Flash News

KRYESORE

"Gjobë deri në heqje lirie"; Pas paralajmërimit të Ramës, Policia në veprim ndaj shkelësve të masave anti-COVID: Apel qytetarëve

"Gjobë deri në heqje lirie"; Pas paralajmërimit të

Policia e Shtetit ka reaguar pas paralajmërimit të kryeministrit Rama ndaj bizneseve dhe qytetarëve për zbatimin e protokollit të sigurisë kundër COVID-19 ose do të kenë penalitete.

Përmes një njoftimi, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të respektojnë masat kundër përhapjes së koronavirusit, duke ju kërkuar shmangien e grumbullimeve deri te përdorimi i maskave dhe dorezave për mbrojtje.

Policia apelon për qytetarët për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID- 19.

"Të nderuar qytetarë,

Duke marrë shkas nga numri në rritje i personave të infektuar nga virusi COVID-19, kërkojmë bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe kontributin tuaj për parandalimin e përhapjes së këtij infeksioni.

  1. Respektoni protokollet e sigurisë, për të mos rrezikuar shëndetin e tuaj dhe të të tjerëve, distancimin social, bëni kujdes në ceremonitë festive dhe ato mortore, duke mos u grumbulluar në mënyrë masive.
  2. Mos qëndroni grumbull në ambientet e brendshme të lokaleve, bareve, restoranteve, qendrave tregtare apo marketeve dhe mos pranoi shërbim klienti nga persona që nuk kanë vendosur maska mbrojtëse dhe dorezat.
  3. Shmangni grumbullimet në ambiente publike, pasi janë në kundërshtim me protokollet e sigurisë dhe janë rrezik potencial për t’u infektuar dhe përhapur COVID-19.
  4. Cilido që është i infektuar me COVID-19, të respektojë në mënyrë rigoroze vetëkarantinimin, pasi Policia disponon të gjitha listat e përditësuara me emrat e personave të infektuar dhe do vijojë ushtrimin e kontrolleve të pandërprera për monitorimin e kësaj kategorie, duke marrë masa për cilindo që shkel këtë rregull, sipas sanksioneve ligjore në fuqi.

Të nderuar qytetarë, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, ju falënderon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, tuaj për ta kaluar së bashku këtë situatë të vështirë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se, në një deklaratë ditën e djeshme kryeministri Rama ka paralajmëruar qytetarët dhe bizneset të zbatojnë masat anti-COVID, pasi thyerja e tyre rrezikon për ta gjobë deri në heqjen e lirisë. “Gjërat nuk mund të vijojnë më kështu. Asgjë nuk do të tolerohet më. Policia do bëjë punën e saj”, theksoi ndër të tjera kryeministri.

"Nuk do të lejoj më asnjëlloj grumbullimi qoftë edhe politik. Ju them të gjithve vazhdoni punën. Liria e lëvizjes ka qenë e garantuar, liria e fjalës nuk ka munguar asnjëherë por nuk do të lejojë grumbullimet duke thyer protokollin e sigurisë. Policia e shtetit do të vazhdoj të bëjë detyrën dhe kush merr pjesë në grumbullime më të mëdha sesa është përcaktuar në protokollin e policisë do të penalizohen menjëherë, drejtpërdrejt individualisht", deklaroi Rama.

Të fundit