Flash News

KRYESORE

Gjykata Speciale e Hagës thërret edhe kreun e BDI-së; konfirmon Ali Ahmeti: Është e vërtetë dhe do të shkoj

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, ka bërë të ditur se është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitarit pasi ka qenë themelues i UÇK-së dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm.

“Po, është e vërtetë. Më ka ftuar Specialja dhe do të shkoj”, ka konfirmuar Ahmeti, ndërsa shton se "është në dispozicion të tregojë çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit të Millosheviçit." 

“Të nderuar qytetarë,

sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time.

Andaj, ju njoftoj që Dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht prokuroria speciale e Kosovës, si një nga themeluesit e UÇK dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë.

Gjithmon kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, shkruan Ahmeti.

Kujtojmë se, Gjykata Speciale intervistoi për 4 ditë me radhë Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin pas akuzave që rëndojnë ndaj tij për krime lufte, gjatë luftës së Kosovës me Serbinë. Më 24 qershor të këtij viti, Prokuroria Speciale e Hagës publikoi një akt-akuzë të pakonfirmuar ndaj Thaçit dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit. Kjo akt-akuzë ngjalli reagime të shumta dhe u kritikua si me prapavijë politike, pasi koha kur u bë publike ishte vetëm 3 ditë para takimit të 27 qershorit në Washington.

Të fundit