Flash News

KRYESORE

“Fola edhe me Blerinën...”/ Përgjimet e Prokurorisë ekspozojnë 4 deputetë të PS: Farsë me konkurset në administratë

Është publikuar sot një pjesë e dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda ku hetohet ish-drejtori i Burgjeve, Arben Çuko. Në dokumentetat e publikuara nga ‘Zëri i Amerikës’ ekspozohet farsa e konkurseve publike dhe ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama.

“Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes një duzine përgjimesh dhe mesazhesh të shkëmbyera tregojnë se telefonata të ngjashme mbi punësimet apo transferimet e punonjësve në sistemin e burgjeve ishin pjesë e rutinës së përditshme të punës së ish-drejtorit Arben Çuko. Zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe të zgjedhur vendorë janë përgjuar ndërsa shëmbenin trafik influence dhe kërkonin favore për punësime apo transferime nisur nga lidhjet partiake apo personale, dhe jo mbi bazën e meritës. Përgjimet ekspozojnë gjithashtu se si një konkurs për rekrutime masive në policinë e Burgjeve u kthye në një fushatë punësimi për militantët socialistë apo njerëzit e lidhur me pushtetin-një fenomen ky i përhapur në administratën publike në Shqipëri”, raporton kjo media.

Të përfshirë në këtë skandal rezultojnë deputetët Blerina Gjylameti, Ulsi Manja, Klodiana Spahiu dhe Paulin Sterkaj.

Dosja e Krimeve të Rënda/ Punësim në Drejtorinë e Burgjeve me urdhër të kabinetit të Ramës

Pjesë nga artikulli i Zërit të Amerikës:

Komunikimet e përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda tregojnë se deputeti socialist, Ulsi Manja i kërkonte Çukos transferimin e një punonjësi të policisë së burgjeve nga Kruja në Tiranë dhe një çështje të ngjashme diskuton edhe deputetja e Durrësit, Klodiana Spahiu.

Blerina Gjylameti përmendet në një bisedë të Çukos me një person të tretë për ndërhyrjen në punësimin e një personi të lidhur me Partinë Socialiste, ndërsa Paulin Sterkaj ankohet për transferimin e një policeje me origjinë nga Tropoja, nga burgu 313 te “Ali Demi”.Zonja Spahiu, deputete e qytetit të Durrësit shpjegoi se e kishte telefonuar Çukon për një rast, që sipas saj ishte transferuar politikisht nga Durrësi.

“Ai ishte me prindër të sëmurë dhe punonte shumë larg banesës së tij. Ai kërkonte të drejtën e tij, pasi ishte transferuar vetëm për shkak të bindjeve të majta,” tha Spahiu duke shtuar se nuk është e sigurtë nëse transferimi u bë.

Edhe zoti Sterkaj pohoi se i ishte drejtuar Çukos për t’i përcjellë një ankesë mbi transferimin e padrejtë të një punonjëseje të policisë së burgjeve.

“Sa herë marr ndonjë ankesë, unë reagoj sa është e mundur. Pastaj është çështje e institucioneve nëse veprojnë ose jo,” tha zoti Sterkaj, duke shtuar se punonjësja në fjalë ishte edhe “e djathtë”.

“Unë shqetësohem për hallet e njerëzve sa herë shoh padrejtësi, pa pyetur nëse janë të majtë ose të djathtë. Ne kaq kemi në dorë, se të tjerat i ka kryeministri,” shtoi më tej Sterkaj.

Deputetja Gjylameti tha se nuk komentonte “çështje që janë në hetim nga Prokuroria”.

Njësoj u përgjigj edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

“Nuk mund të komentoj të dhëna të dala nga një hetim penal në proces, që përbën sekret hetimor përsa kohë nuk janë shprehur organet kompetente,” tha Manja.

Dosja e Arben Çukos

Arben Çuko, një ish-komandant i Gardës së Republikës dhe ish-deputet i Partisë Socialiste u ngjit në krye të Burgjeve në korrik të vitit 2017, por vetëm disa muaj më pas u përfshi në hetimet e Prokurorisë, për shkak të komunikimeve të tij telefonike me anëtarët e një grupi kriminal për transferimin e një të dënuari.

Ai u shkarkua nga detyra pa mbushur ende vitin dhe në tetor 2018 u arrestua për korrupsion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Çuko i ka mohuar akuzat dhe ndodhet aktualisht në arrest shtëpie.

Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmoi se procedurat e punësimeve në Burgje janë në proces hetimi. Një drejtues i çështjes u rezervua megjithatë të komentonte nëse ishin marrë në pyetje persona të dyshuar për ushtrim ndikimi të paligjshëm.

Të fundit