Flash News

KRYESORE

Fotoja që ka zgjedhur deputetja e Vlorës për të përshëndetur shqipen si gjuhë zyrtare të Maqedonisë

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës, Nada Meçorapaj, i është bashkuar njerëzve të politikës që kanë përshëndetur vendimin e qeverisë së Maqedonisë që shqipja të bëhet gjuhë zyrtare. Ajo ka zgjeddur një mënyrë origjinale për ta bërë këtë duke postuar një foto të delegatëve të Kongresit të Manastirit të vitit 1908 ku u mor vendimi për alfabetin e gjuhës shqipe. Meçorapaj e quan 'fitore kombëtare' zyrtarizimin e shqipes në Maqedoni, por shton se ndërkohë që kjo na bën të fortë si shqiptarë, nuk duhet të na bëjë arrogantë. Integrimi, vazhdon deputetja e djathtë, mbetet shansi më i mirë i shqiptarëve në Ballkan.

Statusi i plotë:

Shqipja jonë e bukur bëhet gjuhë zyrtare e Maqedonisë. Ky është një lajm i shkëlqyer, jo vetëm për vëllezërit tanë atje, por për të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan, dhe më tej për Diasporën, dhe çdo shqiptar kudo ku punon e jeton.

Si deputete e zgjedhur e Vlorës, një qyteti që e ke shenjuar historinë e Shqipërisë me aktin e Pavarësisë dhe shenjën e shenjtë të flamurit, e di se çdo të thotë 'pavarësia me anë të gjuhës' për tetovarët, shkupjanët, dibranët, gostivarasit, struganët etj., që të jenë edhe ata bartës të një akti të madh.

Urime përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Maqedonisë!

Urime popullit shqiptar! 

 Ndërkohë që kjo fitore kombëtare na bën më të fortë si shqiptarë, nuk duhet të na bëjë arrogantë. 

Integrimi mbetet sërish shansi më i mirë i shqiptarëve në Ballkan.

P.S. Në foto delegatët e Kongresit të Manastirit, ku u përcaktua alfabeti i gjuhës shqipe.

Të fundit