Flash News

KRYESORE

Fuga: Akademia e Shkencave nuk e ka problemin vetëm me presidentin dhe qeverinë

Fuga: Akademia e Shkencave nuk e ka problemin vetëm me presidentin dhe

Akademiku Artan Fuga ka ngritur disa problematika, prej të cilave çalon Akademia e Shkencave.

Sipas Fugës, në një status në rrjetet sociale, problemi i Akademisë së Shkencave nuk qëndron vetëm te presidenti, i cili dy ditë më parë refuzoi të dekretojë emërimin e Skëndër Gjinushit si kryetar, apo te qeveria.

Profesori, një nga zërat më kritikë të reformimit të këtij institucioni, sqaron se ASH ka probleme në shumë drejtime.

“Se mos vetëm me Presidentin, dhe dekretin e tij ka probleme akademia e shkencave!!!

Prej kohësh ajo përpëlitet me atë që qeveria e kryeministrit z. Edi Rama i ka kërkuar rithemelim nëpërmjet reformimit. Edhe me të u zemëruan atëherë!

E detyruan këtë asokohe t'i kërcënonte me prerje të fondeve!

I kërcënoi me koromanen përndryshe akademikët këmbëngulnin si mushka : jemi më të mirët, si ne s'ka, na ka thënë Cabeji, Dritëroi dhe nuk e di se kush tjetër nga të vdekurit e mëdhenj, a thua se komunikonin me botën tjetër!

Edhe me ministrinë e arsimit u kërleshën saqë u pajtuan që projektligji t'i hiqej nga dora ekspertëve të saj dhe t'u kalohej "miqve" politikë për t'a kaluar në mënyrë antikushtetuese në Kuvend.

Para disa ditësh edhe qeveria u a përplasi në fytyrë duke u thënë se projektligji që keni përgatitur është i paligjshëm!

Se mos vetëm me qeverinë dhe Presidentin! Shihni qëndrimet e rektorëve në komisionin e edukimit dhe medias sesi kritikojnë akademinë e shkencave sepse nuk është fare në udhën e duhur!

Se mos vetëm rektorët! Qendrimin e saj edhe kryetarja e komisionit të Kuvendit për edukimin zonja Dhimitri e ka bërë publik duke i quajtur zgjedhjet në Akademinë e Shkencave të paligjshme!

Se mos vetëm me pushtetin në fuqi, edhe me opozitën! A nuk deklaroi partia demokratike se votimet janë të paligjshme dhe se shkelësit e ligjit i pret drejtësia në mos sot nesër!!!”, shkruan Fuga.

Të fundit