Flash News

KRYESORE

Fotoreportazh/ Protesta e kthyer në ritual. Një pasdite nën shi me ata që i thanë Qeverisë  ‘No pasaran’

Jona Kazani

Tashmë është kthyer në ritual. Vendimi i aktorëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve, për t’i dalë kundër projektligjit të Qeverisë për shembjen e shtëpisë së artit, Teatrit Kombëtar.

Çdo pasdite në orën 19:00, të moshuar e të rinj, të profesioneve të ndryshme, mblidhen përpara Teatrit Kombëtar për t’i thënë “Jo” zhbërjes së këtij objekti të trashëgimisë kulturore kombëtare ku kanë interpretuar artistë të mëdhenj, emrat e të cilëve përbëjnë panteonin e artit skenik shqiptar.

Aktorët janë të zemëruar e pak të shastisur.

Por në fytyrat e të pranishëmve në protesë, duket se ka lindur një ndjesi e re. Nuk e di në ka një emër, por është një alternim i nostalgjisë, dashurisë për artin dhe zemërimit. Ca në këmbë e ca të ulur përdhe, këmbëkryq e me duar të kryqëzuara, kanë zënë vend diku dhe dëgjojnë me vëmendje e vetulla të rrudhura.

Në momente kur mimika nuk thotë mjaftueshëm atë që ata duan të shprehin, ju vjen në ndihmë fjala. Kur aktorët dhe aktivistët dalin në skenë dhe flasin kundër shembjes së Teatrit, në pamundësi për të pohuar mjaftueshëm me kokë, ata përforcojnë me fjalë të tjera, fjalët e tyre. Dhe kur “çjerrja” sërish nuk mjafton, atëherë përplasin duart me sa munden duke duartrokitur.

Duartrokasin për ata artisë që nga interpretimi në sallën e Teatrit, i kanë bërë të qeshin, të pikëllohen, të qajnë, dhe të qajnë sërish me lot gazi nga batutat në komeditë e tyre.

Nuk largohet kush as kur ia beh një shi i fortë vere.

Nesër, pasnesër, ditën tjetër, javën tjetër, sërish do mblidhemi për të kundërshtuar këtë vendim të pakuptimtë të qeverisë, duket sikur thotë vendimi i tyre për të mos kërkuar strehë prej shiut.

Të fundit