Flash News

KRYESORE

Gazetarët përballë Covid-19/ Doris Sallaku: Në fillim të ‘luftës’ isha e bindur se do të infektohesha

Gazetarët janë ata që bëjnë orare të dyfishta gjatë këtyre ditëve që po përballemi me pandeminë, duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre, për të njohur publikun me informacionin e fundit.

Doris Sallaku, që raporton situatën nga Covid-19 në Report Tv, në rrëfimin që ndau me Politiko.al zbuloi se në fillim të kësaj ‘lufte’ kishte bindjen e plotë se dhe ajo vetë do të infektohej nga koronavirusi gjatë kontaktit në terren.

Për Doris pothuajse e gjithë dita mbyllet me punë, edhe kur fizikisht nuk ndodhet në krye të detyres. Rutina ditore i ka ndryshuar komplet dhe më shumë nga ky izolim e ‘vret’ pamundësia për të takuar nipin e vogël.

Megjithatë, gazetarja bie dakort me masat e izolimit, e madje beson se për momentin izolimi është ‘Vaksina’ e vetme për ta mposhtur virusin.

Cilat janë vështirësitë e raportimit në terren gjatë situatës me pandeminë?

Vështirësitë e raportimit në terren janë nga më të ndryshmet. Ekspozimi çdo ditë me orë të tëra pranë spitaleve apo në ambiente ku je e rrethuar me njerëz sigurisht që të bën më të riskuar për tu infektuar. Raportimi me maska dhe doreza gjithë kohës krijon pak lodhje dhe diskomfort, por që janë pjesë e pashmangshme. Unë mbuloj sektorin e Sociales ku përfshihet dhe Shëndetësia, ndaj me situatën e covid dita për mua nis shumë herët, edhe pas përfundimit të punës në terren, në çdo kohë jam me telefon në dorë duke u interesuar për situatën. Ndaj ndonëse jo fizikisht, puna për mua mbaron në mbrëmje vonë.

Si po e përjeton këtë periudhë, jeta mes Covid dhe normalitetit?

Covid-19 ka ndikuar në shumë aspekte, si atë profesional dhe atë personal. Javët e para isha më tepër e frikësuar dhe isha e sigurt që dhe unë do infektohesha. Por me kalimin e ditëve, pak nga pak raportimi nga infektivi filloi të bëhej pjesë e normalitetit. Për mua pjesa më e vështirë e gjithë kësaj situate është pamundësia për të takuar nipin e vogël, duke humbur çdo ditë ato ndryshimet e vogla të fëmijëve. Por mendoj se raportimi çdo ditë për të informuar qytetarët dhe për ti ndërgjegjësuar sado pak do ja vlejë që kjo situatë të mbaroje sa më shpejt.

Sa ta ka ndryshuar rutinën e përditshme virusi?

Rutina e përditshme më ka ndryshuar komplet. Çdo mëngjes nis me raportim tek infektivi, aty ku bashkë me koleget kalojmë dhe pjesën më të madhe të ditës. Ndonëse çdo aktivitet është ndalur puna jonë vijon me më shumë intesitet me qëllimin e vetëm informimin në kohë reale për çdo rast të konfirmuar apo të dyshuar me qellimin e vetëm informimin në mënyren më të saktë për publikun. Nëse më parë mendonim tema të ndryshme për ti trajtuar, tashmë gjithçka është e fokusuar tek koronavirusi.

Ke menduar se mund të infektohesh dhe ti gjatë raportimit dhe të rrezikosh edhe familjarët?

Shqetësimi kryesor që me shfaqjen e rasteve të para dhe raportimit çdo ditë nga spitali i infektivit ka qenë rreziku i transmetimit tek familjarët. Kjo është një frikë që vazhdon më shoqëron çdo ditë, por më ka bërë që të tregohem shumë e kujdeshme. Sigurisht që mundohem  të kem sa më pak kontakt me familjarët dhe sapo hyj brenda në shtëpi nis procesi i dezifektimit.

Si ka qenë bashkëpunimi i qytetarëve dhe policisë gjatë kohës kur raporton?

Unë personalisht kam pasur bashkepunim të mirë si me mjekë ashtu dhe me policë. Por dhe qytetarët që kemi marrë në pyetje gjatë situatave të ndryshme dhe ata jane treguar mirëkuptues. Duke qenë se të gjithë jemi për një qellim në këtë beteje me koronavirusin deri tani çdo gjë ka shkuar mirë.

Si gazetare sa dakord je me masat e qeverisë në frenimin e Covid-19?

Gjatë raportimit, përballem çdo ditë me rastet e reja që rezultojne mbartës dhe nga ajo çfarë ne raportojmë shumica e tyre vjen si pasojë e mos respektimit të rregullve bazë, një prej të cilave është mos ruajtja e distancës që më pas sjell kontaktin fizik dhe bën të pashmangshëm përhapjen e virusit. Kështu që në këndvështrimin tim, masat për izolim dhe ruajta e distancës, por pse jo dhe ndëshkimi për këdo që nuk merr seriozisht dhe thyen rregullat bazë në luftën kundër kësaj pandemie janë menyra e duhur për tu mbrojtur. Do të thoja Vaksina e momentit për të luftuar dhe fituar betejën me këtë virus të rrezikshëm.

Politiko.al/ V.Sh

Të fundit