Flash News

KRYESORE

Gafurr Mazreku “Qytetar nderi”, reagon prefekti i Kukësit: Nuk e miratoj, është në kundërshtim me ligjin

Shumë reagime e debate u ngjallën pas vendimit të Këshillit të Qarkut të Hasit për të shpallur ish-deputetin Gafurr Mazreku “Qytetar Nderi” i Hasit.

Reagime të shumta pati edhe nga dy kampet e politikës qendrore, të cilët ishin kundër këtij vendimi, ndonëse votimi u krye nga këshilltarët e PS.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana përmes një deklarate për mediat deklaroi sot se këtë vendim nuk do ta miratojë, pasi bie ndesh me ligjet në fuqi.

“Nuk konfirmoj vendimin e Këshillit Bashkiak të Hasit pasi bie ndesh me ligjin për dekretimin, titujt e nderit në Republikën e Shqipërisë. Rregullat përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave”, u shpreh prefekti.

Me 13 vota pro dhe 1 abstenim, Këshilli Bashkiak i Hasit shpalli Gafurr Mazrekun “Qytetar Nderi” të Hasit, me motivacionin “Personalitet Intelektual, për kontributin e pashoq ne Pushtetin Vendor”.

Gafur Mazreku është ish deputet i Partisë Socialiste që më 18 shtator të vitit 1997, brenda ambienteve të Parlamentit të Shqipërisë, plagosi me pistoletë Azem Hajdarin.

Pas këtij atentati, Mazreku u arrestua dhe gjykata e dënoi me 12 vite burg. Ai u lirua në vitin 2001, tre vjet pasi ishte dënuar, për t’u rikthyer sërish në funksione drejtuese të Partisë Socialiste si kryetar i degës së Hasit. Mazreku u nda nga jeta në vitin 2005 për shkak të një infarkti.

Të fundit