Flash News

KRYESORE

Gjyqi për 9 të ndaluarit e KZAZ-ve në Mat/ Reagon babai: Eskobarin e mori drejtori, djalin tim 50 policë

Gjyqi për  9 të ndaluarit e KZAZ-ve në Mat/ Reagon babai:

Seanca për masën e sigurisë për 9 të arrestuarit që akuzohen për dëmtimin e materialeve zgjedhore të KZAZ-ve 16 dhe 17 në Burrel dhe Klos, ka nisur paraditen e sotme rreth orës 9.

Ngjarja me këto dy KZAZ ka ndodhur në datën 19 qershor.

Seanca po zhvillohet me dyer të mbyllura dhe në sallë nuk janë lejuar as familjarët e të arrestuarve dhe as media.

Familjarët janë indinjuar nga ky veprim dhe janë mbledhur rreth Gjykatës së Matit, ku kanë kërkuar të jenë të pranishëm në sallën dhe e kanë quajtur të turpshëm gjyqin me dyer të mbyllura.

Shkëlqim Dedja, mësues matematike, babai i Enea Dedja, 20 vjeç, një prej të rinjve të arrestuar ka kërkuar disa herë në dyert e gjykatës të marrë pjesë në seancë.

Sipas tij, i biri nuk është një kriminel, por ka vepruar në mbrojtje të Kushtetutës, dhe se nuk e meriton të merrej me 50 policë sikur të ishte Eskobari.

“Aty janë fëmijët tanë. As kanë vrarë e as kanë prerë, as drogë nuk kanë shitur. Protesta është e ligjshme. Ishin në mbrojtje të Kushtetutës. Paligjshmëria është këtu. E kanë arrestuar djalin tim si kriminel dhe Eskobarit të Ballkanit i keni çuar drejtorin e policisë dhe djalit tim inxhinier elektrik i çoni 50 forca policie duke na terrorizuar familjen. Dua të jem në sallë, mos të bëhet gjyqi pa qenë në sallë përndryshe do të protestoj. Nuk jam kriminel as unë, as djali im. Asnjë avokat të mos e mbrojë djalin tim, le të dënohet për gjyq politik, askush të mos e mbrojë djalin tim, do e mbroj vetë. Janë protestues jo kriminelë. Jam familje intelektualësh dhe terrorizoni familjen time. Dua të jem pranë djalit. Thuaja gjyqtarit, ose të pezullojë gjyqin”, ka thënë ai për Balkanweb.

Të fundit