Flash News

KRYESORE

Flet vëllai i shkodranit që vari veten pas arrestimit: Biseda e fundit me të, çfarë i bënë në polici

Flet vëllai i shkodranit që vari veten pas arrestimit: Biseda e

Vetëvaret sapo kthehet nga Komisariati i Policisë së Vaut të Dejës, ku ishte shoqëruar si i dyshuar për një vjedhje. Ngjarja ndodhi dje në fshatin Barbullush. Viktima Ardian Kallami, 47 vjeç, u gjet nga familjarë të tij i vetëvarur pas banesës së tij.

Ata akuzojnë si shkaktarë të kësaj ngjarje Policinë, e cila, sipas tyre, e ka detyruar atë nëpërmjet dhunës, që të pranojë një krim që nuk e kishte kryer. Sipas Zef Kallamit, vëllai i tij Ardiani ishte i dyshuar për një vjedhje afër banesës së tij në fshat.

Për dy-tri ditë është shoqëruar disa herë në Polici për të dhënë dëshminë e tij, por gjatë marrjes në pyetje, sipas tij, Policia e ka dhunuar fizikisht e madje e ka detyruar atë të nënshkruante sikur e kishte kryer vjedhjen, teksa, në fakt, sipas tij, i vëllai nuk dinte të shkruante dhe as të lexonte.

“Ka ardhur Policia të shtunën dhe e ka marrë teksa ishte duke u marrë me bagëtitë. Ka qenë ora 07:30 në mëngjes dhe e kanë mbajtur deri rreth orës 15:00. Kam shkuar dhe i kam dërguar një cigare brenda në paraburgim. Aty e pyeta vëllain nëse e kishte bërë ai grabitjen. Ai m’u betua se s’kishte asnjë lidhje. Atëherë, i thashë, duro se nuk mund të mbajnë kot dhe se kanë për të nxjerrë jashtë. Duke folur me të, më tha se një prej shefave e ka goditur. I kishte dhënë një goditje në fyt dhe më tha se ky shefi po më rrënon sa herë që vjen. Përsëri të dielën e kanë marrë dhe kam komunikuar me të. Ka folur edhe djali im, që erdhi nga Italia, dhe i kemi thënë qetësohu se asgjë s’do ndodhë. I kishin marrë shenjat e duarve dhe gjithçka. Sot (të hënën), ai duhej që të ishte në burg, por ndodhi kjo që nuk e prisnim asnjëherë. E shoqëruan dhe i kanë dhënë një letër për ta firmosur, se vëllai nuk dinte as të lexonte, as të shkruante dhe ai shefi ka shkruar në atë letër çfarë ka dashur. Më pas e kanë firmosur. Këtë letër na e dha Policia më vonë, si për të na thënë se pretendimet tona ishin të kota, pasi ai e kishte pranuar krimin”, u shpreh dje Zef Kallami, vëlla i viktimës.

Ai kërkon drejtësi, ndërsa thotë se Policia po e çon këtë familje te krimi. “Unë kërkoj drejtësi se po na bëjnë që të bëhemi kriminelë. Nuk është vështir të bëhesh kriminel, vështir është të jesh njeri i mirë. Vetëm te Zoti kam shpresë e besim se do zbardhet se te shteti jo, shteti e mbyti. E kanë goditur në fyt, kishte shenja dhune”, u shpreh më tej vëllai i 47- vjeçarit të vetëvarur./panorama/

 

 

 

 

Të fundit