Flash News

KRYESORE

Foto/ Cilat janë 7 vendndodhjet e Trashëgimisë Kulturore të Europës më të rrezikuara për 2020-ën, mes tyre Teatri Kombëtar

Europa Nostra, Zëri Europian i shoqërisë civile i angazhuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe organizata partnere e saj, Instituti i Bankës Europiane të Investimeve, kanë shpallur sot 7 Monumentet dhe Vendndodhjet e Trashëgimisë më të rrezikuara në Europë për vitin 2020.

Në këtë listë bën pjesë dhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë, me vlerësimin si një shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane të viteve 1930, i cili është një nga qendrat më të spikatura kulturore në vend dhe po përballet me rrezikun e afërt të shembjes.

Cilat janë 7 Sitet e Trashëgimisë Europiane më të rrezikuara për vitin 2020 dhe vlerat që ato mbartin

1. Kështjella Jezeří, Horní Jiřetín, REPUBLIKA ÇEKE

Kështjellë baroke, e cila ishte skena e shfaqjes së parë private të Simfonisë së 3-të të Bethovenit në vitin 1804, është në stad të përparuar degradimi.

2. Kështjella e Sammezzanos, Toskanë, ITALI

Ndërtesë historike tërheqëse me bukuri të stilit eklektik, tipike për modën Orientaliste të fundit të shekullit të 19-të, ka rënë viktimë e lënies pas dore dhe vandalizmit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

3. Blloku Y, Lagjja Qeveritare, Oslo, NORVEGJI

Ndërtesë Moderniste e viteve 1960, ku shquhen murale ikonike të Pikasos, u dëmtua nga sulmi terrorist në vitin 2011 dhe është caktuar tani të shembet.

 

 

 

 

 

 

 

 

4. Centrali elektrik Szombierki, Bytom, Poloni

Central elektrik Modernist i viteve 1920, kërcënohet nga rreziku i shembjes, në kundërshtim me disa përpjekje që bëhen për ta kthyer këtë vendndodhjen në çerdhe për industritë krijuese.

 

5. Fortesa e Beogradit dhe Rrethinat e saj, Serbi

Autenticiteti dhe integriteti i një fortese mbresëlënëse – përfshirë në Listën Paraprake të UNESCO-s si pjesë e vendndodhjes më të madhe transnacionale mbareuropiane të trashëgimisë botërore, Kufijve të Perandorisë Romake – kërcënohet nga një projekt i dëmshëm teleferiku.

6. Stadiumi Plecnik, Ljubljanë, Slloveni

Një nga ndërtesat më të hershme të këtij lloji në Europë, ndërtuar në vitin 1925, projektuar nga arkiteti i mirënjohur Jože Plečnik, është në rrezik që të humbë për shkak të zhvillimit të papërshtatshëm.

7. Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Tiranë, SHQIPËRI

Teatri Kombëtar i Shqipërisë, që është një nga qendrat më të spikatura kulturore në Shqipëri, njëkohësisht dhe një hapësirë e rëndësishme shoqërore e publike e kryeqytetit Tiranë, përballet tani me kërcënimin e prishjes së menjëhershme.

I ndërtuar në vitet 1938-39, Teatri është një shembull i shquar i arkitekturës moderne italiane të asaj periudhe dhe pjesë përbërëse urbane e boshtit qendror monumental të qytetit. Teknika e ndërtimit, e bazuar në përdorimin e paneleve të parafabrikuara me fibër druri të çimentuar, ishte pjesë e lëvizjes Autarkike në Itali dhe konsiderohet novatore për kohën e saj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ekspertët që përfaqësojnë Europa Nostra-n dhe Institutin e Bankës Europiane të Investimeve njoftojnë se së bashku me organizatat nominuese dhe partnerë të tjerë, do të vizitojnë vendndodhjet e përzgjedhura dhe do të takohen me palët kyçe të interesuara.

Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra, Prof. Dr. Hermann Parzinger shprehet se lista e 7 vendndodhjeve më të rrezikuara 2020 mbulon një shumëllojshmëri vendndodhjesh të trashëgimisë, që po përballen me lloje të ndryshme kërcënimesh serioze.

Të gjitha këto thesare të trashëgimisë tregojnë një histori europiane që është pjesë e kulturës dhe historisë sonë të përbashkët. Duke i vendosur ato në listën tonë ne u dërgojmë komuniteteve dhe aktivistëve përkatës një mesazh të fuqishëm solidariteti: përpjekjet tuaja për të shpëtuar këto vendndodhje mbështeten nga lëvizja jonë e gjerë e trashëgimisë europiane”, deklaroi Parzinger.

Ndërsa dekani i Institutit të Bankës Europiane të Investimeve, Francisco de Paula Coelho, u shpreh se programi 7 Vendndodhjet më të Rrezikuara luan një rol kritik në mbrojtjen e aseteve më të mëdha që ka Europa: diversiteti kulturor dhe trashëgimia kulturore.

Të fundit