Gazetari i Top Channel lajmëron shtyrjen e zgjedhjeve në Bruksel. Juncker dhe Rama komentojnë ‘përçartazi’

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu ndodhet në Bruksel, ku eshte i pranishem në konferencën për shtyp mes presidentit te Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe kryeministrit Edi Rama. Veliu i pyeti se çfarë mendojnë për vendimin e presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Junker insistoi se ky është një debat i brendshëm. “Nuk dua te hyj ne ketë debat te brendshëm. Nëse zgjedhjet duhet te organizohen, askush nuk duhet t’i ndalojë te shprehin pikëpamjet e tyre. Nëse jo, do te dëmtojnë perspektivën Evropiane të Shqipërisë”, pohoi Junker që u duk se nuk ishte i informuar plotësisht mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.

Ndërsa Rama deklaroi shkurtimisht se “mbështes deklaratën e presidentit (i referohej Junkerit)” dhe se do “të flasim kur të kthehem”.

Presidenti Ilir Meta është shprehur se zgjedhjet nuk mund të organizohen pa u arritur një marrëveshje mes palëve politikë. “Pluralizëm zgjedhje të lira dhe unitet. A ka ndonjë që beson se zgjedhjet e 30 qershorit do të ishin të lira dhe demokratike dhe shqiptarët do të shprehin vullnetin e tyre? Ju jeni të rinj, por ka një dallim mes zgjedhjeve dhe votimeve, shqiptarët kanë nevojë për zgjedhje jo votime, se ashtu kanë pasur 45 vite”, ka argumentuar sot kreu i shtetit.