Flash News

KRYESORE

Frikë dhe pasiguri në Kosovë/ KFOR shton prezencën në Veri, Haradinaj kërkon rritjen e gatishmërisë. OKB: Palët të flasin për propozimet

Frikë dhe pasiguri në Kosovë/ KFOR shton prezencën në

Në Kosovë është është rritur pasiguria pas deklaratës së presidentit Hashim Thaçi se vendi i tij dhe Serbia duhet të korrigjojnë kufijtë. Deklaratat e Thaçit kanë krijuar ndjesinë në vend se një marrëveshje paraprake është arritur me Beogradin, por mungesa e informacionit të detajuar ka shtuar frikën.

Mediat raportojnë se KFOR ka shtuar mbrëmjen e djeshme prezencën në veri të Kosovës dhe ka marrë kontrollin e liqenit dhe hidrocentralit të Ujmanit (Gazivodës) afër Zubin Potokut, shumë i rëndësishëm për prodhimin e energjisë.

Në një kohë kur Thaçi bën deklarata se Lugina e Preshevës mund të bashkohet me Kosovën, në veri po shtohen zërat për një shpallje të mundshme të autonomisë nga tre komunat me shumicë serbe. Gjithsesi, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka përjashtuar mundësinë që serbët në veri të shpallin autonominë nga institucionet e Prishtinës, ndonëse këto të fundit kanë shumë pak kontroll atje.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka njoftuar se do të mbledhë sot Këshillin e Sigurisë Kombëtar për të diskutuar për situatën në Kosovë dhe për një marrëveshje të mundshme me Prishtinën sa i përket shkërmbimit të territoreve.

Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj zhvilloi dje një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku kërkoi rritjen e gatishmërisë së institucioneve të rendit dhe ligjit në gjithë vendin, në mënyrë që të sigurohet qetësi në ditët në vijim.

Bashkimi Evropian kërkon qetësi

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme në BE, Federica Mogherini ka kërkuar nga palët që të ulin tensionet dhe t’i përmbahen angazhimeve që kanë ndërmarrë në Bruksel.

“Në kohën kur të dyja palët janë plotësisht të angazhuara së bashku më Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, në përcaktimin e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e plotë, BE pret ashtu siç janë deklaruar të dy presidentet gjatë takimit të fundit në nivelit të lartë të dialogut më 18 korrik në Bruksel, të mos ketë tensione në terren të cilat do ta rrezikojnë objektivin e përbashkët të normalizimit të marrëdhënieve,” thuhet në një komunikatë për shtyp nga zyra e Mogherinit.

OKB: Prishtina dhe Beogradi të flasin për propozimet

Fahran Haq, zëdhënës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka përkrahur çdo diskutim që bëhet midis Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e statusit të Kosovës.

"Nuk kemi ndonjë deklaratë zyrtare për të bërë. Por ne përkrahim çdo lloj diskutimi midis Prishtinës dhe Beogradit, që merret me çështjen e statusit të Kosovës dhe ne inkurajojmë palët që ta diskutojnë këtë çështje. Nuk jemi të përfshirë në këtë fazë. Ky është një proces që drejtohet nga Bashkimi Evropian dhe ne inkurajojmë bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit për këtë çështje”, është shprehur Haq./Politiko.al

Ndryshimi i kufijve, Daniel Serwer: Qëndrimi në Uashington ka ndryshuar; Thaçi ka rënë dakord me Vuçiçin

Të fundit