Flash News

KRYESORE

Genci Fuga kritika për Kumbaron: Unë jam socialist po ti je duke dhënë “goditje nën brez”

Genci Fuga kritika për Kumbaron: Unë jam socialist po ti je duke

Masat që janë duke u marrë nga ana e Ministrisë së Kuturës duket se nuk kanë qenë shumë të mirëpritura sidomos nga disa zëra të artit që nuk kanë ngurar të flasin. Një ndër ta ka qenë edhe regjizori, aktori dhe pedagogu i njohur Genci Fuga që ka shënjestruar drejtpërdrejtë ministren Kumbaro për ndryshimin e ligjit “Për Artin dhe Kulturën”. Problemi më i madh i Fugës duket se qëndron tek mënyra sesi është zgjedhur që të merret ky vendim, pra tërësisht në heshtje dhe pa u konsultuar me ata që janë “të zotët e punës” dhe kjo rrjedhimisht i bie të jetë një “goditje nën brez” që Kumbaro është duke bërë.

Shkrimi i plotë i Genci Fugës mban titullin “Shok punëtorë, pse të merren mendtë?!” dhe mund ta lexoni këtu:

Nga Genci Fuga

“Ministrja e Kulturës, zonja Kumbaro, nuk harron asnjëherë të surprizojë gjithë komunitetin artistik. Kjo është një veçori e punës së saj, edhe në këtë mandat të dytë.

Që në muajin e parë të vitit 2018, i është dashur që të dalë në intervista të ndryshme dhe të na çudisë. Duke shfletuar faqen e internetit të kësaj ministrie, shohim në kolonën e Baza Ligjore – Projektligje, të publikohet, projektligji Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10352, datë 18. 11. 2010. “Për artin dhe kulturës”, të ndryshuar. Ditët e para të vitit 2018, duhet të ishin ditët e “dëgjesave” të platformave të reja të drejtimit të disa institucioneve qendrore artistike, nën varësinë e Ministrisë së Kulturës. Por, kjo nuk ndodhi! Sigurisht, të mbetur pa mandate, disa drejtues, janë pajisur me Urdhërin përkatës, që i përcakton si “të komanduar”.

Por, një drejtor i komanduar, nuk mund të kryej veprime me “të tretët”! Në natyrën e këtyre institucioneve, është një marrëdhënie e ngushtë pikërisht me “të tretët”. Gjithçka kalon në heshtje, derisa opinioni kujtohet e fillon të rendisë hamendësitë e tij: -Përse nuk u morën masa për organizimin e konkurseve për drejtimin e ri të institucioneve qendrore kulturore? Nuk dihet. Ndoshta ju ka dalë nga mendja. Në rast se nuk donte t’i lëvizë, por donte mënyrën si punonin ata, përse i le pa mandate? Se mund të organizohej konkursi dhe të kishim emrat e drejtuesve aktualë, fitues si platforma me e mirë 4 –vjeçare (kjo gjë është e mbrojtur me Ligj).

-Përse i duhen drejtuesit “të komanduar”? Këtu imagjinata merr krahë, dhe, ju siguroj, për keq (për keq d.m.th në dëm të institucioneve publike e interes të komunitetit artistik)Nga ana tjetër, duke parë këto pikëpyetje që venë e vinë, dhe që pikëpyetjet pa përgjigje, kanë veti të shumohen deri në pyetje retorike, Ministrja Kumbaro, bën 2 veprime të radhës: 1- Deklaron që Teatri Kombëtar, “lëviz” tek “Turbina”, dhe godina aktuale e TK-së vihet në dispozicion të Teatrit të Operës!!! 2- Shfaq “pa bërë zë” një projektligj në internet! Mendjet e njerëzve (duke përfshirë edhe timen), të çoroditura nga pyetjet retorike të thëna më lartë, tashmë kanë marrë edhe këto dy goditje “nën brez”, dhe, ashtu të çoroditur ulen në tastierë e shkruajnë. Fillon shikon sesi “institucionet qendrore kulturore bashkohen dhe trajtohen njësoj me ato lokale.”

Vazhdon me shfuqizimin e germës “dh”! Uppps iku Cirku! Ku shkoi? Mbase i shkon Bashkisë. Por, po i vajti Bashkisë, kalon në precedent për të gjithë bashkitë. Pra, i lind e drejta Tepelenës që të ketë Cirkun e vet (fjala që bie). Kësaj i thonë mirë e hodhe, por ku e çove? Galeria Kombëtare, shndërrohet në Muze të Arteve të Bukura Kombëtar. Po kjo pikë e zezë, ç’ishte? Po galeria ku vajti? Si do t’i bëhet me nevojën Kombëtare të të pasurit Galeri? Vazhdon me marrjen nën kompetencë të QKK-së, Bibliotekës Kombëtare, Arkivin Qendror e krijimin e dy qendrave të reja.

Sikur u gëzuam shumë që këto institucione I kishim shumë pranë Qeverisë, me një status independence “larg politikës”… Ku gabuam? Në Nenin 5, vjen një nga ato goditjet, që ty të vjen mendja rrotull jo më për 4 vjet (një mandatë), POR pa mandat fare. Çështje dëshire të ministres! Uppps! Domethënë, që në nenin 5, ti e ke humbur kthjelltësinë e mendimit, dhe je I bindur, që gjuha e përdorur nuk është më Shqiptare! Përherë e më tepër të del në pah “me Urdhër të Titullarit”, çka në esencë “të vet” e shndërron nga projekt-ligj në projekt-rregullore e brendshme e një megastrukturë kulturore, të pakulturë, arrogante, fyese dhe zhdukëse të çdo lloj tendence “ndryshe”! Kujdes, bëhet fjalë për çdo skenë në Republikën e Shqipërisë.

Mos kujtoni se gjen qetësi në Nenin 9, pika 4, që thotë se për çdo mendje shkrepje artistike e kulturore të institucioneve që nuk kanë objekt artin apo kulturën, duhet të marrë miratimin me shkrim të ministres! Kujdes nga Neni 12, se sapo u zhduk e drejta për të menduar e vepruar, çdo bashkie në fushën e art- kulturës. Kujdes 1000 herë nga Neni 15, i cili heq “kriteret e vendosur me VKM të shpërblimit të figurës artistike, dhe e lë gjithshka në dorë të negociatës, dhe “punës veresie”. Rreshti më i rrezikshëm është: Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë mbas botimit në Fletoren Zyrtare! Ore, çfarë po bëhet? Më falni por janë shumë gjëra që ndodhin Brenda Eklipsit të Hënës. E përmenda Hënën, se ajo, dihet, ka shumë ndikim në jetën tonë!

E keni dëgjuar shprehjen: Nuk është me Hënë të mirë?! Unë nuk dua të marr leje me shkrim edhe për provimet e studentëve të mi, aq më pak, te ministrja e Kulturës. Unë jam Kryefamiljar, pedagog, aktor, regjisor, socialist,etj., etj., dhe kam bindjen time; “Nuk i zgjidhim problemet, duke mos folur për to”. M’u kujtua një status në fb – personal: Ju ja rrasni me vare, mbrapa koke, punëtorit, qysh me mjes, e pastaj e pyesni: Shok Punëtor, pse t’merren mend? E me sa mend unë vazhdoj e shkruaj??? Tani është vonë! Tani kam filluar t’ju them njerëzve në rrugë: më fal se të fika cigaren me ballë, se vetëm xixa shoh!”.

Të fundit