Flash News

KRYESORE

“Fshesa” e Cakajt në diplomaci, si u paralajmërua dështimi i dytë i Qeverisë Rama

“Fshesa” e Cakajt në diplomaci, si u paralajmërua

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj njoftoi dje për shkarkimin e më shumë se 20 diplomatëve që nuk mbështesin “ambicien e kësaj Qeverie e vizionin e Kryeministrit për ta çuar në lartësinë e merituar përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë.”

Por ndonëse Cakaj është i ri në këtë detyrë, debati për shërbimin e jashtëm të Shqipërisë shkon pas në 2015-ën, kur mazhoranca socialiste miratoi ligjin e ri për diplomacinë.

“Pas kësaj ndërmarrjeje të kujdesshme, sot unë jam me ju të ndaj faktin se kam vendosur të shkëpus marrëdhënien me një pjesë të punonjësve që nuk përmbushin as kushtet ligjore, as kushtet minimale profesionale për kryerjen e kësaj detyre”, deklaroi Cakaj, duke shtuar se “sfida evropiane e Shqipërisë dhe agjenda jonë reformiste e pellgut të ndenjur të së shkuarës, nuk përkon kurrsesi me nepotizmin, klientelizmin politik dhe korrupsionin moral në asnjë sektor e lere më pastaj në Përfaqësitë e Shqipërisë nëpër botë.”

Edhe pse lista me të shkarkuarit nuk është publikuar ende nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke iu referuar deklaratës së Cakajt, pjesë e këtij “ndëshkimi” janë bërë edhe diplomatët në përfaqësitë shqiptare në botë.

Ky dështim, që Cakaj nxori në sipërfaqe, u paralajmërua në 2015-ën nga ish-kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme, Arta Dade, dhe deputetët e Partisë Demokratike.

Socialistët miratuan katër vite më parë me 75 vota pro ligjin e ri për shërbimin e jashtëm. Por deri në momentin kur ky ligj mbërriti në seancën e Kuvendit, debatet midis ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe deputetëve të Partisë Socialiste ishin të shumta.

Ish-ministrja Dade shprehu kundërshti të fortë për dy nene, 27 dhe 31, që sipas saj, nuk e çlironin shërbimin e jashtëm nga kufizimet e politikës. Këto dy nene përcaktojnë përzgjedhjen e kreut të misionit diplomatik dhe personelit.

“Ligji s’duhet të jetë kompensim për shërbime ndaj forcave politike që drejtojnë shtetin në një moment të caktuar. Ligji për shërbimin e jashtëm duhet çliruar nga kufizimet e politikës nga mungesa e profesionalizmit e integritetit, neni 27 lë hapësira për abuzivizëm, pra ligjet hartohen jo për 2 dhe 3 vjet. Shpresojmë që qeveria t’i japë vendit një diplomaci në shërbim të interesave të vendit dhe të kombit. Shërbimi i jashtëm duhet mbrojtur nga çdo tentativë për t’u kthyer në një shërbim politik”, do të shprehej ndër të tjera Dade nga foltorja e Kuvendit, më 19 mars të 2015-ës.

Pretendimet e Dades u rrëzuan nga Bushati dhe vetë kryeministri Edi Rama, që konsiderohej edhe si mbështetësi kryesor i ligjit të ri dhe personi që shtynte ish-ministrin për të mos pranuar sugjerimet e kolegëve socialistë dhe ish-drejtuesve të diplomacisë shqiptare.

Tashmë që Bushati nuk është më në krye të MEPJ, dhe me dekret të presidentit, Edi Rama është zyrtarisht pasardhësi tij, i deleguari Cakaj flet për nepotizëm dhe klientelizëm politik në shërbimin e jashtëm.

Duke mos marrë në konsidertatë për momentin një luftë midis klaneve brenda Partisë Socialiste, Edi Rama pranoi dje nëpërmjet Gent Cakajt dështimin me ligjin e shërbimit të jashtëm, që është i dyti me pasoja të mëdha për shoqërinë dhe vendin, pas atij me ligjin për arsimin e lartë.

Të fundit