Flash News

KRYESORE

Flet nga spitali vajza që u plagos aksidentalisht gjatë arrestimit të Orges Bilbilit: Dola për pazar, u qëllova me dy plumba

Flet nga spitali vajza që u plagos aksidentalisht gjatë arrestimit

Flet nga spitali vajza me inicialet M.P. e cila dje mbeti e plagosur gjatë përplasjes së Orges Bilbilit, i shumëkërkuari nga drejtësia shqiptare, më policin e ‘Shqiponjave’ në zonën e ‘Xhamllikut’ në Tiranë.

Në një intervistë për ‘News 24’, vajza tregoi se ka marrë dy plumba, një në këmbë dhe një në krah, teksa priste në radhë para marketit të zonës për të bërë pazarin.

Ajo tregoi se kur ka dëgjuar të shtënat është përpjekur të fshihej, por është penguar me një person tjetër dhe aty e kanë kapur plumbat e policisë.

“Në momentet kur po prisja jashtë, nga cepi i marketit, te një rrugicë, u dëgjua një zhurmë si kapsollë dhe s’i vura veshin, se nuk ma mori mendja të ndodhte diçka e tillë në mes të ditës. Në momentin që pashë se dolën nga rrugica dy vetë, njëri me të zeza, tjetri nga pas që gjurmonte me vrap, u vura në siklet dhe u mundova të futesha te dyqani, por nuk futesha dot, se kishte shumë njerëz.

E dija se aty isha më afër dhe do më kapte më keq. Ngjitur me marketin është një mur i vogël dhe thashë të fshihem aty, se mbase s’më kap.

Në ato momente, djalit i bie pistoleta në tokë, unë ktheva kurrizin dhe u pengova me një zotëri, kur më qëlloi, por nuk e pashë kush më qëlloi. Kam marrë një plumb te këmba, që ka dhe gjakderdhje, mbrapa kofshës, dhe një pas krahut, që thonë është qorr, ka kaluar shkarazi. Kam shumë dhimbje, jam e shqetësuar. Mjekët thonë se nëse plumbi ikën nga aty, ka burim infeksioni”, tregon vajza.

Policia sqaroi pas ngjarjes se në pranga u vu Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, pasi ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes.

Policia sqaron se Bilbili, i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë, ndërsa punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë.

Në këto rrethana punonjësi i Policisë, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë, dhe aksidentalisht edhe vajza.

Nga verifikimet rezulton se Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës.

Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”.

 

Të fundit