KRYESORE

Gazeta MAPO nuk është mbyllur. Botuesi kundërshton variantin e Kapexhiut dhe kërkon ndihmën e Bashës

Gazeta MAPO nuk është mbyllur. Botuesi kundërshton variantin e

Lajmin për mbylljen e gazetës MAPO e ka dhënë i pari karikaturisti Bujar Kapexhiu nëpërmjet një statusi në Facebook. Gazeta, e hapur në vitin 2010 si vazhdim i botimeve MAPO që përfaqësoheshin nga revista homonime, u bë shpejt një nga titujt e rëndësishëm në shtypin shqiptar. Rreth një vit më parë gazeta ndërroi duar duke kaluar nga adminstratori i UET Henri Çili te një pronar tjetër.

Burime të Politiko bëjnë me dije se ndërrimi i pronësisë i ka thelluar problemet financiare të MAPO-s dhe për këtë arsye botuesi nuk ka qenë i rregullt me rrogat e gazetarëve. Në këtë situatë një prej alternativave ka qenë ndërprerja e gazetës print duke filluar nga janari dhe vazhdimi vetëm në variantin online.

Këtë plan e ka ndërprerë një grevë e gazetarëve, thonë burime të Politiko pranë stafit të MAPO, të cilët kanë lënë punën në bllok duke i dhënë botuesit një afat të ngushtë kohor për kalimin e pagave të prapambetura. Burime të Politiko pranë botuesit të MAPO thonë se gazeta do të rivazhdojë pas zgjidhjes së këtij ngërçi.

Një burim tjetër sqaron se botuesi i MAPO, një gazetë pranë opozitës pas ndërrimit të pronësisë, ka kërkuar mbështetje financiare pranë Partisë Demokratike, përkatësisht kryetarit Lulzim Basha, por pa sukses. Të njëjtat burime sqarojnë se krerët e opozitës i kanë bërë thirrje pronarit ta mbajë gazetën, por pa i ofruar ndihmë për mbijetesën.

Të fundit