Flash News

KRYESORE

Flet nga karantina shqiptarja në Itali: Si arrita të largohem nga Tirana me kufij të mbyllur

Flet nga karantina shqiptarja në Itali: Si arrita të largohem nga

Nga karantina në Shqipëri, në një tjetër izolim të detyrueshëm në Itali. Luljeta Prapa, nuk është e vetmja shqiptare në Italinë fqinje që po përballet me masa të tilla prej pandemisë globale ‘Covid-19’.

Në një rrëfim për politiko.al, Luljeta tregon si arriti të largohej nga Shqipëria në kohën kur qeveria ‘Rama’ mbylli kufijtë, si masë parandaluese ndaj coronavirus-it që tashmë kishte nisur të kërcënojë edhe vendin tonë, ndërsa në të njëjtën kohë, Italia po përballej me një luftë të ashpër me atë që cilësohet si ‘armiku i padukshëm’.

Fizikisht në Tiranë dhe me mendjen te i biri që kishte lënë vetëm për pak ditë tek të afërmit në Itali, shqiptarja tha se fati i buzëqeshi kur arriti tw sigurojw një udhëtim përmes ambasadës italiane në Shqipëri.

Luljeta, ju jetoni në Trieste, më pershkruani situatën atje sa i takon masave ndaj coronavirusit...

Jetoj në Trieste dhe për momentin ndodhem në ditën e pestë të karantinës, sepse sapo jam kthyer nga Shqipëria. Gjendja këtu dhe si kudo tjetër në Itali është shumë e rëndë, vështirë të përshkruhet.

Tashmë, prej disa javësh çdo gjë është mbyllur veç supermarketeve dhe farmacive, si shërbimet më jetike. Unë siç e thashë, nuk mund të dal dhe sa i takon ushqimeve dhe çdo gjë që kam nevojë, më ndihmon im vëlla, të gjitha blerjet mi sjell deri në derë të shtëpisë.

Çfarë masash kanë marrë autoritetet e zonës dhe me sa keni parë, sa zbatohen ato?

Në fakt, këtu një person i familjes autorizohet online nga Ministria e Brendshme. Printon një autocertifikatë dhe ka të drejtë të dalë vetëm për domosdoshmëri në çdo orë të ditës, nuk ka kufizime oraresh, ndërsa të dielën të gjitha mbyllen, veç farmacive.

Thatë që prej 5 ditësh jeni në karantinë pas kthimit nga Shqipëria. Po në Tiranë, a e  zbatuat këtë masë? A ju kontaktuan autoritetet e policisë që të qëndronit detyrimisht në shtëpi pas ardhjes nga Italia?

Ditët e para jo sepse unë erdha në Shqipëri për çeshtje dokumentesh, por në momentin që doli urdhri, sigurisht që po.

Mua nuk më ka kontaktuar askush në telefon për qëndrimin në karantinë, ndersa kunatën time, e cila po ashtu erdhi në Tiranë pak ditë pas meje, po. Nga e gjithë kjo situatë mendoj se fluturimet për në Shqipëri nuk duhet të ishin lejuar që në momentin kur rastet sa vinin e shtoheshin në Itali, një vend ku për shqiptarët është si një atdhe i dytë.

Sa e vështirë ka qenë për ju të kalonit nga karantina në Shqipëri në një tjetër karantinë të detyrueshme në Itali?

Shumë e veshtirë. Një ndër momentet më të veshtira për mua dhe tim shoq është kufizimi për të parë djalin tonë të vogël. Po kalojnë tri javë që tim bir, të cilin para se të vija në Shqipëri për pak ditë e lashë në Itali te të afërmit e mi, e shoh vetëm virtualisht.

Sigurisht, ai ende nuk e di që ne jemi kthyer në Itali dhe jemi të detyruar të qëndrojmë në izolim për dy javë, pasi kjo vështurësi do të shtohej më shumë edhe për atë vetë.

Si reagonin të afërmit apo të njohur të tjerë gjatë qëndrimit në Tiranë kur mësonin se sapo kishit ardhur nga Italia e prekur me Covid-19?

S’e kam ndjerë veten aq shumë në siklet sa kësaj here. Jam ndjerë keq pasi ndryshe nga herët e tjera, kur na prisnin krahëhapur, këtë herë largoheshin si me pahir. Nga ana tjetër, edhe unë isha mirëkuptuese, ndonëse në kohën kur erdha në Tiranë, më 4 mars, në Trieste nuk ishte shënuar zyrtarisht ende asnjë rast i prekur me Covid-19.

Po sot, si është situata?

Me sa kam mësuar nga mediat, deri tani janë konfirmuar poztivë  930 banorë dhe 54 viktima.

Italia është aktualisht vendi më i goditur në botë nga Covid-19, ku çdo ditë raportohen qindra viktima. A keni frikë nga gjithë kjo situatë?

Frikë jo, kujdes po, po citoj një nga frazat më të shpeshta të këtyre ditëve.

Pas ardhjes në Tiranë, kufijtë u mbyllën, si vepruat për t’u kthyer në Itali?

Ne erdhëm për pak ditë dhe për shkak të përhapjes me shpejktësi të virusit, kufijtë u mbyllen dhe mbetëm në Shqipëri. Ankthi im më i madh si nënë ishte frika për djalin. Megjithatë, bëmë shumë përpjekje për të gjetur një mënyrë largimi.

Fillimisht u nisëm me autobus nga Kroacia, por në doganën e Muriqanit në Shkodër na kthyen dhe nuk na lanë të kalonim. Na thanë që qeveria shqiptare i ka mbyllur kufijtë, kështu që ishte e pamundur.

Ne vijuam përpejkjet. Im shoq kontaktoi me e-mail ambasadën italiane në Shqipëri dhe për fat ata ju përgjigjën. Arritëm të gjenim një fluturim në bashkëpunim me Albaëings. Fluturimi ishte Rinas-Romë që në 06.00 të mëngjesit, por më pas na u desh të ndërronim disa linja trenash për të mbërritur në shtëpi në mesnatë.

Kur mbaron periudha juaj e karantimit?

Në 2 prill, ditë që po më duken si vite, pasi mezi po pres të bashkohem me tim bir në këto ditë të vështira pandemie që po kalon jo vetëm Italia, por i gjithë planeti.

 

Të fundit