Flash News

KRYESORE

Gjermania, Belgjika dhe Izraeli në garë për postin e rëndësishëm në OKB, Rama tregon se për kë do të shkojë vota e Shqipërisë

Gjermania, Belgjika dhe Izraeli në garë për postin e

Në javët e ardhshme, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të zgjedhë pesë anëtarët jo-të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Nga grupi i Evropës Perëndimore janë në garë tre shtete, Gjermani, Belgjika dhe Izraeli, të cilat do të kërkojnë të zënë dy vendet që ky grup ka në Këshillin e Sigurimit.

Çdo shtet duhet të marrë më shumë se 2/3 e votave të 193 anëtarëve të OKB-së për t’u ulur për dy vite në pozicionin e rëndësishëm.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot pas vizitës në Berlin se vota e Shqipërisë do të shkojë për Belgjikën, si anëtare jo-e përhershme e Këshillit të Sigurimit. I pyetur nëse Brukseli i kishte kërkuar Tiranës mbështetjen në OKB për të marrë në këmbim mbështetjen për hapjen e negociatave, Rama e mohoi diçka të tillë, duke theksuar se vendimi i qeverisë së tij për të votuar pro Belgjikës është marrë vitin e kaluar, në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme, kur ende nuk ishte bërë publik raporti i Komisionit Evropian, raporton Politiko.al.

Në vizitën që zhvilloi më 23 prill në Tiranë, kryeministri belg, Charles Michel vlerësoi pozitivisht reformat e qeverisë së Edi Ramës për hapjen e negociatave, ndonëse vitin e kaluar nuk kanë munguar raportet e policisë së Belgjikës që ngrinin shqetësimin për numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë dhe rritjen e kriminalitetit.

Anëtarët jo-të përhershëm të Këshillit të Sigurimit

Këshilli i Sigurimit i OKB-së përbëhet nga 15 anëtarë, pesë prej tyre janë të përhershëm (SHBA, Rusi, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kina) dhe dhjetë zgjidhen nga 193 anëtarët e OKB-së për një mandat dy vjeçar. Zgjedhjet për anëtarët jo-të përhershëm zhvillohen çdo vit, me pesë fitues që zëvendësojnë pesë shtete që u ka mbaruar mandati si anëtare jo-të përhershme.

Në OKB funksionojnë katër grupe të mëdha, nga ku dalin edhe kandidatët.

Grupi i Afrikës zgjedh një përfaqësues, grupi i Azisë dhe Paqësorit zgjedh një përfaqësues, grupi i Amerikës Latine dhe Karaibeve zgjedh një përfaqësues, grupi i Evropës Lindore zgjedh një përfaqësues dhe grupi i Evropës Perëndimore zgjedh dy përfaqësues.

Aktualisht, grupi i Evropës Lindore ku bën pjesë edhe Shqipëria përfaqësohet nga Polonia, mandati i së cilës përfundon në vitin 2019-të. Ndërkohë, Holandës dhe Suedisë, të cilat përfaqësojnë në Këshillin e Sigurimit grupin e Evropës Perëndimore, u përfundon këtë vit mandati dhe ato do të zëvendësohen nga dy prej tre shteteve në garë, Belgjikës, Gjermanisë dhe Izraelit. Shqipëria ka zgjedhur Belgjikën.

Këtë vit, kandidate për grupin e Afrikës është Afrika e Jugut, për Azi-Paqësorin janë në garë Maldivet dhe Indonezia dhe për Amerikën Latine kandidate është Republika Domenikane. Evropa lindore nuk ka kandidat këtë vit sepse mandati i Polonisë përfundon në 2019-ën, raporton Politiko.al.

Kandidatët për Evropën Lindore

Vitin e ardhshëm, grupi i Evropës Lindore do të zgjedhë shtetin që do e përfaqësojë për dy vjet në Këshillin e Sigurimit. Kandidaturat i kanë paraqitur Estonia dhe Rumania.

Ndonëse është herët për të folur për pozicionin që Shqipëria do të mbajë në vitin 2019-të, pala shqiptare do të marrë parasysh në zgjedhjen që do të bëjë raportet që ka me këto dy shtete. Estonia dhe Rumania janë të dyja anëtare të BE-së dhe NATO, ndërkohë që rumunët kanë avantazhin se janë pjesë një rajoni me shqiptarët dhe kanë marrëdhënie historike dhe ekonomike më të forta se ato që ekzistojnë me estonezët. Gjithsesi, ajo që e favorizon Estoninë për të marrë votën e Tiranës është fakti se ky shtet e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që i njëjti vendim nuk është marrë nga Bukureshti, i cili muajt e fundit ka afruar qëndrimet me Serbinë sa i përket kësaj çështje.

Shqipëria dhe Këshilli i Sigurimit

Shqipëria është ndër të paktat shtete në Evropë dhe botë që është prej dekadash anëtare e OKB-së por që nuk ka arritur asnjëherë të zgjidhet anëtare jo-e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Pjesë e këtij këshilli kanë qenë edhe shtete me peshë më të vogël se Shqipëria në arenën ndërkombëtare si Malta, Kape Verde, Burundi, Somalia etj.

Megjithatë, Shqipëria ka zyrtarizuar kandidaturën për zgjedhjet që do të zhvillohen në vitin 2021. Tirana është vetmja në garë për momentin nga grupi i Evropës Lindore dhe që do të kërkojë të zëvendësojë në Këshillin e Sigurimit fituesen e vitit 2019, një prej Estonisë dhe Rumanisë. /Politiko.al

Të fundit