Flash News

KRYESORE

Fotot/ Voltana Ademi: Shkodra njësoj si në 1945, nuk ka zgjedhje pa opozitën

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi shprehu indinjatën e saj për mënyrën se si policia trajtoi të arrestuarit opozitarë, ndërsa ata u paraqitën në Gjykatën e Shkodrës.

Për Ademin, Shkodra duket njësoj si në vitin 1945!

Në një status në profilin e saj në Facebook, ajo shkroi se i duken absurde të tilla masa të policisë, për “gjyqin politik të 6 personave të arrestuar paligjshmërisht nga policia politike e Edi Ramës”.

“Sot shkodranët por edhe shqiptarët, panë me sytë e tyre apo përmes medieve skena që i kujtuan trajtimin që iu bë baballarëve të tyre nga diktatura komuniste.

Mbi 70 forca policie dhe FNSH-je rrethuan Gjykatën e Shkodrës dhe bllokuan qarkullimin në rrugën para saj. As kur janë gjykuar kriminelët më të rrezikshëm nuk ka patur një dislokim të tillë!

E për çfarë? Për gjyqin politik të 6 personave të arrestuar paligjshmërisht nga policia politike e Edi Ramës!:”, shkroi ajo.

Ademi mendon se kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij në krimin e vjetër elektoral të faktuar me audio- përgjimet e prokurorisë por edhe në krimin e ri që po konsumohet në sytë e të gjithë shqiptarëve, po shkon drejt fundit të tij të sigurt në politikë.

“E drejta e protestës nuk mund të burgoset, e drejta e fjalës nuk mund të na mohohet, të drejtat e fituara me sakrifica sublime nga 1990-a e këtej, nuk mund të na i gllabërojë askush!

Sot nga Shkodra, Edi Rama mori përsëri mesazhin më të fortë që do të jehojë deri në largimin e tij nga pushteti i fituar me votime të vjedhura, me drogën që mbuloi Shqipërinë:

Asnjë hap pas! Asnjë tërheqje! Vetëm përpara! Përballë tij dhe falangave të verbra që po i sherbejnë edhe në shkelje të ligjit! Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë votime pa opozitën! 30 qershori ka vdekur dhe është kallur!

Përpara deri në fitore, në fitoren e Shqipërisë e shqiptarëve, të zgjedhjeve të lira, të ndershme e të barabarta, për Shqipërinë si gjithë Europa!”, ishte mesazhi i kryebashkiakes së qytetit veriperëndimor.

Të fundit