Flash News

KRYESORE

Gazetar në Greqi, aktor në Hollywood: Marko Caka tregon si ndërmjetësoi në mediat greke intervistat e Ramës dhe Berishës. Grekët donin Nanon

Mira Mrruku

Marko ju keni emigruar që herët në Greqi, ku keni studiuar në gazetari dhe më pas e keni ushtruar suksesshëm këtë profesion në mediat greke. Si e kujton kohën e largimit nga Shqipëria dhe jetën që ndërtove në shtetin fqinj?

Po bëhen 26 vjet kur kalova për herë të parë kufinjt e vendit tim. Sado që ishte koha më e vështirë dhe të prapambetur, por largimi ishte më mbresëlënsi i jetës sime, sepse të gjithë kishim ëndërr për të parë jetën tjetër jashtë izolimit. Ajo ndjesi nuk vjen më dhe tani nuk më bën më përshtypje asnjë lloj largimi. Me gjithë ato sakrifica të fillimit, me plot probleme për t’u integruar tek fqinjët përsëri ia dola të studioj për shumë vite me radhë e duke ndjerë edhe suportin e madh të fqinjëve grek. Mua personalisht një nënë greke m’i hapi dyert dhe më priti si djalin e saj. Kaq do mjaftonte që jeta ime të ndryshonte për të marrë formimin akademik dhe për të filluar një karrierë të sukseshme profesionale në gazetari. Ishin vite që shqiptarët kategorizoheshin si "delja e zezë" pa përfaqësim nga shteti mëmë. Sado që me një Shqipëri të shkatërruar drejt greminës, por falë punës së gazetarëve shqiptarë dhe shoqatave për të drejtat e emigrantëve nis bashkëpunimi me institucionet dhe me mediat greke, që me punën e kontributit të pashoq të emigrantëve imazhi i shqiptarëve të ndryshonte. Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe ardhja e ambasadorit Zeneli si një autoritet potencial i një institucioni që mbron shtetasit shqiptarë. Që mori vazhdimësi edhe me prezencën e ambasadorit Minarolli. Gjatë karrierës sime kam lobuar me dhjetëra gazetarë të elitës greke, vetëm për të përcjellë anën pozitive të shqiptarëve, se pothuajse të gjithë ekranet vite me radhë na stigmatizonin si plaçkitës, vrasës kriminela dhe për anën pozitive askush nuk fliste, si njerëz të punës dhe të fjalës. I nxitur nga kjo shëmtesë sapo mbarova shkollën e gazetarisë në bashkëpunim me TV Ant1, e pastaj me vonë me të tjerat nisën reportazhet duke folur për kontributin shembullor të shqiptarëve emigrantë, të cilët në realitet po ndërtonin Greqinë e popullsisë së plakur në projektet gjigande si ajo e Lojrave Olimpike të Athinës. Nuk e kam thënë ndonjëherë, por unë kam nxitur disa kolege të mi të gazetave elitare greke për t’i bërë intervistë në filllimet e tij Edi Ramës, si një politikan i ri reformues, apo për t’i bërë intervistë Sali Berishës si një politikan i korrigjuar nga gabimet, por që grekët nuk donin t’ja falnin kurrë bëmat e tij. Grekët ishin mësuar me Nanon që ishte “lepe-peqe” ndaj interesave greke.

Në gjithë karrierën tënde në gazetari, cilat janë disa prej shkrimeve që kanë një domethënie të veçantë për ju dhe mbartin një peshë të caktuar emocionale?

Të gjitha shkrimet në periudha të caktuara kanë peshën e tyre. Por une dua të veçoj ato shkrime që ishin të guximshme për t’u shkruar brenda territorit grek. Pra siç janë rasti i diskriminimit racor, ku për herë të parë solla lajmin dhe analizën për fenomenin e flamurit grek që duhej ngritur nga shqiptari, Odise Cenaj. Si turturat në rajonet e policisë ndaj shqiptareve, apo rasti i Vavilit i lidhur me fajdet shqiptare ku ishin përfshirë politikanë shqiptarë dhe prokuroria e përgjithshme si instrument i kapur nga politika që nuk i interesonte investigimi i parave të shqiptareve sesi kishin përfunduar në bankat greke, pra për t’a thënë më troç ishte kryer pastrimi i parave. Shkrime me shumë peshë kanë qenë në festat e fundvitit 2002, ku shqiptarët zinin radhë në kufi si pretekst nga kompjuterat, apo ktheheshin si padroje nga pasaportat e vjetra. Dhe ishte pikërisht ajo rubrikë një javore që detyroi ministrin e jashtëm Ilir Meta të lëshonte urdhërin e të drejtës së shqiptareve që të pajisen me pasaporta nga ambasadat e vendeve përkatëse duke filluar nga Greqia. Një tjetër shkrim që kishte jo vetëm peshë por edhe guxim duke publikuar për herë të parë njohjen e genocidit çam nga ana historianëve grek në simpoziumin e Universitetit të Padios. Pra të gjitha këto për kohën ishin shkrime shumë të guximshme falë reputacionit të krijuar në elitën e gazetarisë greke si reporter i kryeministrave grekë si dhe postet drejtuese të shoqatës së korrespodentëve të huaj.

Intervistat me profile dhe personazhe të ndryshme, zënë një hapsirë të veçantë në rrugëtimin tënd gazetaresk.  Cilat janë ato ndjesi që përjetoje teksa intervistoje emra të njohur në fushën e artit, kulturës apo politikës, siç është ajo me kryeminstri aktual Aleksis Tsipras?

Intervistat më të mira kanë qenë ata që ishin personazhe të ditës me ngjarjet e bujshme, siç është rasti i rrëmbimit të autobusit nga dy shqiptarët apo siç është intervista e famshme me arratisjet spektakolare të Alket Rizajit dhe avokatit të tij, si dhe me politikanët siç është rasti me Ministrin e Brendshem grek për legalizimin e shqiptarëve dhe me Aleksis Cipras. Gjithashtu edhe në kulturë, intervista me Sakis Ruvas, i cili pohoi për mbështetjen e tij ndaj këngës shqiptare në Eurovizion. Ai kishte edhe nje ndjesi më tepër për arsye të origjinës së tij nga Korfuzi që historikisht kishin lidhje me shqiptarët si fqinjë të afërt.

Nga një Marko i suksesshëm në gazetari, tani ne po shohim një Marko që ka bërë një kalim “akrobatik” nga gazetaria në aktrim. Si ndodhi e gjithë kjo dhe cilat janë pikat e përbashkëta dhe të veçanta mes një aktori dhe një gazetari?

Eksperienca e ime shumë vjeçare si reporter special i Champions League duke intervistuar yjet e futbollit si, Kaka, Figo, Beckham, Murinjo, Van Nistelroi, Rui Kosta apo Arsen Venger, më dha mundësinë që ky pasion të vazhdonte edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  por këtë radhë me yjet e kinemasë. Dhe kështu veprova sapo erdha duke bërë paralelisht bashkë punën e përditshme për të jetuar dhe intervistat me artistë të mëdhenj amerikan,si Cameron Diaz e Bill Bob Thornton si dhe duke mbuluar evente të rëndësishme si gazetar i Unionit të Los Angeles e New York. Kontakti me ta dhe me filmakers më orientuan dhe më sugjeruan për tu bërë aktor. Dhe kështu nisi me audicionin e parë në serialin botëror të “Boardwalk Empire” në rolin e vogël të gangsterit dhe pak vonë vjen ajo e Reporterit për filmin e madh me disa çmime Oscar të regjizorit Spielberg. Pra pa qenë përvoja e gazetarisë nuk besoj se do kisha arritur këtu ku jam tani, si një nga aktorët me më shume role (special ability) në 65 filma Sag-Aftra brenda harkut kohor të tri viteve. Një eksperincë që më solli pranë yjeve duke ndarë qindra ore xhirimi në sheshxhirim.

Ne shohim qartë se ju jeni adaptuar tashmë dhe keni krijuar mjaft mirë porfilin tuaj profesional në fushën e aktrimit. Role të shumta në krah të yjeve botëror të konematografisë, kjo është traseja që po të çon drejt sukseseve të mëdha cdo ditë e më shumë, por a mund të na thuash si kanë ardhur të gjitha këto?

Punë e përkushtim ndaj gjithë asaj që bën. Paralelisht me punën unë investoj edhe në klasa seminare aktrimi, për të rritur nivelin professional sepse kemi të bëjme me industrinë më të fuqishme të botës dhe çdo vlerësim është përgjegjësi. Pra nëse ti vlerësohesh vazhdimisht për punën që bën kjo tregon se çdo detaj është marrë me seriozitet, prandaj edhe për të hyre brenda kësaj industrie është shumë e vështirë, sepse kërkohet shumë profesionalizëm dhe talent që nga lideri kryesor e deri dhe kalimtarët që punësohen nga agjencitë kontraktuese. Në filmin hollivudian rolet e vogla pa dialogje janë karaktere që suportojnë personazhet kryesorë dhe produksioni krijon audicione të vështira për t’i gjetur këto karaktere. Prandaj dhe prodhimet janë të sukseshme në të gjithë botën, sepse janë kujdesur për të gjitha detajet. Vetëm për të kaluar nga një skenë në tjetrën me ndriçimet dhe detajet mund të duhen deri në tri orë. Një privilegj i pallogaritshëm për ata që e duan këtë profesion se përfiton shumë aftësi.

Ju kemi parë të luani krahas yjeve të kinematografisë hollivudiane Tom Hanks, James Belushin, Steve Buscemi, Damian Lewis, Maggie Siff, Jodie Foster, George Clooney, Julia Roberts, Jack O’Connell dhe Paul Giamatti...na rrëfe diçka më shumë për eksperiencën dhe rolet tuaja krah tyre?

Me të gjithë të sipërmendurit kam qenë në skenat e tyre dhe fati më solli ti njoh nga afër jo vetëm për profesionalizmin e tyre, por edhe si njerëz të mëdhenj për nga thjeshtësia. Ata janë të sjellshëm dhe të komunikueshëm sidomos gjatë pushimeve të xhirimit. Nuk janë kapriçoz dhe mendjemëdhenj sado që janë të kontratave miliona dollarëshe. Po të jap vetëm një shembull gjatë xhirimeve me George Clooney une isha një polic i Wall Street dhe kisha për ta shoqëruar tek Jack O'Connell që luante terroristin, por në nje moment ndalohet dhe flet me një endacak te Wall Street, siç dukej George e njihte edhe nga filmat e tjerë në po të njejtin sheshxhirim, dhe i dha muhabet mbi 5 minuta. Ketu pashë vlerën njerëzore të tij duke ditur se përreth ishte rrethuar nga mijëra fansa.

Cilat janë rolet qe i rrinë më mirë kostumit tuaj dhe nga të gjithë rolet tuaja, a mund të veçoni njërin prej tyre si më të preferuarin?

Gjatë këtyre viteve kam luajtur më shumë role të agjentit të FBI-së, të reporterit ,të gangsterit italian dhe të fashion man të të gjitha periudhave që nga vitet 1800 e deri tani. Pothuajse jam portretizuar me këto role por edhe familjarizuar nga produksionet e mëdha për këto karaktere. Mua personalisht më pëlqen roli i gangsterit se është shumë burrëror dhe që janë karaktere tipike të siçilianëve ose më mirë të bijve të arbëreshëve dhe gabimisht u ka ngelur italianeve. Natyra e italianeve të natyralizuar lidhet me veriun dhe ajo e jugut janë shqiptarët e larguar 5 shekuj më parë dhe që kanë pushtuar Amerikën në shekujt 18 e 19.

Projektet e të ardhmes së Marko Cakës në kinematografi cilat janë?

Vetëm projekteve në industrine hollivudiane asnjëherë nuk i dihet. Kjo industri është me projekte të vazhdueshme filmike dhe kurrë nuk dihet që çfarë roli mund të surprizojë. Ama më duhet vazhdimisht vetëm t’i përkushtohem punës e kurseve të aktrimit për të ngritur performancën për të kapur një rol të liderit, sepse konkururenca është e paimagjinueshme nga gjithë bota. E rëndësishme është që jam anëtar i Unionit që do të thotë se je aktori profesionist dhe i përjetshëm i filmave të mëdhenj, pra vetëm i produksioneve hollivudiane Sag -Aftra. Dhe kjo është një përgjegjësi e madhe dhe privilegj për mua që t’a siguroj këtë në një kohë kaq të shkurtër dhe për t’u radhituar pas të mëdhenjëve.

Cili është çelësi i suksesit të një gazetari dhe aktori të suksesshëm, që mishërohen në një shpirt?

Arma kryesore dhe përbashkëta e tyre është komunikimi dhe ndjeshmëria ndaj gjërave. Personalisht mendoj se eksperienca e gazetarit duke njohur karaktere të ndryshme në mbulimin e ngjarjeve me situatave të ndryshme nga tragjedi, drama dhe deri në atmosfera festive, e bëjnë atë më të aftë për të ndërtuar karaktere, pra për të aktruar në film, thjesht i nevojiten teknikat e aktrimit.

Lidhja juaj me Shqipërinë është e fortë, kur ju ktheheni në Shqipëri, cili është vendi që doni të vizitoni të parin, prej të cilit përjetoni emocione të forta?

Une jam shumë i lidhur me mamanë e motrat e mia dhe më mungojnë shumë. Që kur familja ime është vendosur në Tiranë, Shkodrën e vizitoj shumë pak, por meqë kam kujtimet e mia me të bukura të adoloshencës, është vendi që më mungon më shumë me një qytetari për tu patur zili. Por emocione kohët e fundit më krijon edhe Kosova, me bujarinë e Ferizajt, Prishtinës e Mitrovicës. Sidoqoftë Tirana mbetet zemra e shqiptareve, kryeqendra që na bashkon të gjitheve, ashtu si Nju Jorku që nuk është i askujt, por i të gjithëve.

A ke një mesazh për aktorët e rinj në Shqipëri që e shohin të ardhmen jo dhe aq motivuese sa kjo e juaja?

Mesazhi im është të punojnë shumë me aktrimin e të improvizojnë gjëra brenda kapacitetit të tyre që të kënë mundësi të tjerët të dallojnë talentin e tyre dhe për ta shfaqur jashtë kufinjve. Mos të lakmojnë njerëzit e pa dobishëm që kanë pushtuar rrjetet sociale apo faqet rozë, sepse ata nuk janë artistë, ata janë produkt një përdorimsh për nevojat e shoqërisë. Do vijë dita ashtu si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që edhe në Shqipëri çdo gjë të flitet vetëm për aktorët dhe jetën e tyre artistike. Por, do pak durim sepse shpirti i aktorit nuk vdes kurrë, ashtu siç po e përballojnë sot legjendat e kinematografise shqiptare Tinka Kurti, Robert Ndrenika, Timo Flloko, Margarita Xhepa, Zef Bushati etj, qe sado gjenerata e smartphon-it bën punën e vet ata janë të skalitur në shpirtrat e njerëzve dhe janë të përjetshëm në breza. Më vjen keq, për të gjithë këta, se po të kishin kapërcyer në industrine hollivudiane, sot nuk do ishin të braktisur nga shteti e institucionet , por do ishin personalitetet më të shquar të vendit. Gjithesesi ata janë një frymëzim i talentit dhe i sakrificës për gjithë plejadën e re të aktorëve shqiptarë të mbushur me talent.

 

Të fundit