Flash News

KRYESORE

Gati krijimi i strukturës së përbashkët policore Shqipëri-Britani, do hetojë grupet kriminale në të dyja vendet

Gati krijimi i strukturës së përbashkët policore

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme dhe kreun e Shërbimit Diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar, Simon McDonald, i cili shoqërohej nga ambasadori Britanik në Tiranë, Duncan Norman.

Në këtë takim, ministrit Xhafaj iu dorëzua një letër e autoriteteve britanike përmes së cilës shprehet sigurina për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh me qeverinë e re, të dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit.

Gjithashtu, në letër përcillen propozime konkrete të qeverisë britanike për të ndërtuar një bashkëpunim efikas në fushën e luftës krimit si dhe për mbështetjen konkrete që do t’i ofrohet Ministrisë së Brendshme në fushën e ndërtimit të kapaciteteve për Policinë e Shtetit, veçanërisht asaj kufitare, ofrimin e ekspertizës akademike për Akademinë e Sigurisë, si dhe mbështetje nga Kolegji i Policisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Pala britanike, theksoi se gjatë muajve të verës “ka hartuar një paketë gjithëpërfshirëse mbështetje, e cila do të përmbush këto kërkesa. Ne besojmë se ajo përcakton balancën midis masave afat-shkurtra, masave për rritje kapacitetesh dhe strategjive afatgjata parandaluese. Paketa pasqyron angazhimin tonë ndaj Shqipërisë dhe marrëdhënies tona dypalëshe: Mbretëria e Bashkuar qëndron përkrah Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar”

Në takim u trajtuan gjithashtu edhe një sërë çështjesh, që kanë të bëjnë me trafikimin e lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore (veçanërisht minorenëve), çështja e azilkërkueseve shqiptarë në territorin e Mbretërisë së Bashkuar, përmirësimi i regjimit kufitar shqiptar për parandalimin e azilkërkimit, ndërtimi i kapaciteteve të Policisë shqiptare, shkëmbimi i informacionit, hetimet e përbashkëta, ekspertiza akademike që pala britanike mund të ofrojë për Akademinë e Sigurisë etj.

Pala britanike u shpreh e gatshme për të intensifikuar bashkëpunimin dhe mbështetjen për të gjitha fushat e sipërpërmendura përmes asistencës teknike dhe mbështetjes me logjistike për rritjen e mëtejshme të kapaciteteve të strukturave të Ministrisë dhe atyre të Policisë së Shtetit. Në takim u diskutua edhe për krijimin e skuadrave të përbashkëta policore për hetimin e përbashkët lidhur me grupet kriminale që veprojnë në të dy vendet dhe u ra dakord për konkretizimin shumë shpejt të këtij projekti në nivel teknikësh.

Në fund të takimit, z. McDonald njoftoi ministrin shqiptar se vitin që vjen Britania e Madhe do të jetë vend pritës i Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga të dy palët u shpreh gadishmëria për të prezantuar në këtë takim hapa dhe rezultate konkrete në bashkëpunimin midis tyre.

Të fundit