Flash News

KRYESORE

FSHF shpreh ngushëllimet për Fadil Vokrrin: Humbje e madhe për futbollin kosovar dhe trevat shqipfolëse

FSHF shpreh ngushëllimet për Fadil Vokrrin: Humbje e madhe për

Kreu i Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrri u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 57-vjeçare, si pasoje e problemeve që kishte me zemrën.

Pas lajmit të hidhur që u konfirmua nga mediat kosovare dhe familjarët e Vokrrit, ka ardhur edhe mesazhi ngushëllues i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në faqen zyrtare, FSHF ka shprehur keqardhje për humbjen e madhe të futbollit kosovar, duke e konsideruar Vokrrin si personin që vuri gjithçka në dispozicion të rritjes dhe zhvillimit të Futbollit në Kosovë.

Mesazhi i plotë i FSHF:

Në emër të Presidentit të FSHF-së, z.Armand Duka, sekretarit të përgjithshëm z.Ilir Shulku, si edhe të gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, komuniteti i Futbollit në Shqipëri përcjell ngushëllimet më të thella e më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, spordashësit dhe mbarë qytetarët e Kosovës për këtë ndarje tragjike e të parakohëshme nga jeta të zotit Vokrri, që vuri gjithçka në dispozicion të rritjes dhe zhvillimit të Futbollit në Kosovë.

Kontributi i Presidentit Vokrri do të mbahet mend shumë gjatë për angazhimin e tij maksimal dhe gjithpërfshirës në drejtim të ngritjes dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës dhe Futbollit të saj, në Europë dhe në Botë.

FSHF është e bindur që fizionomia dhe idetë e tij për progresin e Futbollit të Kosovës, në rang kombëtar dhe ndërkombëtar do të ndiqen dhe elaborohen ndër vite nga brezat dhe kolegët e FFK-së.

Ndarja e tij e parakohëshme nga jeta mbetet një humbje shumë e madhe për futbollin kosovar, por edhe për të gjitha trevat shqipfolëse anembanë botës.

Lamtumirë miku ynë Fadil!

Shpirti yt u prehtë në paqe!

Të fundit