Flash News

KRYESORE

Gazetarët përballë Covid-19/ Alma Demiraj: Kujt i vë notën 10 në këtë emergjencë  

Pandemia Covid-19, e cila ka prekur prej gjashtë javësh edhe vendin tonë, ka vënë gazetarët përballë shumë sfidave të reja.

Përcjellja e lajmit të saktë dhe në kohë reale për qytetarët tashmë të izoluar në shtëpi, nuk është më e lehtë pavarësisht përvojës se çdo gazetari.

Alma Demiraj, gazetarja që mbulon fushën e shëndetësisë në Top Channel tregon për Politiko.al vështirësitë që ka ndeshur gjatë situatës së pandemisë, duke nisur që nga mbledhja e mëngjesit në oborrin e ambienteve të televizionit, frika nga rreziku se një ditë mund të dërgojë covid-19 në shtëpi, aty ku e presin dy të vegjlit e saj binjakë.

Tashmë, prej më shumë se një muaj të gjitha raportimet thuajse janë përqëndruar në situatën e krijuar prej pandemisë Covid-19. Çfarë ka ndryshuar nga dita normale e raportimit ?

Që nga nisja e epidemisë së Covid-19 në vendin tonë ka patur shumë ndryshime në raportim.

Duke filluar që nga mbledhjet e mëngjesit, që tashmë nuk i zhvillojmë  më brenda ambienteve të Top Channel, por në oborr, duke ruajtur distancën larg njëri-tjetrit mbi një metër e gjysmë dhe po kështu, kur nisemi drejt Spitalit Infektiv për të raportuar, druajmë nga njëri-tjetri edhe pse të tre me maska dhe duke dezinfektuar shpesh duart, mikrofonin që mbajmë në dorë gjatë gjithë kohës.

E njëjta procedurë vijon edhe kur shkojmë në vendngjarje, mundohemi që të ruajmë çdo distancë, duke respektuar në maksimum udhëzimet në mënyrë që të ruajmë veten për të mos u infektuar, e më tej edhe familjarët tanë kur kthehemi në shtëpi.

Sa e vështirë ështe të punosh në kushtet e një pandemie, ku thuajse gjithçka ështe izoluar dhe e karantinuar?

Kjo situatë ka sjellë me vete të gjitha vështirësitë e veta pasi edhe për të realizuar një intervistë tashmë nuk është aq e thjeshtë.

Mundohemi të marrim infromacionet nëpërmjet telefonit, pra nuk mund t’i kontaktojmë më burimet tona të lajmit.

Për shkak të kësaj situate nuk kam mundur të kontaktoj nga afër mjekët që janë në shërbim shëndetësor brenda spitalit Infektiv, pikërisht aty ku janë trajtuar rastet me Covid-19, por i kam kontaktuar ata vetëm me telefon dhe këtu ndryshon situata pasi nuk është njësoj kur i kontakton fizikisht dhe e njëjtë kur informohesh me telefon.

Në këto kushte, kemi zgjedhur edhe rrugën tjetër duke i intervistuar përmes Skype. Kjo është pak më ndryshe pasi teleshikuesi më shikon që unë vërtet e kam realizuar atë intervistë dhe dëgjon vetë atë çka më thotë i intervistuari im.

Bëhet fjalë kryesisht për mjekët e shërbimit Infektiv, mjekët e spitalit Covid 2 “Shefqet Ndroqi”, ekspertë të ndryshëm në fushën e shëndetësisë.

Jam munduar të përcjell çdo informacion të detajuar duke nisur që nga mënyra se si t'i ruhemi Covid 19, rregullat e larjes së duarve më mirë me sapun dhe në mungesë të tij të përdoren dezinfektantët, deri tek gjendja shëndetësore e pacientëve në Spitalin Infektiv, ditë pas dite, fatkeqësisht edhe humbjet e jetëve të cilat tani në javën e gjashtë të epidemisë së Covid 19 janë shënuar 25.

Si ndikon një situatë si kjo e sotmja ne karrierën e nje gazetari?

Kjo varet, është relative. Për mua që kam shumë vite që mbuloj fushën e shëndetësisë është një ekseperiencë e re, përballja me një virus kaq agresiv. Më herët kemi pasur situaten e krijuar nga AH1N1 apo pandeminë e gripit të derrit që në vendin tonë konsiderohej paksa më i rrezikshëm sepse ka shkaktuar edhe humbje jete.

Kam kaluar një sërë situatash të tjera, por jo kaq e vështirë sa kjo e sotmja sepse në raste e tjera nuk është marrë masë asnjëherë vendim për të karantinuar të gjithë vendin.

Kjo ka paralelisht edhe frikën se një ditë mund të infektohemi edhe vetë, pasi siç dihet, janë infektuar edhe mjekët, apo anëtarët e Task Forcës (4 anëtarë).

Madje ishin ata që na thonin vazhdimisht që të respektonim rregullat dhe për të ruajtur distancën dhe ata ishin të parët që u infektuan vetë.

Ishte e pashmangshme pasi bëhet fjalë për një virus të panjohur dhe as vetë mjekët nuk kishin informacion.

Gjithçka erdhi duke u përditësuar, por nga ana tjetër duke sjellë edhe një eksperiencë të re edhe për ne gazetarët. Sa i përket karrierës varet si e shikon, është relative pasi mund të ndodhë edhe e kundërta, pasi mund të bësh gabime trashanike dhe karriera të merr për keq.

A keni frikë se mund të infektoheni?

Sigursisht, kam patur frikë në ditët e para kur virusi ishte i panjohur, që kur hynim në grup, sepse puna jonë funksionon në grup (operatori dhe shoferi), përpiqeshim të mos kthenim fytyrën nga njëri-tjetri, të maskuar, duke dezinfektuar shpesh duart, pasi frika ekzistonte.

Po infektoheshin personel mjekësor. Tek e fundit ne tek ata i kishim të gjithë sytë. Frika ekzistonte edhe kur kontaktonim njerëz që nuk e dinim se me kë kishin kontaktuar më herët, pra ka qenë njëlloj si në ditët e para dhe vazhdon edhe sot në javën e gjashtë të epidemisë, ndonëse të dhënat duken optimiste.

Ka një qëndrueshmëri të rasteve të reja që shfaqen në 24 orë, po kështu ne nuk na u mbushën spitalet plot, sikundër i ndodhi Italisë fqinje, ku sistemi shëndetësor hyri në kolaps.

Kujt do i vinit notën 10 në këtë emergjencë?

Ndoshta jo notën 10. Sa i përket masave të menjëhershme që u ndërmorën unë e vlerësoj faktin që u morën vendimet e duhura, menjëherë nisi izolimi, u mbyllën të parat fluturimet, dhe nisi dy-tre ditë nga konfirmimi i rastit të parë me coronavirus në Shqipëri.

I gjithë vendi hyri në karantinë në mënyrë që të frenohej zinxhiri i përhapjes së virusit dhe kjo ishte gjëja e duhur që bëri që ne të mos kishim shifra të larta si të infektuarve, po ashtu edhe atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore në të dy spitalet Covid, pasi mund të na ndodhte që të dy spitalet të tejmbusheshin, të kishim një numër të lartë të viktimave, pasi sikundër të gjitha vendeve, edhe sistemi ynë shëndetësor ishte i papërgatitur por fatmirësisht, falë këtyre masave që u ndërmorën menjëherë nga qeveria mendoj se ishte vendimi i dihur për të mos patur një situatë ndoshta më të vështirë. Do i jepja vlerësim maksimal, por jo notën 10.

Si po i menaxhoni veshtirësitë e të qenurit veçse nje gazetare terreni, por edhe nëna e dy djemve të vegjël, për më tepër binjakë, për të cilët përkushtimi është i dyfishtë?

Aa tani më keni prekur aty ku më dhemb çdo ditë. Kjo sepse çdo ditë kthehem me frikën se mos kam rënë në kontakt me virusin dhe do ia çoj dy të vegjëlve të mi.

Që të jem e sinqertë, është e vështirë sepse duhet të kujdesem në maksimum edhe për ata.

Por, si çdo nënë për femijët e saj, nuk lejoj që kjo vështirësi që na solli Covid-19 të cënojë sado pak kujdesin ndaj dy të vegjëlve të mi.

Çdo mëngjes është sfidë sepse duhet të bëj furnizimet herët, sigurisht shumë fruta e perime që përmbajnë vitaminë C, siç na kanë thënë mjekët, sepse kur unë kthehem është mbyllur gjithçka.

Mundohem që të gjej pak kohë për veten që të jem sadopak e kuruar në raportimet live. Madje, shpesh teksa mbyll derën më shoqëron deri te ashensori zëri i fëmijëve: “mami, ti duhet ta rrahësh virusin  dhe kthehu shpejt”.

Nxitoj për të arritur në kohë mbledhjen e mëngjesit dhe pas një dite të lodhshme ku numëron cdo rast pozitiv me Covid, kur kthehesh në shtëpi janë ata që të hapin derën të parët dhe që gëzojnë se u kthye mami.

Por ti as nuk i përqafon e puth dot, por u thua ‘largohuni sa të laj mami duart më parë’.

Duke i lënë ashtu të zhgënjyer, rend në tualet për të larë duart dhe fytyrën dhe vetëm pasi jam siguruar se vertet bëra atë që kanë thënë mjekët infeksionistë, ateherë të jem e sinqertë i puth e i përqafoj.

Po këtu nis gjithçka nga e para se më duhet t’i ushqej, të luaj pak me ta dhe mesojmë të shkrujmë numrat që na sugjerojnë edukatoret online.

Politiko.al/S.Gj

Të fundit