FOTO/ U ekzekutua në mënyrë mafioze, kush ishte i moshuari që u vra në Fushë Prezë; dyshimet e para

Zbardhen detaje të reja nga vrasja me armë zjarri e 71-vjeçarit, Abdulla Budlla, banues në fshatin Hametag, Njësia Prezë. Mësohet se, trupi i pajetë i viktimës është gjetur jashtë makinës me të cilin lëvizte viktima.

71-vjeçari punonte prej vitesh taksist pa licencë në fshatin e tij, Hametaq, disa kilometra larg krimit, dhe njihej nga të gjithë si person jo problematik.

Policia thekson se rrethanat e ekzekutimit të 71-vjeçarit janë ende të paqarta, ndërsa janë ngritur pika të shumta kontrolli për kapjen e autorëve të krimit.

Po ashtu, bëhet me dije se në vendin e ekzekutimit të të moshuarit nuk ka kamera sigurie, çka e bënë edhe më të vështirë identifikimin e autorëve. Nga të dhënat paraprake mendohet se 71-vjeçari mund të jetë qëlluar nga një distancë 3-4 metra, ndërkaq nga mënyra e gjetjes së trupit dyshohet se diçka e ka ‘detyruar’ Budllën të dalë nga mjeti, qoftë kjo një pritë, një telefonatë apo diçka tjetër.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Me datë 03.08.2020, rreth orës 16:45, në Fushë-Prezë, në kryqëzim me rrugën e Rinasit, në rrethana ende të paqarta dyshohet se është vrarë me armë zjarri shtetasi A. B. 71 vjeç, banues në fshatin Hametaq, Njësia administrative Prezë.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje , ku kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Rinas -Fushë-Krujë, Rinas-Vorë -Tiranë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.