Flash News

KRYESORE

Franca heq dorë përkohësisht nga reforma e pensionit

Franca heq dorë përkohësisht nga reforma e pensionit

Franca ka vendosur që të heqë dorë përkohësisht nga reforma e pensionit, që ka shkaktuar protesta dhe greva në vend. Lajmin e bëri të ditur kryeministri francez Edouard Philippe, cili u dërgoi një letër përfaqësuesve të sindikatave, ku i bëri me dije se në Francë do të zbatohet një rend i vetëm i sistemit të pensionimit dhe se do të hiqen prioritetet sipas sektorëve dhe 42 llojet e pensionimit.

Kreu i qeverisë njoftoi se zbatimi i moshës 64 vjeç për marrjen e pensionit nuk do të jetë në fuqi përkohësisht, duke shtuar se në vend të kësaj, në një konferencë që do të organizohet do të diskutohet financimi në kuadër të reformës.

Ai njoftoi se vendimet e kësaj konference do të shpalosen në muajin prill dhe se në rast të një marrëveshjeje me sindikatat para muajit prill, pikat e saj do të shtohen në reformën kontroverse. Konfederata Demokratike e Punës (CFDT) e përshëndeti këtë hap të qeverisë dhe paralajmëroi se do të vazhdojnë të luftojnë për ndryshimet e nevojshme të reformës. Por Konfederata e Përgjithshme e Punës (CGT) e konsideroi si të pamjaftueshme këtë deklaratë dhe kërkoi heqjen e plotë të reformës, duke bërë thirrje për protesta në tërë vendin më 16 janar.

Në bazë të reformës së pensionit, mosha e daljes do të ngelet 62 vjeç, por paga e plotë do të mund të merret nga mosha 64 vjeç, ndërkohë që sistemi i ri nuk do të përfshinte personat e lindur para vitit 1975.

Të fundit