Flash News

KRYESORE

Gazment Bardhi: Rama po zhbën reformën për të rikthyer institucionet e kalbura të sistemit të vjetër të drejtësisë

Gazment Bardhi: Rama po zhbën reformën për të rikthyer

Ish-ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi, duke ju referuar deklaratës së ministres Gjonaj tha se ajo u përpoq të mbrojë me propagandë dhe sulme kundër opozitës përpjekjen për të bllokuar reformën në drejtësi me qëllimin e vetëm bllokimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të hetojë qeveritarët e korruptuar dhe krimin e organizuar.

“Ligji për Shkollën e Magjistraturës është provë e qartë sesi Edi Rama po zhbën reformën në drejtësi, sepse ky ligj është kthim mbrapa tek institucionet e kalbura të sistemit të vjetër të drejtësisë. Nuk bëhet fjalë për disa studentë, por nëpërmjet këtij ligji, Edi Rama kërkon t’i japë fuqi për emërimin e gjyqtarëve Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një institucion që reforma në drejtësi e shkriu si ngrehinën më të korruptuar në vend. Rikthimi i Edi Ramës tek institucionet e kalbura të drejtësisë pengon ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga të cilët varet ngritja e Prokurorisë dhe Gjykatës Antikorrupsion”, u shpreh Bardhi.

Duke u ndalur tek vettingu, Bardhi tha se përdorimi i tij politik po rrënon besimin e shqiptarëve tek reforma në drejtësi.

“Si po pastrohet pallati i drejtësisë, kur vettingu i kapur prej tij konfirmoi në detyrë: Gjyqtarë dhe prokurorë që kanë deklaruar vila në pronësi të fëmijëve të tyre të mitur, të dhuruara nga prindërit pensionistë; Gjyqtarë dhe prokurorë të cilëve u janë zbuluar prona në bregdet në emër të vëllezërve; Gjyqtarë e prokurorë që kanë blerë pasuri të paluajtshme duke u marrë borxh familjarëve pa të ardhura dhe që banka u ka sekuestruar shtëpinë për mospagim kredie; Gjyqtarë e prokurorë të kapur në flagrancë në përgjime në afera korruptive”, theksoi Bardhi.

Ish-ministri u shpreh se PD nuk do të pranojë bllokimin e reformës në drejtësi dhe kthimin tek institucionet e vjetra para reformës.

“Kushtetuta, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, KLGJ, KLP, Prokuror të Përgjithshëm, SPAK dhe BKH sipas reformës. Kjo është rruga e daljes nga kolapsi dhe kapja politike e drejtësisë nga qeveria e korruptuar dhe e lidhur me krimin”, u shpreh Bardhi.

Të fundit