Flash News

KRYESORE

Franca, ëndrra e Europës dhe nacionalizmat shterpë të Ballkanit

Franca, ëndrra e Europës dhe nacionalizmat shterpë të

Nga Gjergj Meta

Fitorja e Macron në Francë tregoi se ende kanë mbetur persona në Europë, dhe janë shumica (66 % nuk janë pak), që e duan Europën. Situata e pasigurtë që po kalon Europa dhe bota në përgjithësi, do të kishte justifikuar edhe një fitore te Marine Le Pen, por europdashësit, në Hollandë pak muaj më parë e tani në Francë, ende besojnë në ëndërrën europiane.

Di pak ose asgjë rreth platformave përkatëse të dy kandidatëve, por ekstremizmi i treguar në retorikën e Le Pen tregon edhe një lloj vuajtje të një pjese të mirë të europianëve. Është një zë që duhet dëgjuar e nuk mund të anashkalohet apo të likujdohet si thjesht ekstremist. Ektremizmi në rritje është një këmbanë. Çështjet e sigurisë, të emigracionit, të ruajtjes së vlerave kombëtare duhet të gjejnë një përgjigje të përshtatshme në Europën aktuale, por gjithsesi larg nacionalizmave të skajshëm apo që ndërtojnë mure në vend të urave. Europa është një ëndërr e bukur e pse të mos shpresohet në këtë ëndërr ende e të mos ndërtohet dita-ditës.

Do të duhej ndoshta që ne shqiptarët të besonim më shumë në këtë ëndërr dhe jo t'i frynim nacionalizmit shterpë që për mua mbetet streha e fundit e të pamotivuarve. Sidomos për një rajon si Ballkani, logjikat nacionaliste janë vetëm frymëzim lufte dhe konflikti. Duke vepruar kështu ne u lëmë pasardhësve tanë vetëm konflikt, inat, urrejtje, zemërim, përjashtim dhe ksenofobi.

Duhen bërë përpjekje për një Europë dhe për një Ballkan të paqtë ku popujt jetojnë dhe ndajnë të njëjtën ëndërr: të jetojnë së bashku në paqe!

Përmasa europiane e të qënit shqiptar na hap ndaj një shpirti kozmopolit për të cilin kemi nevojë vërtet, pasi kemi mbetur të ngërthyer e të zhytur në logjikat përjashtuese dhe ksenofobe. Për këtë ka nevojë gjithë ballkani, të gjithë ballkanasit. Mendojmë nganjëhere se padrejtësitë historike që na janë bërë duhet të vihen në vend nëpërmjet të njëjtave mënyra se si është vepruar me ne. Kjo lloj mendësie mund të entuziazmojë për momentin por nuk është ndërtuese dhe afatgjatë. Vetëm në kuadër të një Europe dhe Ballkani të integruar ku popujt dhe kombet kanë si target jo vetëm veten e tyre, por mirqënien edhe të tjerêve do të ketë të ardhme edhe kombi ynë.

Ballkani, që është një realitet multietnik dhe multifetar, vetëm në sajë të një shpirti kozmopolit mund të mbijetojë dhe madje të jetojë pa u larë në gjak çdoherë që nxehen gjakrat. Pikërisht kjo trajtë multinetnike dhe multifetare e bën Ballkanin jo një problem, por një mundësi madje do të thoja nje resursë.

Si do të shkojë puna e Europës dhe Ballkanit? Askush nuk mund ta parashikojë me saktësi, por të gjithë duhet të përpiqemi ta bëjmë të mundur ëndërrën europiane si një hapësirë gjeo-shpirtërore në të cilën edhe ne shqiptarët përkasim natyrshëm. Ndonjëherë është menduar se multifetariteti dhe multikulturaliteti e pengojnë integrimin e Shqipërisê në Europë. Por më duhet të pranoj se pikërisht trajta jonë multifetare dhe multikulturore na bën më të përshtatshëm për Europën, e cila ka lindur si e tillë.

Të fundit