me infrastrukturën gri siç e cilëson ai, sidomos në vendet turistike.

Gjatë këtyre ditëve, pamë një spektakël flamingosh mbi ujërat e Lagunes se Nartës, në këndvështrimin tuaj si specialist si shpjegohet ky gjallërim i botës së egër sapo njerëzimi është izoluar në karantinë?

Pandemia ka limituar në mënyrë të ndjeshme lëvizjen e njerëzve dhe një nga të mirat e pakëta që ka sjellë, ka qenë qetësia për faunën e egër të shumë llojeve, që nuk kanë qenë nën presionin e zakonshëm të njeriut. Normalisht, në shumë vende nuk ka qenë shumë e zakonshme të ketë kaq shumë shpendë, e tashmë po vëzhgohen shumë lloje që kanë qenë aty, por më të kujdeshme për t’ju shfaqur njeriut.

Edhe flamingot janë një lloj që ka qenë prezent prej kohësh në lagunë, por nga qetësia e shtuar tanimë është më e lehtë t’i vëzhgosh në tufa.

Shpresojmë që kjo qetësi të sjellë folezimin e tyre në Nartë, pasi në të kaluar ka patur tentativa për foleziminin e tyre, por nuk ka patur sukses nga prania e njerëzve. Shpresoj që kjo qetësi e krijuar do jetë një lajm i mirë për të ardhmen e tyre.

Veç flamingove që pamë, a ka raste të tjera të shpendëve apo kafshëve që kanë shfaqur një lloj ripërtëritje?

Po, gjatë kësaj periudhe kemi marrë shumë raportime, ku janë vërejtur disa lloje që janë prezent, por më të fshehtë ndaj syrit të njeriut në kushte të aktivitetit normal njerëzor, si rasti i arinjve që janë parë shumë afër qendrave të banuara, derrave të egër, të cilët janë parë edhe gjatë ditës me sy të lirë, është rasti i një kaprolli duke kaluar lumin e Vjosës ku dhe fshatrat janë shumë afër me njerëzit, pasi po ndjejnë qetësinë e nevoshme për të qenë në levizje.

Po ashtu, është vërtetuar prezenca e rreqebullit në Malësinë e Librazhdit dhe riprodhimi i tyre.Është një shenjë e mirë, pasi tregon se ka një minipopullatë që ka qenë e rrezikuar dhe mund të themi deri diku kjo kohë e ka favorizuar, megjithatë duhen studime të mëtejshme për ta vërtetuar këtë më mirë.

Si po ndikon kjo periudhë karantinimi për faunën dhe florën në Shqipëri, duke patur parasysh edhe problemet e ngritura shpesh herë në media si prerja e pyjeve, peshkimi apo gjuetia pa kriter?

Qetësia e ka ndihmuar jetën e egër dhe po krijohet ky iluzioni sikur gjithcka është në rregull. Ka shenja që fauna po përmirësohet, por pavarësisht kufizimeve të lëvizjes dhe karantinës, është parë edhe një anë tejet negative gjatë kësaj periudhe. Kemi patur raportime se gjuetia e paligjshme ka vijuar në disa zona, kryesisht në ato të thella malore në Kukës dhe në Kolonjë.

Gjuetarët e paligjshëm kanë vijuar të pashqetësuar aktivitetin e tyre, duke përfituar nga fakti se autoritetet tani janë më të fokusuar te masat ndaj pandemisë, duke shkaktuar një dëm të madh me vrasjen e kafshëve të egra.

Nga ana tjetër, edhe për ne është e vështirë të vijojmë punën tonë për shkak të lëvizjeve të kufizuara, por kemi patur raportime në terren.

Edhe prerja e pyjeve pa kriter ka vazhduar, ndonëse në një shkallë më të vogël, ndërsa për peshkimin besoj se në këtë kohë do krijohen më shumë kushte shumimi pa qenë nën presionin e gjuetisë, periudhë që do të ndihet më shumë në të ardhmen nga peshkatarët.

Si ndikon në fushën e turizmit kjo situatë?

Lëvizja është thelbi i të bërit turizëm. Shumë biznese pro ruajtjes së natyrës u goditën nga kjo kohë si eko-turizmi, guidat malore, bujtinat, por sërish deri diku ky frenim kontribuon në vendosjen e qetësisë ndaj natyrës me shpresë që kur situata të përmisohet, një menaxhimi i mirë të sjellë benefite më të mëdha.

Mund të përmendim zhvillimin  e infrastrukturës gri në bregdet, që sjell disavantazhe për natyrën dhe frenimi i saj është pozitv për natyrën.

Pamë para disa ditësh që kryeministri Rama ndau videon e flamigove, ndërkohë është po ai që do firmosë ndërtimin e aeroportit të Nartës, as disa metra larg atyre shpendëve, që do të jetë shkatërrimtare për ta nëse do shohim të ndodhë.

Mendoj se kjo kohë na ka bërë të gjithëve të refletojmë në raportin me natyrën, duke na dhënë mesazhe të fuqishme në vetëm pak javë izolimi për shkak të pandemisë, por edhe impaktin që paskemi patur ne ndaj saj.

Politiko.al/ S.Gj

Të fundit