Flash News

KRYESORE

Gazetari "i jep të drejtë" Bylykbashit: E ka shpjeguar qartë ligjin për zgjedhjet; ja pse Rama nuk pranon ‘McAllister+’

Gazetari "i jep të drejtë" Bylykbashit: E ka shpjeguar

Gazetari Endri Xhafo ka dhënë pikëpamjen e tij për vendimin e kryeministrit Edi Rama për të mos pranuar paketën ‘McAllister’, e cila shihet si çëlësi që do të zgjidhë krizën politike.

Xhafo shkruan se nga kjo situatë, ku zgjedhjet organizohen pa opozitën, dy partitë që dëmtohen më shumë janë PD dhe LSI, ndaj Rama nuk pranon marrëveshje.

Sipas gazetarit, janë PS dhe disa parti të vogla që do përfitojnë nga të tilla zgjedhje dhe kjo është arsyeja përse Rama nuk pranon atë që ishte i gatshëm të pranonte një muaj më parë.

Sa i përket argumentave të kryeministrit për pamundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve, Xhafo sugjeron reagimin e deputetit të PD-së, Oerd Bylykbashi, që sipas tij ka shpjeguar shumë qartë të vërtetën për këtë çështje.

Reagimi i plotë i Endri Xhafos:

Pse Rama nuk e pranon më paketën McAllister?

Nuk kuptoj pse vazhdon akoma bëhet kjo pyetje, kur gjërat janë shumë të qarta! Që nga koha kur David McAllister erdhi në Tiranë, Rama:

1) zgjidhi ekuacionin LSI, duke e "degdisur" Metën në Presidencë, por duke siguruar pjesëmarrjen e LSI-së në zgjedhje;

2) siguroi pohimet e komunitetit ndërkombëtar, - fillimisht Gjermani, pastaj OSBE, pastaj vetë BE nëpërmjet Hahn, e tani edhe SHBA, - se zgjedhjet e 18 qershorit do të njihen si legjitime, pavarësisht bojkotit të opozitës!

Përfundimi:

1) Rama nuk është i detyruar të bëjë koalicione paszgjedhore politikisht dhe financiarisht "të kushtetueshme" për PS-në, dhe

2) Rama, që nga shtatori, vetting-un mund ta bëjë si të dojë me të ashtuquajturën "opozitë të emëruar"!

Cilat forca politike dalin të humbura nga kjo?

1) Në afat të shkurtër vetë PD, sepse të qenit jashtë parlamentit ka si kosto politike, po aq edhe financiare (shumë kryetarë degësh kanë vetëfinancuar aksionet e ndryshme, me shpresën se do të bëheshin deputetë, duke shpresuar kthim mbrapsht të investimit politiko-financiar; PD thotë se në afatgjatë do të fitojë demokracia dhe shpreson që qeveria nuk do të mund të qeverisë në kushtet e një bojkoti dhe mosbindje civile);

2) LSI, e cila faktorizohet vetëm nga pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje!

Cilat forca politike dalin të fituara?

1) Partitë e vogla jashtë kampit opozitar, të cilat, nga mungesa e PD-së, shpresojnë të nxjerrin ndonjë deputet, pavarësisht se ky sistem zgjedhor favorizon në fakt koalicionet, por gjithsesi, duke qenë se askush nuk do të prezantohet në koalicion, ekziston ndoshta mundësia të marrin mjaftueshëm vota në qarqet e mëdha për të nxjerrë ndonjë deputet;

2) vetë PS, për arsyet që përmendëm më sipër.

Për këto arsye, që janë kaq të qarta, Rama nuk pranon më atë ishte gati të pranonte 1 muaj më parë! Të gjithë argumentat e tjerë, se ligji nuk e lejon, se s'ka kohë për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, etj.etj., i ka shpjeguar shumë qartë Oerd Bylykbashi sot, ndaj s'kam ndërmend të ndalem.

Të fundit