Flash News

KRYESORE

‘Forcat e errëta kundër Shqipërisë’/ Ministret shqiptare i shkruajnë Holandës: Nuk kërkojmë të ndryshoni pikëpamjet tuaja

‘Forcat e errëta kundër Shqipërisë’/ Ministret

Katër ditë më parë, më 4 tetor qeveria holandeze zyrtarizoi qëndrimin e saj për sa i përket hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Holanda ju drejtua me anë të një letre Parlamentit ku theksonte se hapja e negociatave me Shqipërinë është e parakohshme.

Menjëherë pas kësaj, ka qenë Tirana zyrtare ajo që i ka dërguar një letër qeverisë Hollandeze.

Letra është firmosur nga gratë ministre të qeverisë shqiptare, të cilat theksojnë me krenari faktin se para pak ditësh OKB-ja e njohu Shqipërinë si njërën prej 5 vendeve të globit me kabinetin gjinor më të balancuar.

“Tetë nga 15 ministritë në Qeverinë shqiptare drejtohen nga gratë; si nëna dhe vajza, si gra që luftojnë për familjet tona dhe për vendin tonë, ne do të donim të shtronim me ju një çështje që na shqetëson shumë të gjithëve, e cila ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët- perspektiva evropiane e vendit tonë”, thuhet në letër.

Ndërsa tregojnë për admirimin që Shqipëria ka për Holandën, si komb me tradita të mëdha dhe mjaft tolerant, ministret shqiptare theksojnë se Shqipëria ka një histori të ndryshme.

“Në rrugën e demokracisë ne hymë vetëm 30 vjet më parë, pas 5 dekadash të gjata e të errëta, si një lloj Koreje europiane e Veriut”, thonë ato.

Në letër ministret tregojnë për përparimet e jashtëzakonshme që janë bërë në këto 30 vjet, me gjithë vështirësitë në të cilat ka kaluar vendi ynë. Ministret i bëjnë gjithashtu thirrje ekzekutivit holandez për bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar.

“Shpresojmë ta kuptoni se sa e vështirë është beteja jonë, të cilën nuk mund ta fitojmë të vetëm, dhe disa nuk duan që ne ta fitojmë, përfshirë dhe një pjesë këtu në vendin tonë”, thuhet në letër.

Në përfundim të kësaj letre dërguar qeverisë holandeze, ministret shqiptare shkruajnë: “Dështimi i përpjekjeve tona për të çelur bisedimet e anëtarësimit është çmimi më i madh për këto forca të errëta. Ne nuk kërkojmë që të ndryshoni pikëpamjet tuaja, thjesht duam që të bashkoheni me kombet e tjera të Europës duke i shtrirë dorën Shqipërisë dhe të na lejoni t’i çojmë këto përpjekje tonat në të një tjetër nivel”.

Të fundit