Flash News

KRYESORE

“Gjuha juaj fyese”, Paloka reagon pas deklaratës së Spiropalit: Turp që e trajtoni mikun gjerman si armik

“Gjuha juaj fyese”, Paloka reagon pas deklaratës së

Pas deklaratës së ministres Elisa Spiropali ndaj zëdhënësit të Partisë Popullore Europiane, Michael Gahler, ka reaguar edhe nënkryetari i PD, Edi Paloka.

Teksa e cilëson deklaratën e Spiropalit një turp, Paloka shkruan se “është e pandershme që qeveria ta trajtojë mikun gjerman si armik, vetëm pse Michael Gahler tha të vërtetën”.

“Tradhti ndaj interesave të shqiptarëve është të shpërfillësh paralajmërimet e Bashkimit Europian dhe të izolosh vendin. Fyes dhe kriminal është përdorimi i disa deputetëve pa mandat si fasadë për llogaritë e Ramës kundër interesit të shqiptarëve”, shton ai më tej.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i është përgjigjur zëdhënësit të PPE, Michael Gahler, i cili reagoi me nota kritike dhe keqardhje pasi dje qeveria shqiptare miratoi pa konsensus ndryshimin e Kushtetutës.

Në një reagim e tij, Gahler shkroi se është e pranueshme që qeveria Rama e cila dëshiron negociatat e pranimit me BE të nisë të ndryshojë në mënyrë arbitrare rregullat e lojës elektorale.

Në përgjigje të tij, reagoi Spiropali e cila thotë se Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm, as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel.

Më tej, ministrja e cilëson deklaratën  e  Gahler me gjuhë fyese dhe shprehet e bindur se “ai nuk e di që me ndryshimet kushtetuese, ne e kemi futur Shqipërinë në kornizën e botës së OSBE/ODHIR, ku asnjë vend nuk e ka formulën "Frankestein" të koalicioneve parazgjedhore që kishte Shqipëria deri dje”.

Reagimi i Palokës:

Sulmi i qeverisë ndaj zëdhënësit të Partisë Popullore Europiane, Michael Gahler, është një turp për Edi Ramën. Michael Gahler është një mik shumë i mirë i Shqipërisë. Është një nga shumë miqtë e PPE-së në Parlamentin Europian, i cili ka ndihmuar Shqipërinë në rrugën e integrimit, sa herë ka patur nevojë. Këtë rrugë Edi Rama po e bën shumë të vështirë, e ka bllokuar prej gati 7 vjetësh, vetëm për interesin personal.

Është e pandershme që qeveria ta trajtojë mikun gjerman si armik, vetëm pse Michael Gahler tha të vërtetën:

Me ndryshimet e njënashme kushtetuese marrëveshja e arritur me opozitën u zhbë, partnerët nga BE dhe vendet anëtare nuk u dëgjuan, rregullat e lojës për zgjedhje u ndryshuan në mënyrë të njëanshme.

Fyes për shqiptarët është të mashtrosh partnerët, është t’u premtosh marrëveshje dhe pastaj ta grisësh atë.

Tradhti ndaj interesave të shqiptarëve është të shpërfillësh paralajmërimet e Bashkimit Europian dhe të izolosh vendin.

Fyes dhe kriminal është përdorimi i disa deputetëve pa mandat si fasadë për llogaritë e Ramës kundër interesit të shqiptarëve.

Dhe një sqarim të fundit vetëm për “nafijen e partisë”, Elisa Spiropalin. Kur Edi Rama të të sjellë gati tekstin e sulmit për ndonjë mik tjetër të Shqipërisë, kërkoji foton e saktë. Ky që të kanë dhënë, nuk është Michael Gahler.

Të fundit