Flash News

KRYESORE

GJKKO dënon me 21 vite burg Arbër Çekaj, biznesmeni: Kërkoj drejtësi dhe jo mëshirë!

GJKKO dënon me 21 vite burg Arbër Çekaj, biznesmeni:

Në finale të një procesi i cili zgjati dy vite, hetim dhe gjykim, GJKKO ka dënuar me 21 vite burg biznesmenin Arbër Çekaj, i akuzuar për trafikimin e 613 kg kokainë të ardhura nga Kolumbia. Çekaj do të vuaj 14 vite heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar në një burg të sigurisë së lartë.

Gjykata po ashtu, ka dënuar me 16 vite burg Donald Lushajn, i konvertuar në 10 vite e 8 muaj. Për shoferin e kamionit, Armando Pezaku, u dha dënimi me 13 vite burgim, i cili u konvertua në 8 vite e 8 muaj, po ashtu për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në seancën e sotme në GKKO, Çekaj mohoi edhe njëherë përfshirjen e tij në ngjarjen e 2018, kur brenda një konteineri bananesh u gjetën 613 kg kokainë të ardhura nga Kolumbia, që kaloi nga Italia, në Portin e Durrësit dhe më pas në magazinën e Çekajt.

Për 35 minuta fjalë bizesmeni kërkoi drejtësi dhe jo mëshirë. Arbër Çeka la të kuptohej se nuk ishte ai peshku i madh dhe se kishte persona të tjerë të cilët, ishin të përfshirë më të mëdhenj në pozicione sesa ai.

Çekaj është paraqitur krejt i qeshur dhe në përgjegjësi të plotë për atë çka do ndodhte gjatë ditës së sotme. I veshur me kostum për t’u paraqitur përballë seancës gjyqësore, biznesmeni ka shkëmbyer edhe batuta me gazetarët duke thënë se ai është veshur me kostum për t’u dukur bukur gjatë pritjes së vendimit, ndërsa shtoi se ka veshur edhe atlete, jo adidas sikurse Rama sepse ai ishte vetëm një i burgosur.

Tre personat, Arbër Çekaj, Donald Lushaj dhe Armando Pezaku, u dënuan për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar narkotikësh në bashkëpunim, pasi iu sekuestrua sasia më të madhe të kokainës të kapur ndonjëherë në Shqipëri, me një vlerë prej 180 milionë dollarësh. Por tashmë mbetet mundësia që ky vendim të apelohet në shkallën më lart. Avokati Maks Haxhia pas seancës deklaroi se nuk pati asnjë provë dhe Çekaj është i pafajshëm për akuzat që i janë ngritur teksa e cilësoi procesin gjyqësor si komik.

Të fundit