Flash News

OP-ED

Franca në ngritje e sipër, Gjermania në tërheqje e sipër, Ballkani para provimit

Franca në ngritje e sipër, Gjermania në tërheqje e

Boshko Jakshiç/ Gazeta Politika

Sapo retë e vjeshtës së vonë, që arritën nga Brukseli, lagën me ujë të ftohtë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të cilat shpresojnë për antarsimin në Europën e Bashkuar, presidenti francez, projektin e tij të „rilindjes europiane“ e plotësoi me propozimin se në cilin drejtim duhet të ecë zgjerimi i BE-së.

Shtetet e rajonit që nga samiti i Selanikut në vitin e largët 2003, presin në radhë për kartën e antarsimit në BE. Që atëherë janë shtypur me tonë të tërë dokumente dhe deklarata inkurajuese. Komisioni Europian, në muajin shkurt të vitit 2018 miratoi strategjinë për „perspektivat e denja të zgjerimit dhe angazhimin e përforcuar të BE-së në Ballkanin Perëndimor“, ndërsa zyrtarët e BE-së në muajin korrik të këtij viti  i bindën vendet e rajonit se blloku i sheh pozitivisht aspiratat e tyre.

„Perspektivat e denja“ humbën në mjegullën e realitetit, ndërsa të panjohurat rreth antarsimit kërcënuan të prishin orientimin gjeopolitik të rajonit. E gjitha kjo u vërtetua kur presidenti francez Emanual Makron refuzoi që t’i miratojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut hapjen e bisedimeve.

Makroni me këtë tregoi se ka ambicje degoliane për t’u bërë lider i Europës. Iu kundërvu në shumë tema kampiones së deritanishme të integrimeve dhe zgjerimit, Anxhela Merkelit në ikje e sipër.

Është e qartë se BE-ja është në krizë, se nuk dëshiron të përsërisë gabimet e antarsimit pa radhë të Bullgarisë dhe Rumanisë, dhe se më me shumë dëshirë do të pranonte Zvicrën apo Norvegjinë sesa dikë nga Ballkani, por në Bruksel janë të vetëdijshëm për rreziqet reale se padurimi do të forcojë euroskepticizmin në rajonin tonë dhe do t’i hapë akoma më shumë vend ndikimeve nga jashtë.

Ndërsa euroseptikët dhe kundërshtarët direkt të Unionit qaraviteshin, vetoja e Makronit është pritur me kritika të ashpra në Shkup dhe në Tiranë. Gabim ’historik“ dhe ’i rëndë“, shpreheshin krerët e institucioneve në largim e sipër. „BE-ja me politikën e saj të (mos)zgjerimit faktikisht po i shtyn ’në përqafimin’ e Rusisë shtetet e Ballkanit Perëndimor“, konstatohet në analizën e Institutit për Studimet Ndërkombëtare të Ballkanit dhe Lindjes së Afërme të Ljubjanës (IFIMES).

Që të tregojë se nuk i mungon vizioni që e kishte edhe bashkëatdhetari i tij Robet Shumani, Makroni mbeti koherent në qëndrimin se zgjerim nuk ka derisa të reformohet Unioni, por gjithsesi shumë shpejt lançoi idenë se procedurat e zgjerimit reformohen në mënyrë që të realizohen gradualisht në mënyrë „të besueshme dhe të qëndrueshme“.

Kërkohet përmbushja e kushteve që kanë të bëjnë me ndryshimet „tejet të ngadalshme“ politike, ekonomike dhe sociale, por edhe të pamjaftueshme për përfitim konkret të qytetarëve në vendet kandidate. Prioritet është „përparimi i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm në fushën e shtetit të së drejtës“.

Një përmbysje e tillë kopernikiane në raport me praktikën e deritanishme, përcillet me analizën e Makronit sipas së cilës Unionit nuk i nevojiten demokraci të reja dhe të papërkryera me premisa të forta të autoritarizmit. Ka tashmë të tilla brenda BE-së, si puna e Hungarisë dhe e Polonisë, përse u dashka të forcohet blloku i „demokracive joliberale“?

Ndryshimi i kursit duhet të gëzojë të gjithë ata që deri tani e kanë kritikuar Unionin se i sheh „me një sy të mbyllur“ pushtetmbajtësit e rajonit, që nga Aleksandër Vuçiçi e deri te Milo Gjukanoviçi. Kjo do të ishte shenjë e heqjes dorë nga politika e stabilokracisë e cila vinte në plan të parë zgjidhjen e konflikteve rajonale duke shtyrë mënjanë plotësisht reformat që shpien në lindjen e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve të fuqishme.

Megjithëse BE-ja tani pritet të deklarohet për konceptin e ri francez, nga Beogradi, me simpati, erdhi menjëherë interpretimi ministror se propozimi i reformave nuk ka përse të ketë të bëjë me Serbinë dhe Malin e Zi. Duke u fshehur pas formaliteteve metodologjike, është dërguar një sinjal inkurajues: reformat e vërteta janë shtyrë në plan të dytë me një argumentim banal se „më mirë është cilësia para shpejtësisë“.

Jo. Më mirë është të kesh zgjidhje të gatshme sipas të cilave, kur shtetet në fazën e bisedimeve përmbyllin një fazë të caktuar, rezultojnë të përfshira në funksionimin e BE-së. Shtetet e reformuara të Ballkanit Perëndimor do të bëhen kështu të dukshme për qytetarët e Unionit dhe kësisoj do të zvoglohet rezistenca ndaj zgjerimit.

Pushteti në Beograd ndodhet para një sfide serioze: do të humbasë mbështetjen e BE-së nëse nuk ecën pikërisht sipas atyre reformave politike që eviton prej vitesh duke u ofruar qytetarëve të Serbisë dhe partnerëve në BE, shqytin mbrojtës Kosova, çështje e cila, sipas propozimit të Makronit, kalon në vend të fundit nga shtatë paketat.

Nëse, përshembull, përmbyllet shpejt kapitulli për harmonizimin e politikës së jashtme me atë të BE-së, atëherë do të duhet të heqë dorë nga shumë lëvizje që janë shprehimisht proruse në politikë dhe prokineze në investime.

Testi është aq shumë serioz edhe për faktin se Parisi propozon parimin e reversiblitetit që është mundësia e sanksionimit të shteteve që, pjesërisht ose tërësisht, nuk plotësojë kritere të caktuara, ose pushojnë së përmbushuri detyrimet e ndërmarra.

Nëse pranohet dokumenti joformal i Makronit, BE-ja, pas shumë viteve të humbura, do të tregojë se është në gjendje që paralelisht të reformohet së brendshmi dhe të zgjerohet së jashtmi. Ky do të ishte një inkurajim i vërtetë për shtetet e rajonit që kanë shumë gjëra për të bërë- që nga fillimi i shtetit të së drejtës dhe forcimit të institucioneve dhe shkatërrimi i korrupsionit e deri te të drejtat e njeriut dhe të lirive mediatike.

Gjithçka tjetër, frenim brenda BE-së dhe rezistencë ndaj reformave mes aspirantëve për antarsim, do të thoshte fillim i ri i procesit të vjetër dhe të ngadalshëm që është në kundërshtim si me optimizmin e emisarëve të ndryshëm europianë që bëjnë parada duke shëtitur nëpër Ballkan, ashtu edhe me liderët e rajonit që bëjnë bé për integrimin.

Pas përshëndetjes së lamtumirës me zyrtarët europianë të cilët kanë folur shumë por kanë bërë pak për zgjerimin, duhet pritur samiti i Majit i BE-së në Zagreb. Atëherë do të shihet nëse mundet Makroni të imponojë vullnetin dhe idenë e tij mbi atë sesi duhet të jetë zgjerimi.

Makroni fillimisht na zhyti, por pastaj na ofroi rrugëdalje nga kjo errësira ballkanike. Kjo mund të jetë gjë e mirë, por edhe e keqe. Integrimi duhet të jetë i shpejtë dhe efikas ose përndryshe nuk do të jetë fare, e kësisoj, ata që nuk reformohen mbeten të mbyllur në stacionin e trenit për në Bruksel, duke u sjellë sikur kanë në dispozicion tërë kohën e kësaj bote.

Të fundit