Gazeta islamike pranë Erdogan sulmon Skënder Bruçajn: Vartës i Gylen; bëri spastrim në Komunitetin Mysliman

Gazeta islamike truke ‘Yeni Akit’, e cila ndjek një linjë shumë të afërt me presidentin Erdogan, ka publikuar një shkrim të ashpër kundër kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj. Shkrimi ka autor Ayhan Demir dhe aty i bëhet një analizë karrierës së Bruçajt, madje duke përmendur edhe arsimin e tij në Turqi në vitet 1990-1996.

Sipas kësaj gazete, Bruçaj është tërësisht në shërbim të Lëvizjes Gylen dhe ka spastruar Komunitetin nga anëtarët që refuzojnë këtë lëvizje.

“Pozicioni i mëpasëm i Bruçaj, i cili kryente plotësisht të gjithë direktivat që i jepeshin nga FETO (Lëvizja Gylen) ishte Komuniteti Musliman i Shqipërisë. Bruçaj në vitin 2013 u emërua si ndihmës kryetar nga Këshilli i Komunitetit. Vitin në vijim, duke u treguar si kandidat për kryetar në këshillin e përgjithshëm, kaloi në postin e kryetarit për një periudhë katër vjeçare. Shkaku më i rëndësishëm i këtij lartësimi të shpejtë ishte efektiviteti i organizatës FETO në KMSH dhe vartësia e pakushtëzuar e Bruçaj ndaj kësaj organizate terroriste. Bruçaj vijoi të paguajë borxhin e mirënjohjes ndaj organizatës FETO e cila i kishte ofruar çdo lloj mundësie pavarësisht se nuk i meritonte. Detyrën largimit të atyre që nuk ishin militantë të FETO nga KMSH, detyrë e cila kishte nisur në periudhën e Selim Muçës, Skënder Bruçaj e vijoi me përkujdesjen më të madhe. Ata që u përjetuan në myftininë e qytetit të Librazhdit janë vetëm njëra prej këtyre”, thuhet ndër të tjera në artikull.

Nuk është hera e parë që Skënder Bruçaj sulmohet nga mediat truke. Disa muaj më parë, ishte ‘Anadolu Agency’ ajo që publikoi një artikull kundër kreut të KMSH-së.