Flash News

KRYESORE

Gazetarët përballë COVID-19/ Osman Stafa: Në zonë lufte gazetarët kanë një marrëveshje “të mos prekën”, por jo kësaj radhe

Në raste krizash, qasja në informacion të besueshëm është thelbësore. Dhe tani, me COVID-19, gazetari e mirë që i siguron publikut informacion të besueshëm dhe faktik mund të shpëtojë jetë. Gazetaria që raporton për COVID-19, rreziqet dhe zhvillimet e saj në shëndet, u jep përgjegjësi qeverive dhe mbulon histori që jetojnë brenda shoqërisë.

Shumë gazetarë – anë e mbanë botës – pranojnë se asnjë nga ngjarjet që kanë mbuluar në karrierën e tyre nuk krahasohet me ngjarjet e javëve të fundit.

Kur gazetarët mbulojnë kriza, tragjedi dhe katastrofa intervistojnë njerëzit e prekur prej tyre, ata përballen me një detyrë të ndërlikuar: të mos shkaktojnë dëm shtesë për viktimat, ndërsa në të njëjtën kohë të kujdesen për shëndetin e tyre.

Osman Stafa po raporton që prej ditës kur u shfaq rasti i parë me koronavirus, nga terreni për Neës2. Megjithëse është një gazetar i ri, Osmani ka një eksperiencë raportimi në disa momente vërtetë të vështira që ka kaluar Shqipëria, siç ishte dhe tërmeti.

Historitë njerëzore dhe fusha e shëndetësisë janë një pikë e fortë e Stafës, i cili edhe kur kamerat fiken, vazhdon të bëjë punën si gazetar dhe si një qenie humane.

Në një intervistë për Politiko, Osmani tregon gjithë eksperiencën e tij këto javë si dhe flet për iniciativën që ka ndërmarrë për të ndihmuar të moshuarit dhe familjet në nevojë në një kohë të tillë krize të shkaktuar nga pandemia globale e COVID-19.

Si e ke përjetuar këtë periudhë, jeta mes COVID-19 dhe normalitetit?

Ditët që po kalojmë janë të vështira. Po përballemi me një të panjohur, e cila ka bërë mbarë botën të mbajë frymën. Dhe armiku me të cilin po përballemi është i rrezikshëm,  nuk të fal, nuk të toleron, por sapo gjen terren. Infekton. E më pas të dërgon në stadin, kur duhet të luftosh për jetën. Personalisht, në fillim, duhet ta pranoj që isha pak ne stres, sepse nuk e njihnim çfarë ishte. Informacionet nuk i përngjanin njëra-tjetrës. Me kalimin e kohës, kuptuam që sekreti për të mos u infektuar është të mbash distancën, të mbash maskë, e doreza, të lash duart. Këto i kam zbatuar me përpikëri gjatë kohës që kam qenë në terren. COVID-19, na nxori nga normaliteti, na futi në një regjim tjetër, ku nuk e kishim provuar. Na privoi nga të afërmit, miqtë, kolegët, prindërit, gjyshërit. Më mungon normaliteti, ashtu siç i mungon çdokujt nga ne, por për ta pasur përsëri normalitetin, na duhet të bëjmë durim dhe të zbatojmë masat e ndërmarra nga ekspertët.

 Çfarë të bën më shumë përshtypje, të trondit apo të gëzon?

Unë e kam ndjekur këtë situatë që prej fillimit nga terreni. Më shqetëson që shumë njerëz dalin nëpër rrugë, më shqetëson fakti që nuk mbrohen, më shqetëson fakti që në lagje të ndryshme, dalin dhe mblidhen bashkë për të bërë muhabet, apo për të pirë diçka, me shqetëson kur shikoj lokale të hapura nëpër rrugë të ndryshme, më shqetëson kur shikoj të moshuar nëpër rrugë.

Sa i përket të moshuarve, duhet me patjetër që ne të rinjtë të aktivizohemi. Sikur vetëm të moshuarit që kemi nëpër pallate, apo komshi në lagje, të kujdesemi, mjafton. Mosha e tretë është më e rrezikuara nga COVID-19, prandaj ne të gjithë të rinjtë, duhet t’u bëjmë atyre pazarin, që ata të mos dalin nga shtëpia. Përveçse vullnetarizëm, sot kjo për ne është detyrë, për të mbrojtur jetën.

Më trishton numri i madh i familjeve që këto ditë të vështira po vuajnë për ushqimet më bazike. Vet-karantinimi ka bërë që ata të mos punojnë e si pasojë të mos fitojnë më të ardhura. Kjo bën që shumë qytetarë të kenë vështirësi të mëdha, sa i përket sigurimit të bukës së gojës. Puna në terren më ka bërë të shoh shumë raste të tilla. Familje pa shpresë, pa asnjë mundësi, që sytë i kanë nga organet vendore dhe organizatat bamirëse.

Ajo çfarë më ka gëzuar është solidariteti, mes njëri-tjetrit. Unë që prej fillimit të Covid-19, kam ndërmarrë një nismë për t’u ardhur në ndihmë familjeve të varfra, duke u siguruar pako ushqimore të llogaritura për dy javë. Në këtë nismë më janë bashkuar shumë njerëz të mirë, biznesmenë, deputetë, prokurorë, gazetarë, miq të mitë, të cilët kanë ndarë diçka nga tryeza e tyre për ata që gjenden në vështirësi të madhe.

Me kë je më shumë i kënaqur?

Për tokën jam i kënaqur. Raportet po tregojnë se toka po merr frymë. Nuk ka më ndotje. Dhe shpeshherë më vjen në mendje një pyetje. Kaq keqdashës të vetes jemi, sa dëmtojmë pafund shtëpinë tonë? Jam i kënaqur për kafshët, gjithashtu po shëtisin të lira nëpër rrugë dhe pa u bezdisur nga askush. Njeriu duhet të nxjerrë mësime nga kjo çfarë po kalon bota.

Si ndryshon jeta dhe raportimi para COVID-19 me këtë tani?

Unë mbuloj gazetarinë politike dhe normalisht ditët për mua ne një situatë normale janë goxha me ritëm, për shkak edhe të specifikës së politikbërjes në Shqipëri. Gjithçka ishte rutinë dhe ishim mësuar me të. Ngjarje të ndryshme politike, konferenca, protesta, manifestime, por pasditja ishte për ty, për familjen, për miqtë.

Ndërsa tani ka ndryshuar çdo gjë. Ti ikën në punë dhe nuk e di se kur do të kthehesh, kjo në varësi të ngjarjeve apo lajmeve. Ti sot del, por ama del me frikën së pa dashur mund të infektohesh. Dhe kjo, akoma s’është frika jote më e madhe. Frika më e madhe janë familjarët e t’u. Kjo është ajo çfarë më mundon dhe më ka mundur gjatë kësaj kohe pandemie. Gazetarinë e dua, e kam pasion, me jep adrenalinë, por ama kur kthehem në shtëpi, pas punë, jam në merak të madh dhe i shqetësuar. Prandaj edhe kujdesin përpiqem ta kem maksimal.

Si e përjeton familja punën tënde të përditshme?

Familja padyshim nuk ndalet se më mbështeturi, por edhe se këshilluari për të pasur për vete kujdes. Natyrisht meraku i tyre është goxha i madh, sepse kur të gjithë janë në shtëpi, ti duhet të jesh në krye të detyrës. Janë në merak sepse atje jashtë jemi në një rrezik më të madh për t’u infektuar.

Sa e vështirë është për një gazetar të raportojë në kushte pandemie?

Është më e vështirë se në një kohë lufte me plumba të vërtetë. Kjo sepse në një zonë lufte, ka një marrëveshje që gazetarët nuk preken. Por kjo lufta tani, nuk e ka këtë marrëveshje. Pra edhe gazetarët janë të rrezikuar. Kjo është vështirësia që ka një gazetar, se përveç se duhet të raportoj, përsëri nuk është e qetë. Pa dashur mund të bëhet mbartës, e kështu mund të kthehet ne një rrezik edhe për të dashurit e tij.

A të ndihmon kjo situatë për karrierën si gazetar?

Çdo ngjarje e rëndë, situatë e vështirë, ashtu siç ishte edhe përjetimi që kishim nga tërmeti, padyshim që e rrisin nga ana profesionale një gazetar. E bëjnë me te zotin, me te sigurte ne kontrollin e situatave te caktuara. Ne fund te fundit eksperienca është mësuesja e të gjitha gjërave.

Politiko.al/d.z

Të fundit