Flash News

KRYESORE

Gjeni për kë e ka Preç Zogaj kur përshkruan "politikanë me kufizime, politikanë me halle dhe ngatërrestarë"

Gjeni për kë e ka Preç Zogaj kur përshkruan

Preç Zogaj

Nëse drejtuesit politikë në Shqipëri bëjnë gjëra që e çojnë zgjedhjen e njerëzve në këtë pikë, ata dalin nga shinat dhe janë të mbaruar përgjithmonë. Sepse, në dallim nga vendet fqinje sllave dhe ortodokse, ku brenda të njëjtit popull ka grupe shoqërore e parti hëm perëndimore, hëm lindore dhe hëm një miksim pragmatist të këtyre orientimeve, në Shqipëri, mbi nëntëdhjetë e pesë për qind e qytetarëve janë proamerikanë dhe proeuropianë. Në momentin kur do të shihnin se loja politike prek me dashje a pa dashje orientimin, shqiptarët do të linin mënjanë të qenët të majtë apo të djathtë, liberalë, socialistë, apo konservatorë dhe do të rreshtoheshin krah për krah si perëndimorë. Ndaj drejtuesve politikë u kërkohet të kenë formimin e duhur për të dalluar qartë kufirin ku lufta politike pushon se qenë një përballje qëndrimesh e idesh nga pozicioni programor dhe shndërrohet papritur në luftë të një lloji tjetër. Në Shqipëri ka pasur dhe ka individë që kanë bërë lojëra të dyfishta me orientimin, por është fakt se në përcaktimin programor dhe në përbërjen njerëzore partitë shqiptare janë të gjitha perëndimore. Pluralizmi dhe spektri ynë politik përfaqësues, ku i gjejmë të gjitha ngjyrat, ka lindur dhe funksionon brenda një vetëpërcaktimi shpirtëror dhe ideor të përbashkët të shqiptarëve, që është të shikuarit nga Perëndimi. Ndarjet e tyre të mëdha janë “me të majtën apo me të djathtën”, “me opozitën apo me qeverinë”, me asnjërën në mjaft raste, por asnjëherë “me Perëndimin apo Lindjen”. Ndarja “me opozitën apo me qeverinë” është në konstitucionin e vetë shoqërisë. Ajo nuk zhduket, edhe sikur qeveria të shkëlqejë dhe opozita të dështojë apo në të kundërtën, sikur qeveria të dështojë dhe opozita të shkëlqejë. Nuk zhduket ndarja, ndërkohë madhësia e blloqeve ndryshon: pakica bëhet shumicë, shumica bëhet pakicë. Kjo dinamikë është në themel të rrotacionit të pushtetit me votë të lirë. Në këtë logjikë, pas gjashtë vitesh në qeveri, shumica e kryeministrit Rama nuk e ka më mbështetjen që ka pasur. Ajo ka hyrë në kursin e zbritjes në kuotat e një force opozitare, ndërkohë që PD dhe partitë e opozitës janë përpara sipas kompanisë italiane të sondazheve “IPR Marketing”. Për të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e opozitës ka qenë një lajm i gëzuar të mësojnë se grupimi i tyre politik po shkon drejt një shumice të konsoliduar. Ky ka qenë momenti kur opozita mund të merrte vendimin për t’u futur në zgjedhje pa marrëveshje me qeverinë, duke kapitalizuar ndjeshmërinë e nivelit të lartë kundër shitblerjes së votës dhe duke u angazhuar ndërkohë në një monitorim të paparë të zgjedhjeve. Opozitarët mezi kanë pritur e presin ta shohin fitoren në kutitë e votimit. Mirëpo opozita jonë kryesore vendosi të qëndronte jashtë zgjedhjeve. Ky ishte vendimi i dytë i jashtëzakonshëm pas të parit për djegien e mandateve. Është folur, diskutuar e debatuar shumë për arsyet që çuan në marrjen e këtyre vendimeve. Retorika, kur do, nuk ka vështirësi të qëmtojë në raftet, në dosjet, në zgëqet apo gjirizet e politikës të dhëna, fakte dhe rekorde ku mund të ushqehet, madje duke e bërë bindjen e vet të sinqertë apo të kërkuar, kriter të së vërtetës absolute. Por në fund të herës vlera e një vendimi politik matet me suksesin që shënon. Dhe vetë suksesi varet sa nga efikasiteti i betejës, sa nga mbështetja e partnerëve perëndimorë. Në kohën tonë mbështetja nga partnerët vlen edhe për vende të mesme apo të mëdha që kanë potencialin e mëvetësisë. Aq më shumë vlen kjo për një vend të vogël me demokraci të re dhe me një të shkuar të errët totalitare si vendi ynë. Ne nuk duhet të bëjmë asgjë që nuk përputhet me vlerat dhe standardet e demokracisë perëndimore! Asgjë që nuk pëlqehet nga SHBA dhe BE! Asgjë që vjen në kundërshtim me qëndrimet e tyre. Kjo nuk ka të bëje fare me sjelljen servile, me bjerrje të sovranitetit e çfarë thuhet në raste të tilla. Perëndimi është për ne kriter i demokracisë. Pas viteve nëntëdhjetë, Perëndimi na është gjendur shumë, për të mos thënë i jemi bërë barrë. Por as SHBA-ja dhe asnjë vend europian nuk na i kanë përmendur ndonjëherë nderet dhe shërbimet sikur ua kemi borxh. As kur kanë shpenzuar miliarda për çështjen tonë kombëtare, për demokracinë dhe sigurinë tonë. Në kompensim të padrejtësive që kemi pësuar në të kaluarën, por sigurisht edhe për arsye të natyrës gjeopolitike, ne jemi caktuar t’ua kthejmë partnerëve gjithë këtë investim me kontribute ushtarake modeste, me sjellje demokratike, me mirënjohje dhe miqësi. Me asgjë tjetër. Edhe sikur të na kërkohej të paguanim më shumë, do t’ia vlente i njëjti qëndrim luajal me ta. Në përmbyllje të këtij argumenti, duhet të shtojmë edhe një gjë: të gjitha shembjet dhe ngjarjet e zeza që kemi përjetuar gjatë viteve të tranzicionit janë në thelbin e tyre një shmangie fatkeqe nga vlerat e demokracisë perëndimore. Ndaj është e domosdoshme që në çështjet me peshë çdo hap duhet të hidhet në sintoni, apo duke u konsultuar me ta paraprakisht. Mjerisht, kjo u anashkalua nga opozita jonë në dy vendimet e saj pa precedent të këtij viti. Opozita nuk mori mbështetje nga asnjë vend dhe institucion ndërkombëtar për djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve. Ajo iu ekspozua një leximi fshikullues të krizës nga partnerët amerikanë. Ajo ndërtoi një strategji qëndrimesh që e vuri jo rrallë në skajin tjetër të litarit në raport me partnerët; e vuri nën vëzhgimin dhe nën paralajmërimet e tyre përcaktuese për një vijë të kuqe, që po të kalohej do të provokonte reagime dhe masa të ashpra me pasoja të rënda për vetë partitë dhe drejtuesit e tyre. Të gjitha këto, shto këtu edhe ekuivokët e kësaj opozite ndaj reformës në drejtësi, i kanë dëmtuar realisht marrëdhëniet e saj me partnerët perëndimorë, madje s’kanë reshtur së ushqyeri përshtypjen e një çoroditjeje në orientim. Përfaqësuesit e shumicës socialiste e kanë shfrytëzuar këtë situatë për të ngritur akuza të drejtpërdrejta kundër opozitës, sikur ajo po ndjek një agjendë antiperëndimore. Në një pamje historike e gjitha kjo tingëllon si një ironi e hidhur: trashëgimtarët e partisë që izoloi vendin dhe i shpalli luftë Perëndimit akuzojnë për të njëjtën gjë partinë që riktheu hapjen dhe euroatlantizmin? Demokratët mund ta gdhijnë duke i sharë e duke mos lënë gjë pa thënë për kryeministrin me shokë, po cili kundërshtar nuk e bën këtë nëse ti i del në shteg duke i dhënë material me qëndrimet e tua? Oksidentalizmi nuk thotë asgjë duke mbetur deklarativ. Ai dëshmohet ose nuk dëshmohet me akte. Në qoftë se aktet nuk përkojnë me vlerat e Perëndimit dhe për rrjedhim nuk mirëpriten apo refuzohen nga partnerët, do të thotë se, në mos është bërë një gabim i korrigjueshëm, ka vërtet një çoroditje në orientim. Edi Rama ka ambalazhuar shumë të palara të qeverisë së tij me këto lloj gabimesh e çoroditjesh të opozitës, por aty i ka. Opozita e Shqipërisë nuk duhet t’ia mundësojë më gjatë këtë. Ajo duhet t’i kthehet me një vetëdije të re dhe me gjithë reflektimin e nevojshëm historisë së saj si forcë perëndimore. Duke filluar nga kjo e diel, ku synimi për dështimin e zgjedhjeve duhet të shërbehet në suazën e mjeteve demokratike, siç mund të ishte bojkotimi i tyre masiv për shembull. Dhuna është një mjet i papranueshëm. Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, tha dje në radion “Zëri i Amerikës” ndihmëszëvendëssekretari i shtetit, Matthew Palmer. Ka akoma shumë tymnajë në qëndrimet dhe aktet e politikanëve. Disa kanë qëllime të mira, por gabojnë, për shkak të kufizimeve; disa kanë halle dhe qëllime të tjera nga ato që thonë dhe shpresojnë që njerëzit të mos e kuptojnë ku duan të dalin, ndërsa ngatërrojnë dynjanë me aktet e tyre. Qytetarët shqiptarë kanë një mundësi të orientohen drejt në mjegullnajën dhe turbulencat e momentit: të pyesin ç’thotë SHBA-ja dhe BE-ja. Të ndjekin qëndrimet e tyre. Ata nuk na gabojnë. *Analiza eshte botuar me titullin “Me Perëndimin apo kundër tij” nuk shkon fare në Shqipëri ne Gazeta Liberale.

Të fundit