Flash News

KRYESORE

Frika nga kandidati pro-serb, Edi Rama mbështet publikisht Gjukanoviçin në zgjedhjet presidenciale

Frika nga kandidati pro-serb, Edi Rama mbështet publikisht

Kryeministri Edi Rama ka mbështetur publikisht Milo Gjukanoviç në zgjedhjet presidenciale të Malit të Zi. Televizioni shtetëror malazez, RTCG, ka publikuar një deklaratë të DPS, partisë në pushtet të drejtuar nga Gjukanoviç, ku thuhet se Rama e ka konsideruar ish-kryeministrin si një “zgjedhje pro-europiane që garanton stabilitet të mëtejshëm dhe progres në rajon”.

Sipas kësaj deklarate, Rama është shprehur se Shqipëria ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Malin e Zi.

Votimet për presidentin e ri në vendin fqinj do të zhvillohen më 15 prill dhe Gjukanoviç ka siguruar mbështetjen e dy partive shqiptare në Mal të Zi, ‘FORCA’ dhe ‘DUA’.

Nga sondazhet që janë publikuar deri më tani, Gjukanoviç rezulton fitues me 50.6% të votave, i ndjekur nga Mladen Bojanic me 35.5% të votave.

Gara me Bojanic mund të jetë arsyeja përse Rama ka dalë në mbështetje publike për Gjukanoviç, duke dhënë një mesazh të qartë te minoriteti shqiptar që jeton në Mal të Zi.

Bojanic është një politikan që mbështet lëvizjet anti-establishment dhe anti-NATO. Ai po mbështetet fuqishëm nga Fronti Demokratik, i dominuar nga serbët. Ardhja e tij në krye të Presidencës malazeze mund ta rikthejë vendin fqinj në linjën pro-serbe dhe pro-ruse, nga e cila është larguar pas anëtarësimit në NATO.

Milo Gjukanoviç dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit në vitin 2016-të, pas grushtit të dështuar të shtetit, i organizuar nga agjentët rusë. Ai është në pushtet që prej vitit 1991, duke mbajtur për disa mandate postin e kryeministrit dhe të presidentit.

Të fundit