Flash News

KRYESORE

Gjyshi i Boris Johnson, shqiptar? Autori i librit sqaron të vërtetën për Politiko: është një keqkuptim

Një pjesë e medias digjitale shqiptare ka qarkulluar një lajm 'të habitshëm' të 'shqiptarësisë' së kryeministrit konservator britanik, Boris Johnson. Lidhja që bëhej mes politikanit britanik dhe origjinës së tij gjendej në librin 'Brigje të Pikëlluara: dhuna, etnia dhe fundi i Perandorisë Osmane ', i përkthyer edhe në shqip. Në libër flitet për një Ali Kemal në Turqinë perandorake të fillimit të shekullit të kaluar, emri i një burri që qëllon të jetë paraardhës i Boris Johnsonit britanik.

Politiko.al ka kontaktuar me autorin e librit Ryan Gingeras dhe ka mësuar se...në botë ka shumë Ali Kemalë, dhe jo të gjithë janë me origjinë shqiptare.

"Ka lindur një keqkuptim", i tha Politiko studiuesi amerikan Gingeras. "Ali Kemali i librit tim nuk është i njëjti me gjyshin e Boris Johnson. Ky i dyti nuk ka qenë oficer në ushtrinë turke".

Ryan Gingeras është Profesor i asociuar në Departmentin e Çështjeve të Sigurisë Kombëtare në Naval Postgraduate School në Monterey të Kalifornisë. Ai është ekspert  në historinë e Turqisë, Ballkanit dhe Lindjes së Mesme, njëkohësisht autor i katër librave, një prej të cilëve edhe "Brigjet e pikëlluara: dhuna, etnia dhe fundi i Perandorisë Osmane". ku flitet gjerësisht për shqiptarët.

Intervistoi: Liridon Cecja

Z. Gingeras, ju keni përdorur një pjesë të mirë të jetës për studimin e historisë së Ballkanit. Si u lindi kjo ide apo pasion?

U interesova së pari për historinë e Ballkanit përmes librave dhe artikujve të gazetave. Nuk kam familje apo histori të familjes që lidhet me gadishullin. Më shumë se çdo gjë luftërat në Bosnjë dhe Kosovë më shtynë që të mësoja më shumë për rajonin. Përvojat e udhëtimeve të mia atje, në fund të viteve '90 dhe në fillim të viteve 2000, i dhanë një formë të posaçme afeksionit tim për historinë shqiptare. Njerëzit që takova në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë më bënë të dashurohem me kulturën shqiptare.

Në librin tuaj "Brigje të pikëlluara: dhuna, etnia dhe fundi i Perandorisë Osmane" përmendni Ali Kemalin, gjyshin shqiptar të kryeministrit britanik, Boris Johnson. A mund të na jepni më shumë detaje rreth kësaj...

Eshtë krijuar një keqkuptim. Libri im përmend një oficer shqiptar të quajtur Ali Kemal, një kapiten. Ali Kemal, gjyshi i Boris Johnson, nuk ka qenë oficer në ushtri). Ajo që të dy kanë të përbashkët është fakti se që të dy i mbetën besnikë qeverisë së Sulltanit përgjatë Luftës Turke për Pavarësi.

A njihni personalitete botërore që mund të jenë me origjinë shqiptare?

Njerëz të famshëm në botë sot? Do të doja t'i shtoja listës emra të rinj, por druhem se nuk është kjo fusha ime e ekspertizës.

A mund t'i përshkruani këto personalitete shqiptare të listuara më poshtë me ndonjë cilësor: Skënderbeu, Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enver Hoxha?

Do të them vetëm se emrat më poshtë janë të gjithë konsekuencialë (të rëndësishëm). Sa më takon mua, si dikush që ka studiuar dhe shkruan rreth historisë shqiptare, ajo që është e rëndësishm është se, sa konsekuencialë janë shqiptarët, në përgjithësi, në ndërtimin e botës moderne, në Ballkan apo tej tij. Burrat dhe gratë shqiptare kanë patur ndikim mbi ngjarjet dhe jetën e përditshme në mënyra të padukshme dhe rrënjësore në shumë vende, si në Turqi, Egjipt Itali dhe në Shtetet e Bashkuara dhe më tej. Çudia e historisë shqiptare nuk gjendet te udhëheqësit e saj të mëdhenj. Eshtë diçka që gjendet në jetën, punën dhe aventurat e shqiptarëve të zakonshëm.

 

 

Të fundit