Flash News

KRYESORE

Gazetari shqiptar në Bruksel tregon përvojën me Covid-19: Si u infektuam të gjithë në familje. Tani jam shëruar, por kam humbur nuhatjen

Gazetari shqiptar, Albi Xhunga, i cili jeton prej shtatë vitesh në kryeqendrën e Belgjikës, në Bruksel, ka rrëfyer përvojën e tij me Covid-19, virusi që ka shkaktuar në mbarë botën mbi dy milionë të infektuar dhe mijëra të vdekur.

Në një intervistë për Politiko.al, Xhunga tregon se virusin Covid-19 e ka kaluar në një formë krejt të lehtë, me simtoma që kanë zgjatur vetëm tri ditë, si dhe ka mundur të mësojë për infeksionin vetëm pasi është shëruar.

Gazetari shqiptar rrëfen se si e përjetoi e gjithë familja e tij, ndërsa vjehrri vazhdon të trajtohet në spital prej tri javësh.  

Albi flet edhe mbi masat që ka marrë Belgjika, e cila javën që kaloi kishte numrin më të madh të vdekjeve për një milion banorë në botë dhe si e komenton situatën e pandemisë në Shqipëri.

Ju jeni ndër ata persona që u infektuat me Covid-19. Cilat ishin simptomat që përjetuat, si e kuptuat që jeni prekur prej virusit të ri?

Po, jam një nga personat e infektuar me Covid-19, por këtë e mësova pasi isha shëruar pasi testet këtu ishin të rezervuara vetëm për personat që shtroheshin në spital me simptoma të rënda.

Unë përfitova nga një studim i Fakultetit të Mjekësisë të Mons, i cili donte të vërtetonte lidhjen e simptomës së humbjes së nuhatjes me Covid-19.

Ata më bënë testin e depistimit i cili rezultoi negativ. Por mjeku mendoi se testi ishte bërë shumë vonë dhe unë ndërkohë mund të isha shëruar. Atëherë ai vendosi të më bëjë një analizë gjaku, e cila tregon nëse personi ka qenë i infektuar dhe nëse në gjak ka prezencë antitrupash.

Ishte pikërisht kjo analizë që konfirmoi se unë kisha qenë i prekur më parë sepse kisha prezencë antitrupash në gjak. Humbja e nuhatjes ishte në fakt simptoma ime e parë, shoqëruar në ditët në vijim me pak ethe, temperaturë deri 38° dhe pak diarre.

Me pak fjalë unë pata një formë shumë të lehtë të Covid-19 me simptoma që nuk zgjatën më shumë se tre ditë. Si pasojë kam vetëm humbjen totale të nuhatjes e cila vazhdon akoma edhe tani që jam i shëruar.

Tani që jeni shëruar, a vazhdoni t’u rrini strikt rregullave të rekomanduara nga autoritetet, si larja e shpeshtë e duarve, distancimi etj., pasi ka patur studime se të shëruarit, mund të infektohen dy herë...

Eshtë e vërtetë që ka lajme për njerëz të riinfektuar me Covid-19. Janë rreth 90 raste në Korenë e Jugut. Por, duhet thënë se ekspertët mendojnë se nuk është 100% e sigurt se bëhet fjalë për një rikthim të virusit tek personat që e kanë kaluar atë më parë.

Mendohet se këtu mund të kemi të bëjmë me marzhin e gabimit të testeve për persona që kanë qenë ende bartës të virusit, por që testet i kanë nxjerrë gabimisht negativë.

Unë personalisht do vazhdoj të bëj kujdes derisa këto dyshime të sqarohen dhe të jem i sigurt që nuk mund të ketë një rikthim i virusit tek personat e shëruar.

Si është gjendja aktuale në Belgjikë, cilat janë masat që ka marrë qeveria në luftën ndaj coronavirus?

Belgjika javën që kaloi kishte numrin më të madh të vdekjeve për një milion banorë në të gjithë botën. Mirëpo, si rezultat i masave që janë marrë, si karantina masive, mbyllja e çdo biznesi që nuk konsiderohet si shërbim i nevojës së parë, mbyllja e shkollave etj, numri i personave që humbin jetën, që shtrohen në spital apo që trajtohen në terapi intensive, po bie ndjeshëm.

Kjo po bën që qeveria të fillojë të mendojë për një dalje progresive nga karantina. Karantina ishte vendosur deri më 4 maj dhe nuk dihej nëse do zgjaste përtej kësaj date apo jo. Por tani ekspertët i kanë sugjeruar qeverisë që një hapje progresive është e mundur në kushtet aktuale.

A ka shqiptarë të tjerë të infektuar në Belgjikë?

Kjo është pyetje e vështirë pasi autoritetet japin numrin e të infektuarve, por jo nacionalitetin e tyre. Por shqiptarë të tjerë të infektuar ka. Unë nuk mund të jap numrin e tyre pasi nuk ka asnjë të dhënë për këtë, por mund t’ju them se në familjen time ne jemi të gjithë të prekur.

Unë dhe vjehrri im (shqiptar) jemi raste tashmë të konfirmuara. Unë, siç ju thashë, bëra analizën e gjakut, ndërsa vjehrri ndodhet në spital prej më shumë se tre javësh.

Ai pati një formë të ashpër të sëmundjes dhe mjekëve iu desh ta trajtonin 24 orë në 24 me maskë oksigjeni. Fatmirësisht, tani gjendja e tij është stabilizuar.

I kanë hequr oksigjenin dhe ndoshta në fundjavë pritet të dalë nga spitali. Gjithashtu, kunati im kaloi një formë jo të lehtë të sëmundjes, duke qëndruar plot dy javë në regjim shtrati me temperaturë dhe simptoma të tjera të virusit.

Vjehrra dhe bashkëshortja ime (shtatzanë 6 muajshe) kishin simptoma të lehta. Duke parë simptomat, por dhe duke llogaritur faktin se kanë bashkëjetuar me persona të prekur, ne mendojmë se edhe ata kanë qenë të prekur.

A e ndiqni situatën në Shqipëri dhe si e komentoni?  

Situatën në Shqipëri e ndjek me vëmendje. Shqipëria fatmirësisht është prekur shumë pak nga virusi. Kjo edhe pse masat mund të kenë ndikuar në mospërhapjen e sëmundjes. Unë jam nga ata që mendojnë se Europa u gjend e papërgatitur për shkak se Covid-19 u nënvlerësua. Në fillim flitej për një virus të lehtë që vriste shumë më pak se gripi normal. Pra, u reagua me një vonesë fatale.

Shumë politikanë në Europë dhe ShBA po fajësojnë Kinën për mosdhënie informacioni në kohë dhe për fshehje të gjendjes reale. Por ka specialistë që kanë folur këto ditë duke thënë se kjo nuk i justifikon masat e vonuara në Europë dhe ShBA.

Duke parë se Kina aplikoi karantinën që në muajin shkurt, një rajon me dhjetra milionë banorë, Europa dhe ShBA-ja duhet të kishin reaguar. Mirëpo vetëm në mes të marsit u morën masat e para dhe pasojat i pamë të gjithë.

Qeveria shqiptare reagoi, por reagoi me vonesë. Fakti që këtë vonesë e patën edhe homologët e tyre europianë nuk i justifikon. Dhe kjo e bën nul një përpjekje të propagandës pro-qeveritare për një menaxhim të shkëlqyer të krizës. Shqipëria nuk pati pasoja të mëdha, por mund të ishin shpëtuar edhe ato jetë që u humbën. Për shembull ndalimi i udhëtimeve me Italinë (duke parë degradimin e situatës atje) mund dhe duhet të ishtë bërë më shpejt.

Një mesazh për të gjithë ata që janë të infektuar dhe po luftojnë me Covid-19...

Atyre që aktualisht janë të prekur nga Covid-19 do t’iu thoja të jenë pozitivë. Shumica dërmuese e të prekurve nga virusi shërohen plotësisht dhe pa pasoja. Duke parë lajmet në këto ditë krize të krijohet përshtypja se po bëhet nami.

Mirëpo duhet parë edhe ana tjetër e medaljes. Nëse hyn tani në Ëikipedia mund të shohësh se gripi normal vret çdo vit nga 250.000 deri në 650.000 persona në të gjithë Botën. Deri tani shifrat e viktimave nga Covid-19 janë në total rreth 180.000. Me pak fjalë askush nuk ka pse të panikohet.

Politiko.al/S.Gj

Të fundit