Flash News

KRYESORE

Foto/ Kishte hapur bodrum brenda shtëpisë enkas për t’u fshehur, kush është i “forti” i Bulqizës që u arrestua nga RENEA

Fadil Tërnova, i konsideruar si i “forti” i Bulqizës dhe person me rrezikshmëri të lartë shoqërore është vënë më në fund në pranga.

Në operacionin për arrestimin e 32-vjeçarit është angazhuar edhe RENEA, ndërsa u kap i fshehur në një bodrum që kishte hapur enkas për t’u fshehur në një prej dhomave brenda shtëpisë së tij, i mbuluar me pllakat e dyshemesë.

Ky person ishte i shpallur në kërkim që prej vitit 2018, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosje për të mos kallëzuar krimin” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Për këto vepra penale, Gjykata e Shkalles së Parë Dibër i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Tërnova ishte dënuar për vrasjen e Shefqet Shehu  në vitin 2013, në qytetin e Bulqizës, i arrestuar e dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, si dhe i proceduar disa herë për vepra të ndryshme penale kundër personit si “Përndjekja”, “Kanosja”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik’’ dhe “Shkatërrim i pronës’’.

Gjithashtu dyshohet se është organizator dhe autor kryesor për disa raste të ndodhura më parë për “Shtrëngim për dhënie pasurie”.

Në 2017-ën, ai i shpëtoi një atentati të mirë organizuar, ndërsa nga arratia pati akuzuar policinë se po fsheh të vërtetën dhe nuk arreston kundërshtarët e tij.

Të fundit