Flash News

KRYESORE

Gjeneral Major Bajram Rushit Begaj betohet si Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve para Presidentit të Republikës

Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Prof. Asoc. Bajram Rushit Begaj është betuar sot para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të emërimit, Gjeneral Major Begaj duke vënë dorën mbi Kushtetutë, u zotua para Presidentit Meta se: “Betohem se do t’i bindem Kushtetutës e ligjeve, do t’i shërbej me ndershmëri vendit tim dhe do të mbroj interesat e Republikës së Shqipërisë.”

Duke i dorëzuar dekretin e emërimit, Kryetari i Shtetit i uroi Shefit të Shtabit të Përgjithshëm suksese në detyrën e rëndësishme të drejtimit të Forcave të Armatosura, ndërsa theksoi se edukimi dhe specializimi i Gjeneral Major Begaj në fushën e mjekësisë është një vlerë e shtuar që do ta ndihmojë atë në ushtrimin me përgjegjshmëri të lartë të kësaj detyre.

Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm edhe ministrja e Mbrojtjes zonja Olta Xhaçka, Zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral Brigade, Manushaqe Shehu, Komandanti i Forcës Tokësore Gjeneral Brigade Albert Mullai, si dhe Komandanti i Komandës Mbështetëse të FA-ve, Gjeneral Brigade Ndriçim Sallaku.

Të fundit